Plani i masave për sezonin turistik, OSSH: 24 orë në gatishmëri të plotë me 1128 punonjës në terren

0
172

Me nisjen e sezonit turistik, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, OSSH, ka rritur gatishmërinë, duke marrë të gjitha masat për të garantuar furnizimin cilësor me energji elektrike në të gjithë vendin.

Në një takim me drejtuesit e drejtorive rajonale të OSSH-së në të gjithë vendin, zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, theksoi se sipas të gjitha të dhënave, këtë vit, parashikohet të ketë një fluks më të madh vizitorësh, krahasuar me vitet e mëparshme, ndaj dhe angazhimi duhet të jetë maksimal, për të garantuar furnizim të pandërprerë me energji në të gjithë vendin.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi se vëmendja kryesore do të fokusohet përgjatë vijës bregdetare, pa lënë mënjanë edhe zonat malore, ku viteve të fundit ka pasur një zhvillim të madh të turizmit.

Sipas saj, investimet e realizuara për rehabilitimin dhe fuqizimin e nënstacioneve, apo ndërhyrjet për përmirësimin e rrjetit shpërndarës dhe kabinave elektrike, do të ndikojnë në një menaxhim sa më të mirë të situatës.

“Vëmendja kryesore qëndron në Ultësirën Perëndimore, si zona me dendësinë më të madhe të hoteleve dhe njësive tregtare që i shërbejnë turizmit, por nuk duhet lënë pas dore edhe fakti se tashmë kemi njësi hotelerie edhe në zonat malore, të cilat nuk kanë pasur të njëjtën masë investimesh, siç ka pasur Ultësira Perëndimore apo qytetet kryesore.

Ndaj ndoshta atje duhet vëmendje më e shtuar me grupet e punës dhe grupet e gatshme, që duhet të kemi në terren. Koordinimi ka qenë i mirë deri më sot”, tha Balluku.

Administratori i OSSH-së, Blendian Dalipi, bëri një pasqyrim të të gjithë investimeve të realizuara në këto vite për përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji, duke shtuar se gjatë sezonit do të angazhohen në të gjithë vendin 1128 punonjës, për të ndërhyrë në çdo moment ku do të shfaqen problematika.

“Kemi ndërhyrë në 23 nënstacione nëpërmjet remonteve. Kemi remontuar 291 kilometra linjë tensioni të lartë vetëm në bregdet dhe 950 kilometra linjë në totalin e të gjithë aseve që kemi, linja 35 kv. Kemi remontuar 574 kilometra linjë të tensionit të mesëm dhe 131 kilometra linjë të tensionit të ulët, si dhe kemi ndërhyrë në 1252 kabina”, tha Dalipi.

Administratori i OSSH-së theksoi ndër të tjera se janë hapur 30 pika shërbimi, që do të jenë në shërbim të konsumatorëve 24 orë me numrat përkatës.

“Gjatë këtij viti i kemi shtuar këto pika sidomos në zonën e Shëngjinit, Ksamilit, ku nuk i kemi patur sezonin e kaluar dhe i kemi 2-fishuar apo edhe 3-fishuar në rastet kur është e nevojshme”, tha kreu i OSSH-së Blendian Dalipi.

Për shkak të fluksit të lartë të turistëve që pritet të hyjnë në Shqipëri këtë sezon turistik, edhe kërkesat për furnizim me energji elektrike në zonat turistike do të jenë të larta, çka do të sjellë ngarkesë të rrjetit elektrik.

Administratori i OSSH-së u shpreh se, për të përballuar pikun e ngarkesës, janë marrë të gjitha masat dhe, falë punës në terren, jemi optimistë se ky vit do të jetë më i mirë, përsa i përket furnizimit të të gjitha zonave turistike për muajt në vazhdim.

“Kemi përfunduar pothuajse në 99% të zonave turistike, specifikisht, kryerjen e remonteve të plota në linjat e tensionit të lartë, në pajisjet primare e sekonadare të nënstacioneve dhe vazhdojmë me kryerjen e remonteve të thella në linjat e tensionit TM/TU; ku themi se brenda datës 20 qershor do t’i kemi përfunduar edhe ato pak që mund të kenë ngelur.

Kemi kryer shumë remonte profilaktike në kabinat e transformimit së bashku me rehabilitimin e rrjetit shpërndarës TU, sidomos në zonat urbane të hapësirave turistike, jemi fokusuar edhe në disa fenomene që na shoqëruan verën e kaluar, ku mund të përmendin rastin e Sarandës (ku patëm disa probleme me linjat ajrore në qytet, çka nuk ishte aspak gjë e mirë, qoftë për rrjetin, qoftë për për syrin e shumë turistëve të zonës).

Krahas këtyre, i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë koordinimit me OST-në. Është shumë thelbësore për ne shpërndarja sa më e balancuar e ngarkesave në rrjet dhe monitorimi i tyre 24 orë, si dhe një bashkëpunim ndërmjet brigadave të përbashkëta për të ndërhyrë në një kohë sa më të shpejtë për të likuiduar ndonjë avari të mundshme”, tha Dalipi.

Edhe drejtues të tjerë të OSSH-së në rajonet Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë theksuan angazhimin maksimal në terren përmes grupeve të punës dhe mjeteve, që do të jenë gati për të ndërhyrë në çdo rast defekti të shfaqur si pasojë e pikut të ngarkesës së rrjetit; për të rikthyer sa më shpejt energjinë, në çdo zonë që mund të preket nga avaritë.