Nga Rezenbrik Serjani
Kemi hyrë në ditën e katërt, që nga ndërprerja e furnizimit me ujë, për të gjithë qytetin e Vlorës, të cilën, Bashkia Vlorë, së bashku me ndërmarrjen e Ujësjellësit, e kanë lënë në vdekje klinike. Vlora, për katër ditë, ka qenë një shkretëtirë e madhe, ku vlonjatëve, atyre që në këtë fillim viti u tarifuan 30% më shtrenjtë çmimin e ujit, për katër ditë ju mohuan të drejtën hyjnore që ka çdo qytetar për tu furnizuar me ujë. Është një akt kriminal, ky që ju bë Vlorës dhe vlonjatëve, dhe përgjegjësit janë ata që kanë 27 vite që tunden e shkunden, duke thënë se “Vlorën e kanë të tyren”, duke artikuluar se janë fitimtarë, qoftë ‘edhe duke varur xhaketën’. Janë ata që e kanë denigruar këtë qytet për 27 vite, duke u tallur me banorët e saj dhe duke e denatyruar këtë qytet të bekuar nga Zoti, duke I hequr simbolet, duke e vjedhur me politikat e tyre korruptive, me qëllimin ogurzi të shpërfytyrimit të imazhit të Vlorës sonë të bukur, sepse atyre nuk ju dhimbset Vlora. Dhe së fundmi, janë po ata, që e “thanë” Vlorën për 4 ditë. Paturpësia e këtyre 4 ditëve, është se në asnjë minutë të këtyre orëve, ku Vlora është në “gjendje te jashtëzakonshme”, Kryetari I Bashkisë nuk ka dalë 1 herë, për të dhënë, qoftë edhe formalisht një ndjese te madhe publike, për këto 4 ditë “lufte” me jetën. E dalë jashtë kontrollit, e mbytur nga korrupsioni, e zhytur në paaftësi dhe militantë-punonjës-patronazhistë, është realiteti institucional, i cili me së miri u dëshmua këto 4 ditë, duke e kthyer në realitetin më të hidhur historik të këtij qyteti mijëra-vjeçar.