Sali Berisha i shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, mund të jetë deputet edhe për të paktën 4 ditë.
Pas 20 qershorit, Komisioni i Mandateve pritet të shpallë zëvendësimin, si pasojë e mos përmbushjes së funksionit të parlamentarit.
Nëse Berishës i digjet mandati, vendin e tij sipas listës mund ta zërë Lediana Frataj. Nëse ajo nuk e pranon mandatin brenda 30 ditëve, karrigia e deputetit do i kalojë emrit tjetër në listë.
Sot jo vetëm deputetë të Foltores, por edhe socialistë kanë hapur fjalë se Berisha nuk mund të përjashtohet pasi mungesa e tij është “me arsye”. Po Parlamenti i ka dhënë tashmë sinjalet se nuk do ta marrë parasysh si arsye këtë mungesë.
Konkretisht, administrata e Kuvendit të Shqipërisë i ka ndërprerë Berishës përfitimet financiare që i takon çdo deputeti, përfshi edhe pagën, pasi ish-kryeministri nuk ka marrë pjesë në asnjë prej seancave plenare, mbledhjet e Komisioneve Parlamentare apo çdo veprimtari tjetër që lidhet me të si ligjvënës.
Vendimi për ndërprerjen e pagesave ka lidhje me vendimin e GJKKO-së. Masa financiare ndaj Berishës nga administrata e Kuvendit është aplikuar që prej janarit 2024, ndoshta si një përllogaritje edhe për kohën se kur ai mund të humbasë mandatin e deputetit, me një mungesë në punimet e Kuvendit prej 6 muajsh.
“Referuar statusit të deputetët dhe vendimi nr. 114/2014 “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”, të ndryshuar deputeti Sali Berisha nuk i paguhen përfitimet si karburanti dhe telefoni për shkak të masës së sigurimit personal të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim nr. 520 datë 30.12.2023”. Kjo ishte ndalesa e parë financiare që u aplikua nga Kuvendi ndaj ish-kryeministrit Berisha.
Çfarë e pret Berishën?
Berisha nuk ka më kohë dhe këtë javë ai plotëson kohën e plotë të mungesës në Kuvend, ç’ka do të thotë se për të nis procedura e humbjes së mandatit të deputetit. “Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. 2.
Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi”, thuhet në nenin 71 të Kushtetutës.
Çfarë ka ndodhur?
Kujtojmë se Sali Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” prej 30 dhjetorit, ditë kur gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, firmosi vendimin që ndaj ish-Kryeministrit të aplikohej masa e “arrestit të shtëpisë”, ndërkohë që më parë ai kishte kundërshtuar ashpër dy nga masat që i kishte vendosur SPAK, detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit.
Berisha pretendonte se masat ishin anti-Kushtetuese, pasi SPAK nuk kishte marrë më parë leje nga Kuvendi për të kufizuar veprimtarinë e tij si deputet. Dhe pasi SPAK kërkoi autorizimin nga Kuvendi që u miratua, Prokuroria Speciale vendosi të aplikojë një masë më shtrënguese, atë të arrestit shtëpiak, që është lënë në fuqi nga të gjitha shkallët e drejtësisë, përfshi edhe Gjykatën e Lartë.
SPAK po heton procedurat e ndjekura për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa fillimisht arrestoi dhëndrin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezin, për të cilin Apeli i GJKKO-së, vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” sikundër kishte firmosur gjyqtarja Irena Gjoka, në “arrest shtëpie”.
Ndaj Berishës dhe Malltezit SPAK po heton për vepra penale të lidhura me pastrimin e parave dhe korrupsionit, të kryera në bashkëpunim./Sot