Nga Fatos Shala, Prishtinë
Kryeministri Albin Kurti dhe kryeministri Edi Rama duket se vazhdojnë t’i kenë raportet e “acaruara”.
Edhe pse sot ka ardhur në Prishtinë, Rama nuk do të ketë takim me homologun e tij Kurtin.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Kosovë për 25-vjetorin e çlirimit, ku në mëngjes u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Kreu i qeverisë shqiptare nuk takoi të parin e qeverisë kosovare, Albin Kurtin.
Nga Qeveria e Kosovës kanë treguar se në bazë të axhendës, duket që Rama po i takon ata të cilët konsideron se ka nevojë t’i rregullojë raportet.
Zyra e Kryeministrit e ka ftuar Ramën për aktivitet më 12 qershor për 25-vjetorin e çlirimit, por atyre u është thënë që s’është e mundur të jetë i pranishëm, ndërsa kanë uruar që ai të jetë prezent në Manifestimin e 146 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.
“Në bazë axhendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet. Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor.
Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor. Ai është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore. Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”.
Zyra e Kryeministrit mëngjesin e së hënës zbuloi agjendën e kryeministrit Kurti, gjë që e cila ngjalli reagime për mos takimin me Kurtin. Madje kur u pyet nga gazetarët ai nuk iu përgjigj pyetjes rreth një takimi të mundshëm me Edi Ramën.
Ndryshe nga Kurti, Osmani e priti e buzëqeshur kryeministrin shqiptar.
“Bashkë, për t’i shënuar momentet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë! Mirë se erdhe Kryeministër Rama!”, përshkroi Presidentja Osmani takimin me shefin e ekzekutivit shqiptar.
Veç takimit me Osmanin, Rama në Prishtinë ka pranuar të mirëpritet pasdite edhe nga Kryetari i Komunës së kryeqytetit, Përparim Rama, ku në një ceremoni të posaçme do të nderohet me “Çelësin e Qytetit”.
Kryeministri shqiptar, poashtu ishte pjesëmarrës edhe në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi”, ku u prit nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Me këtë rast Edi Rama, ka lartësuar figurën e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai tha se pa Rugovën nuk do të kishte Ushtri Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, pa politikën e tij afruese me aleatët nuk do të jehonin as armët e ushtarëve të UÇK-së bashkë me bombardimet e NATO-s mbi Beograd.
“Rugova ishte revolucionar me urtësinë e burrështetasit dhe burrështetas revulocionar. Rugova ishte si intelektual i nxjerrë nga arkivat e kohës romantike”, tha Rama.
Kreu i Qeverisë shqiptare tha se s’ka politikan tjetër si Rugova.
“Ai ishte i papërsëritshëm dhe i pashpjegueshëm deri në fund se si arriti t’ua imponojë njerëzve rrjedhën e politikës së tij. Rugova i dha popullit të tij një forcë të panjohur ndonjëherë në trojet tona”.
Sipas tij, Rugova ishte i vetmi në këtë vend që kishte kuptuar se konflikti nuk është rruga për drejtësi afatgjate Monitor