“Nuk mund të lë pa përmend episodin tragjik të dy shokëve të mi të ngushtë, Ibrahim Nezha e Osman Pepmarku, të cilët pas torturave çnjerëzore të ushtruara ndaj tyre gjatë një viti, i kanë detyruar të hapin një gropë, i kanë hedhur të gjallë në të dhe pastaj u kanë hedhur sipër një zgarë metalike, me kunja të mprehur metalikë, që t’u nguleshin në trup. Sipër kësaj zgare, kanë hedhur gurë e dhe, dhe kështu i kanë lënë të vdesin”., shkruante në mes të tjerash Zef Margjini, në librin e tij të kujtimeve, duke na sjell një fakt interesant e tepër tronditës.
Halit Hajri me një formacion, u caktua të arrestonte Ibrahim Nezhën dhe Sabri Gjongegën në Gurë-Lurë. Banush Goxhaj, me një formacion tjetër, Osman Pepmarkun dhe Ahmet Kurt Pepmarkun, në fshatin Gjoçaj. Ramadan Gjoka, drejtonte forcat që do të arrestonin Zef Margjinin në Bozhiq (Bardhaj), ndërsa Gjolek Alia, do të arrestonte Ahmet Sulë Pepmarkun në fshatin Zall-Gjoçaj.
Pikërisht në këto ditë, nis operacioni nga Dega e Punëve të Brendshme të Burrelit. Ishte krijuar një situatë e vërtetë terrori. Lëvizjet e oficerëve, hyrje-daljet e tyre nëpër zyra, takimet me agjentët e Sigurimit, pëshpëritjet, ndarjet dhe pastaj prapë kontaktet, kishin krijuar një ankth të vërtetë, pasi askush nuk dinte se çfarë po ndodhte, ndonëse ndihej se diçka makabre po përgatitej.
E kush do ta kishte radhën për t’u bërë pre e kësaj egërsie, që manifestohej në fytyrat e egërsuara të punonjësve të Sigurimit? Këtë nuk e dinte askush. Përgatitjet po bëheshin sikur në zonën e Selitës, apo të Lurës, të kishin zbarkuar desantë ajrorë të armatosur, e jo si për të arrestuar 5-6 vetë, që nuk kishin bërë asnjë krim në jetën e tyre, përveç faktit që po merrnin masa, t’u shpëtonin thonjve të përgjakur të diktaturës. Kjo frymë krijohej për të justifikuar egërsinë e tyre. Detyrat u ndanë.
Operacioni drejtohej nga Rexhep Kolli, funksionar i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Tirana. Gjithçka ishte organizuar aq mirë, sa të gjithë personat e planifikuar, u arrestuan, me përjashtim të Zef Margjinit. Të arrestuarit e panë njëri-tjetrin në Derjan, ku ishte edhe pika e parë e grumbullimit.
Që aty Osman Pepmarkut, i heqin orën, që ishte e një marke mjaft të çmuar, si dhe qestekun (vargun e sermit), që e kishte dhuratë nga shoku i tij, Zef Margjini, të cilin ndonjë mrekulli e kishte shpëtuar kësaj radhe, pa rënë në dorë të bishës së egërsuar komuniste.
Hetimet në fillim i bëri toger Gjolek Alia, por Ministria e Punëve të Brendshme, e pakënaqur me formulimin e akt-akuzës, pasi sipas saj, nuk justifikoheshin dënimet e paracaktuara, i hodhi poshtë akuzat dhe caktoi një grup tjetër hetuesish, që kryesohej nga Garip Salia.
Akt-akuza nënshkruhej nga zv/prokurori i garnizonit, kapiten Hilmi Telegrafi, i cili përfaqësonte edhe akt-akuzën e seancës, ndërsa kryetari i trupit gjykues, ishte caktuar kapiten Mustafa Iljazi. Më datë 19 dhjetor 1949, Gjykata Ushtarake dha këto dënime:
- Ibrahim Ahmet Nezha, “si iniciator i krijimit të këtij grupi dhe përsëritës, (pasi ishte dënuar edhe një herë për arratisje nga ushtria me 8 vjet burg dhe ishte liruar nga një amnisti e vitit 1947) – dënimet me vdekje, me pushkatim”.
- Osman Sulejman Pepmarku, “si pjesëtar aktiv në këtë grup, ku jo vetëm propagandonte kundër regjimit, por kishte luajtur rol në zgjerimin e rrethit të anëtarëve e simpatizantëve të këtij grupi – dënohet me vdekje, me pushkatim”.
- Ahmet Kurt Pepmarku, dënohet me 15 vjet burg (më vonë vdes në burg).
- Ahmet Sulë Pepmarku, dënohet me 20 vjet burg.
- Fali Dullë Zita, dënohet me 20 vjet burg.
- Sabri Gjongega, dënohet me 5 vjet burg.
Pas këtij dënimi, i cili ishte firmosur më parë në skutat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, të dënuarit në përgjithësi, provuan tortura të panumërta çnjerëzore. Ata që arritën të dalin të gjallë nga burgu dhe më vonë, kur kam pasur rastin t’i takoj, më kanë folur në mënyrë të veçantë, për torturat makabre që janë ushtruar mbi të dënuarit me vdekje, Ibrahim Nezha dhe Osman Pepmarku.
Kështu Ivzi Xhilaga nga Dibra, Preng Arapi nga fshati Zais i Mirditës, Selami Xhydollari nga Pogradeci, Isuf Selmani nga fshati Lis i rrethit të Matit, më kanë treguar mbi torturat rrëqethëse që kanë ushtruar xhelatët mbi dy të lartpërmendurit. Edhe nacionalisti Zef Margjini, në librin e tij të kujtimeve, sjell një fakt interesant e tepër tronditës.
Mes të tjerash ai shkruan: “Nuk mund të lë pa përmendur episodin tragjik të dy shokëve të mi të ngushtë, Ibrahim Nezha e Osman Pepmarku, të cilët pas torturave çnjerëzore të ushtruara ndaj tyre gjatë një viti, i kanë detyruar të hapin një gropë, i kanë hedhur të gjallë në të dhe pastaj u kanë hedhur sipër një zgarë metalike, me kunja të mprehur metalikë që t’u nguleshin në trup. Sipër kësaj zgare kanë hedhur gurë e dhe, dhe kështu i kanë lënë të vdesin”.
Kështu kishte nisur e po vazhdonte masakra e përgjakshme e pushtetit të ri, që e kishte emrin Komunizëm. Por xhelatët nuk do të mjaftoheshin me kaq në krahinën time. “Eklipsi”, do të ishte me qindra herë edhe më tragjik.
Përveç vrasjeve të luftëtarëve nga dyer të njohura nacionaliste, e që i kemi përmendur në fillim të këtij shkrimi, me dhjetëra e dhjetëra individëve të tjerë që ishin shquar si luftëtarë trima në luftën kundër pushtuesve fashistë, komunizmi jo vetëm u mbylli dyert por i përndoqi, i burgosi dhe u vrau edhe gjakun e gjakut të tyre, i internoi nëpër kampet e përqendrimit të ngritura nga vetë diktatura posaçërisht për familjet e heronjve, dëshmorëve dhe trimave të Shqipërisë.
Urrejtja do të arrinte deri atje, sa gjakpirësit e kuq do të merreshin edhe me kullat e këtyre malësorëve. Ashtu siç kanë këngët e baladat, rrëfimet e historitë, njerëzit e shquar ose të rëndomtë, lavdinë ose turpin, edhe kullat kanë një vend aty, mbi kokë të historisë.
Edhe malazezët, serbët e austriakët ishin marrë me djegie kullash. Edhe italianët e gjermanët kishin bërë të njëjtën gjë. Kishin ndjerë të fortat kulla edhe gjylet e topave, edhe bombardimet e avionëve, edhe flakën, edhe tymin, por sa herë digjeshin e shembeshin ato vendroje e simbole qëndrese, prapë ngriheshin, më të forta e më të bukura se të parat. Poeti i lirisë Ali Podrimja, shkruan diku: “…Për shkak të dashurisë, / për shkak të urrejtjes, / babai im e ka ndërtuar një kullë…”.
E kjo sentencë mjaft domethënëse, ky mesazh filozofiko-poetik, ka një të vërtetë të madhe. Nga kullat gjithmonë kanë dalë trima dhe aty janë krijuar e kënduar këngët e trimërisë e të dashurisë. Aty janë marrë vendime, prej aty kanë dalë prijësit popullore dhe aty ka nisur edhe historia.
Komunizmi shkoi edhe më tej. Kullat e ri-ngritura për të disatën herë të familjarëve nacionalistë të krahinës sime, i shembi përsëri, dhe më vonë u hoqi edhe gurët e themeleve, me qëllim që të zhdukte krejt “infeksionin” e nacionalizmës e, në vend të saj, të fuste edhe në rrënojat e tyre, farën e re të komunizmit! Me këtë synonte të kryente ritin e hekurt të nënshtrimit e, të vendosjes së një skllavërimi të ri. Kështu, për disa kohë, diktatura i përdorte për nevojat e veta këto kulla.
Kullën e Menajve në Lurë, e përdorën si bujtinë aksionistësh, ku ka kaluar një natë edhe shkrimtari i shquar, Ismail Kadare, midis studentëve të Universitetit të Tiranës. Më vonë kullën e zhdukën fare, duke i marrë gurët për ngritjen e një shtëpie kulture. Të njëjtën gjë, e bënë edhe me Kullën e Kolajve, në Macukull, të cilën për disa vjet e përdorën si shkollë, dhe më vonë e shkatërruan nga themelet, dhe me gurët e saj, ndërtuan një shkollë të re.
Të njëjtin fat do të pësonte edhe kulla e autorit të këtyre shënimeve, të cilën pasi e përdorën për disa vjet për të strehuar ndonjë familje në nevojë, më vonë e shkatërruan edhe atë, me pretekstin se me gurët e saj, do të ngrinin një ujësjellës për fshatin. Sikur mungonin gurët në ato shkrepa! Po sa e sa kulla, jo vetëm në krahinën time, por në gjithë Shqipërinë, iu nënshtruan këtij fati tragjik?!
Pa gjyq u vranë edhe:
Haziz Kasemi, Tahir Mata, Xhemal Sala, Haziz Suçi, etj. Do të merrnin rrugën e arratisë: Gjon Mëhilli, Zef Margjini, Llesh Nikoll Lleshi, Sadik Skura, Shahin Koleci, Ibrahim Gjokola, si dhe mjaft të tjerë bij të krahinës time, të cilët e kishin jetën të kërcënuar nga murtaja komuniste. Më vonë ata vdiqën larg atdheut e familjeve të tyre, në mërgim.
Po ç’bënë këta njerëz të ndershëm e patriotë, që të përjetonin këtë kalvar të tmerrshëm vuajtjesh e mjerimesh?! I vetmi “faj” i këtyre njerëzve, ishte fakti i të qenit nacionalistë e antikomunistë.
Kaq mjaftonte që cinizmi komunist të nxirrte dhëmbët e veta për ta zhdukur këtë shtresë, që të shpëtonte nga një “e keqe e madhe”. Komunizmi kishte filluar të luftonte traditat e zakonet shqiptare. Kolektivizimi i bujqësisë, grumbullimi i bagëtive të fshatarëve, gradualisht do të bëhej realitet.
Një luftë e ashpër do të zhvillohej kundër besimeve fetare. Do të prisheshin e shkatërroheshin edhe institucionet e tyre si kishat, xhamitë e teqetë.
Kështu, si në mbarë Shqipërinë, edhe në krahinën time terrori i egër komunist pati jetë të gjatë e të rëndë. Për një gjysmë shekulli, malësorët e kësaj treve e përjetuan diktaturën si një eklipsim të jetës dhe të ëndrrave të tyre. Si një barbari të vërtetë…! Memorie.al/ Nga Luftar Pepmarku