UVIL ZAJMI
Një shkrim që e pata përgatitur, shkruar, me një angazhim, përkushtim, emocion pak ndryshe nga të tjerë të publikuar në “Panorama”. Si një tregim, rrëfim i veçantë për historinë e asaj familjeje, dy bashkëshortëve, fëmijëve. E nisur në Bashkimin Sovjetik, ardhja, sistemimi dhe jeta në Tiranë pas viteve 60-të. Nga letrat anonime, pastaj drama që papritur i goditi. Por, cila është Zoja Ignatova, studentja e matematikës, e diplomuar me medalje të argjendtë, që la Leningradin për të ardhur në Shqipëri pas dashurisë pasionante me studentin Fuad Bozgo? Nga njohja, dasma në sallën e kulturës, dhe mbërritja në Rinas. Një ngjarje e rrallë, e një gruaje, që aktualisht banon në një apartament pranë “Komunës së Parisit”, që për më shumë se gjysmë shekulli nuk ndahet më Tiranën, dashuria e madh e saj për kryeqytetin, e njëjtë me këngën “Për ty atdhe” të Mentor Xhemalit.
Në pallatin 114 në Rrugën “Konferenca e Pezës”
Me familjen Bozgo, kam qenë në një pallat te ish-Rruga “Konferenca Peza”, (Sot Rruga e Kavajës) thuajse përballë Kishës Katolike, i fundit pas të cilit vjen ish-Stabilimenti “Mihal Duri”, dhe rruga Skanderbeg që të lidh me Rrugën e Durrësit, ku sot janë ambasadat. Me numër 114, vetëm me një hyrje nga mbrapa dhe 12 apartamente, me farmacinë Nr 9 në katin e parë. Një pallat pesëkatësh ku banonin familje të njohura në Tiranën e atyre viteve, si ajo Panariti, e intelektualit Vandush Vincani me gruan e tij Vitore, ajo e polifamiljes së muzikantëve Berati, e dy familjeve tradicionale elbasanase Sabri Bebeti e Dervish Lisi, ajo tipike vlonjate Leskaj, kur e moshuara e saj i kishte pozuar babait tim piktor të realizonte portretin e një “Gruaja labe”. Pastaj familja fisnike Dibra, ajo e agronomit Çoka, dhe familja Brahimaj. Familja Bozgo, banonte në katin e pestë. Fuadi, intelektual, i diplomuar në Bashkimin Sovjetik, punonte në Radio Tirana, bashkë me gruan Zoja, ruse, dhe dy fëmijët, Arturin e Dianën.
Me djalin Artur, thuajse moshatar, si edhe me fëmijët e tjerë të pallatit luanim në fundjavë gjatë kohës pushimeve. Zoja një grua sa fisnike, aq e thjeshtë, sa e sjellshme, aq e edukuar, e thjeshtë, i zbriste i ngjiste shkallët pa zhurmë, duke i respektuar të gjithë, përshëndeste me një buzëqeshje bujare, edhe nga fakti se fliste pak shqip. Një familje model, e fokusuar në punë, shtëpi, tejet korrektë. Pedagoge, model edhe në universitet. Pas viteve 70-të, papritur familja Bozgo do të largohej nga pallati ynë, madje edhe nga Tirana. I transferuan në Elbasan. Kujtoj se për banorët ishte një befasi, por u fol për qarkullim kuadri, siç veprohej atëherë, në ato fushata lëvizjeje të intelektualëve, artistëve, punonjësve, zyrtarë të lartë, bashkë me familjet e tyre. Për disa dhjetëvjeçarë, humbi kontakti, nuk u pamë, ndonëse në kujtesë më qëndronin gjithmonë ata njerëz. Fuati trup madh, dhe Zoja, me, siluetën elegante të saj.
Po kështu edhe Arturi me Dianën. Dija që prej vitesh jetonin, punonin në Elbasan. Por, pa mundur të takoj asnjërin prej tyre. Aq më shumë pas 90-tës i mendova të larguar nga Shqipëria, veçanërisht Zojën e rikthyer në Rusi. Rastësisht, nga Elvira Dibra, ish-komshien e pallatit, u informova se nga familja Bozgo, vetëm Zoja banonte në Tiranë. Komunikuam në telefon dhe u takuam pa humbur kohë. E njoha menjëherë kur po vinte, pak kishte ndryshuar ndonëse i ka kaluar të 80-t, por që nuk e tregonte, përkundrazi, tejet e mbajtur fisnike, aktive, energjike si vite më parë, me një kulturë dhe kujtesë brilante për të përcjellë ngjarje, data, emra, si rrallë bashkëmoshataret e saj. U ulëm dhe shumë shpejt filloi biseda me Zojën, që ruante hijen e një gruaje Zonjë, e matur, karakteristika që më sillnin gruan që kisha njohur gjysmë shekulli më parë. Dhe, me një shqipe të pastër, nisi të rrëfen jetën si një vallëzim i “Kalinkës”, nga i pari në tavernën e Dajti për Vitin e Ri 1958, tek i fundit me pensionistët më 2005.
Një jetë shumë ndryshe, me ngjitje e zbritje, për të familjen, bashkëshortin, fëmijët, por pa u ankuar. Një bisedë e gjatë si hera e parë. Pata emocion, pasi më riktheu te prindërit e mi, kujtoj marrëdhëniet, konsideratat, vlerësimet për të gjithë ish-banorët e pallati, edhe pse kishin kaluar shumë vite dhe shumë pak kishte informacion për to. E ndërsa biseda vijonte duke më befasuar, nisur nga jeta e saj, nga ai shkëlqim, një vajzë e re, e bukur, e dashuruar me një djalë simpatik shqiptar, pastaj udhëtimi, largimi nga vendlindja, vitet e punës, si pedagoge në universitetin e Tiranës. E respektuar, e vlerësuar nga studentë stafi pedagogjik. Pastaj largimi nga Tirana, drama që I shkaktuan, dhe që e goditi moralisht, pasojat dhe jeta krejt ndryshe në një qytete tjetër, të panjohur për të.
Një rrëfim që edhe pse kanë kaluar dhjetëvjeçarë, më trishtoi ndërsa e dëgjoja ato çfarë ajo, bashkëshorti, fëmijët përjetuan. Por, fisnikëria që transmetonte, Zoja nuk kishte, nuk mbante, përcillte edhe sot asnjë urrejtje. Përkundrazi dashuri të madhe për jetën, njerëzit, miqtë, ish-kolegët, në universitetet ku dha mësim, qytetarët elbasanas për çfarë i ofruan, si e trajtuan ku punoi e jetoi në vite. Jeta pas 90-të, kthimi në Tiranë dashuria për kryeqytetin, që nuk e zëvendësonte me asgjë tjetër. E vetme, sepse, bashkëshorti ka vite që është ndarë nga jeta, dhe dy fëmijët nuk i ka pranë. Arturi jeton në Greqi, dhe Diana prej vitesh e transferuar me familjen në ShBA. Mban lidhje me to, shkon vjen, në Greqi, deri edhe në New York, për t’u kthyer në apartamentin e saj, në Tiranë.
INTERVISTA
Znj, Bozgo, mund ta fillojmë nga rinia, familja juaj?
Familja ime vinte nga koha e luftës, një periudhë tejet problematike në çdo drejtim. Ishim katër motra, unë Ludmilla, Jelena, Nadjezhda dhe vëllai Genadi, pra pesë fëmijë. Babai merrej me tregti, ndërsa nëna ishte përgjegjëse në një konvikt. Në tetëvjeçare shquhesha në atletikë, po kështu edhe në gjimnaz, ku merrja pjesë në garat e qytetit, ato studentore. Pastaj në Universitet, zgjodha degën e matematikës, ndonëse jo e lehtë por më pëlqente. Nuk kisha frikë nga vështirësitë.
Si u njohët me Fuadin?
Fuadin e kam gjetur në Leningrad. Kishte dy vite që kishte ardhur për studime në degën Letërsi-Gazetari në Universitetin “Zhdanov” të Leningradit, të cilin e kishte filluar në vitin 1951, për ta vazhduar deri më 1955 kur e përfundoi. Ndërsa unë vija nga Mcensk i Qarkut të Orrej, që në shqip do të thotë shqiponjë, qytet rreth 900 km larg Leningardit. Kur unë shkova atje, ai ishte në vitin e dytë. Fillimi i një jete ndryshe për ne, ku çdo gjë ishte e re. Mënyra e jetës, larg familjes, shkolla, mjedisi, njerëzit, studentët, pedagogët, njohjet, konvikti, gjithçka.
Ka një trokitje në derë, që ju tremb?
Në konvikt ishim gjashtë studente në një dhomë, pasi të tilla ishin rrethanat, kushtet ku jetonin vajza e djem, të huaj, por edhe rusë që njiheshin midis tyre. Në një kat djemtë dhe në një tjetër vajzat. Dhoma e Fuadit ishte mbi ne, bashkë me një shqiptar, Petrit Mëzezi. Kujtoj se ishin edhe pesë të tjerë, një polak, një vietnamez, një tjetër. Sapo kishte filluar viti i dytë dhe ishim kthyer nga një aksion, isha vetëm kur më bie dera e dhomës. Hezitova për një çast.
Dhe e hapët, ka një befasi për ju?
Shoh një djalosh biond, që më thotë se “takova kujdestarin e më tha për të ndërruar mbulesën”. Nuk mund të shpreh asgjë lidhur me çfarë po më kërkoni ju, pasi nuk jam kujdestare – përgjigjem – dhe nuk pranova.
Një kontakt i parë, me një ndarje të ftohtë, si vijoi më pas?
Por, ajo që na afroi ishte kur organizonim gatimin, drekën. Duke qenë një grup prej shtatë studentësh, mblidhnim lekë duke dhënë një kuotë dhe çdo drekë gatuanim vetë në kuzhinën e katit të dytë. Aty filluam të njiheshim më mirë, të takoheshim më shpesh, të tregonim, bisedonim. Janë marrëdhënie që vetëm studentët mund t’i krijojnë e të kuptohen ndërmjet tyre, pavarësisht se ishim nga shtete, tradita, kultura të ndryshme.
Ka një problem, që është gjuha e juaj, si komunikonit?
Ndonëse në Shqipëri, ai kishte marrë njohuritë e para, kur erdhi në Leningrad Fuadi filloi kurse intensive të gjuhës ruse. Dhe në pak kohë, përvetësoi fjalë, shprehje, me të cilat nisi një komunikim normal. Sigurisht që gjuha, gramatika ruse nuk ishte e lehtë, përkundrazi e vështirë.
Ka momente që edhe ju shqetësojnë?
Patëm filluar të qëndronim e të preferonim njëri-tjetrin. Por një ditë u grindëm keq. “I shkreti ai burrë që do të të marrë për grua”, – më tha. U mërzita, i mbajta pak qëndrim, por çdo gjë kaloi. Pa e ditur se ai burri do të ishte Fuadi vetë, ndërsa unë gruaja e tij.
Cilat ishin arsyet, çfarë ju shtyu te Fuadi?
Kishim dy vite që rrinim bashkë. E njoha si njeri, u sigurova për besnikërinë e tij. Më kishte treguar për vegjëlinë, rininë, kur vetëm 10 vjeç pati marrë pjesë, kur Liceu francez në Korçë shpallte një konkurs. Nisja me një kampion nga Gjirokastra për në Tiranë ditën e konkursit, pastaj hartimi me temë për atë moshë: “Si do të veproni ju, fëmija i vogël, nëse do gjeni një të verbër në rrugë?”. U bë hartimi, ardhja e përgjigjes zgjati pak, dhe Fuadi kishte fituar. Vajti në një vit në Korçë, ku mori një arsimim, edukim total. Atje fitoi një eksperiencë të rëndësishme të jetës. Ishte vetëm 10-11 vjeç. Te ai pashë gjithashtu njeriun që do të dinte të përballonte jetën.
Mendoni për martesë, një vendim i vështirë?
Ideja për t’u martuar me një shqiptar ishte shumë e vështirë, një gjë e madhe, për nga mentaliteti, kushtet, etj. Deri në fillim të viteve 50-të edhe për shqiptarët nuk lejoheshin martesat me të huajt. Edhe për mua Fuadi duhet të merrte leje nga qeveria shqiptare. Unë gjithashtu e kisha shumë problem me prindërit e mi, ku do të shkosh, si do të largohesh e ke menduar mirë më thoshin. Por, është mosha, romantika e rinisë që nuk të ndalon për asgjë.
Çfarë dasme ishte, si u zhvillua ajo?
Një dasmë studentore nëse do ta mblidhja në dy fjalë. Atje e bëmë edhe celebrimin me studentët e tjerë që ishin dëshmitarë. Dasmën e organizuam në një dhomë të madhe në sallën e kulturës. Ai kishte sjellë grupin e tij, unë timin. Mua më erdhi mamaja me motrën, Ludmilla. Bashkë qëndruam një javë. Pas një muaji e gjysmë Fuadi iku. Dy vjet ndenjëm bashkë, unë qëndrova, ndërsa ai erdhi në Tiranë.
Pse nuk erdhët edhe ju me të në Shqipëri?
Duhet të përfundoja Universitetin. Komunikonim me letra, ndonjë telefonatë, dhe jemi takuar pas dy vitesh. Ndërsa po bëhesha gati për të ardhur më vjen një telegram “mos u nis se do vij vetë”. U shqetësova, por, më pas u informova se ai do vinte me shërbim në Festivalin e Rinisë Studentore në Moskë, që u zhvillua në vitin 1957.
Si e kujtoni atë takim?
Ka qenë kohë e bukur atë ditë, i dhanë një veturë në dispozicion dhe u vendos në një hotel. Me delegacion shqiptar ishte Ferhati, punonjës i Radio Tiranës, Eleni Lluka studente dhe këngëtare në korin e Universitetit me të cilën edhe sot ruajmë miqësinë, edhe pse ajo jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas mbarimit të Festivalit Fuadi duhet të qëndronte edhe një javë, ndërsa delegacioni u kthye me anije. Ai më tha të nisesha në Shqipëri me grupin, por jo iu përgjigja unë jam vetëm, udhëtim i gjatë, hera e parë, nuk njoh njeri. Dhe nuk u nisa me anije. Në Tiranë erdhëm bashkë me avion. Në Rinas ishin mbledhur për të na pritur të afërm të tij. Ka qenë gusht i vitit 1957.
Cila ishte përshtypja e parë për Tiranën?
Kur mbërritëm në Tiranë, kujtoj me avion Tu-104, të kompanive ruse, udhëtim tejet i gjatë, i lodhshëm, hera e parë për mua. Në aeroportin e Rinasit, Gjoni, kunati i Fuadit, funksionar i rëndësishëm në Ministrinë e Brendshme, na vuri në dispozicion një veturë për të na pritur. Pak njerëz në atë kohë, që lëviznin, ndonëse në avion ishin edhe udhëtues të tjetër shqiptarë. Nuk pata kontroll, pak bagazhe kisha marrë me vete. Vetëm pasaportën paraqita, dhe kalova. Ai i kishte dhënë urdhër shoferit t‘i çosh sa më shpejt se janë të lodhur. Dhe shoferi, duke ndjekur urdhrin ju fut rrugicave te Tiranës të viteve 50. Një tmerr i vërtetë, në atë kontakt të parë, ku kam ardhur thosha me vete? Kur e mori vesh Gjoni këtë histori, çfarë nuk i tha të shkretit shofer.
Sistemimi dhe angazhimi me punë?
Fuadi e kishte familjen në Durrës, ndërsa vetë jetonte dhe punonte në Tiranë, në Radio. Në ato fillime, por edhe në tre vite e gjysmë që vijuan familja e Fuatit dhe kryesisht kunata, Hiqmeti, na hapi shtëpinë, tek ato kam qëndruar te pallatet italiane anës Lanës. Emri i vjehrrës ishte Azime por e thërrisnim Ane. Një grua e rrallë gjirokastrite dhe e bukur. Dikur e kërkuan për nuse nga familja Topulli, për djalin e tyre Çerçiz. Nuk më lanë të shkoja në hotel. Ndërsa punë fillova pas dy javësh në universitet. Flisja pak shqip, ndërsa për Shqipërinë dija shumë, pasi më kishte përgatitur Fuadi me informacione para se të vija.
Vjen prezantimi, njohja e parë me mjedisin arsimor shqiptar?
Me Hasan Dumën, që ishte zv.rektor ka qenë prezantimi i parë. “Është degë e vështirë më tha. Nuk jam në gjendje të jap mësim iu përgjigja. Kam frikë nuk kam as një muaj që kam dalë nga bankat e shkollës iu përgjigja shumë e rezervuar. Në katedër ishin profesorë të nderuar si Qazim Turdiu, Kristaq Fundo, Petraq Pilika, Osman Kraja, Aleko Minga. Më vendosën të punoja në laborator.
Kryesore është gjuha shqipe, si vepruat, cili ishte angazhimi?
Fillova të mësoj vetë shqip. Romani i parë që kam lexuar ka qenë ai i Martin Larmit “Rruaza e Pestë”, përkthyer nga Lili Bare, me të cilën kisha miqësi që në Rusi, pasi atje është diplomuar. Por, mbaja shënime gramatikore, merrja në mënyrë sistematike njohuri të gjuhës shqipe nga libra. Më ndihmonte edhe gramatika e gjuhës gjermane pasi gjermanisht kisha studiuar në Universitet. Kështu vazhdoja të lexoja në shqip, dhe në vitin e dytë nisa të jap mësim.
Ka kërkesa për ju, por ju keni tjetër dëshirë?
Më kërkuan të jepja rusisht dhe matematikë në shkollat e mesme, por dëshira, ambicia ime ishte për në Universitet pasi aty kishte nevojë për kuadro. Katedra e matematikës me pedagogë të zgjedhur, ishte një kolektiv i shkëlqyeshëm, në të njëjtën moshë, punonim pa u lodhur dhe familjarisht të lidhur.
Znj. Bozgo, si vishej, cila ishte moda e një gruaje moderne ruse në Tiranë?
Jo vetëm në veshje, por kisha krijuar shumë miqësinë me dy gratë e permanentit Ankën dhe Luçin. Ndërkohë, në ato vite funksiononin disa dyqane me mallra, copa, që vinin nga jashtë, kryesisht nga shtete lindore. Si dhe një dyqan ku mund të blije me valutë. Më pas, u lidha me Konomin, një rrobaqepës, ku qepja gjithçka timen. Ndërsa në pallat ku banoja një kat poshtë meje ishte Nedo, një rrobaqepëse, grua e mrekullueshme. Shumë pak gjëra pata marrë nga Rusia dhe që më pas nuk i kërkoja familjes të më dërgonin. Mbaja një varëse të rinisë, që nuk e hiqja nga qafa.
Shpejt jeni edhe nënë, me djalin, fëmijën e parë
Në vitin 1958 linda djalin dhe emrin Artur ia vuri kunata. Ndërsa Diana, që lindi disa vite më vonë, ishte dëshirë e vjehrrës. Në universitet, asnjëherë nuk merrnim raporte kur kishim fëmijët e sëmurë, pasi ndihmonin njëri-tjetrin. Me fëmijët sigurisht që flisja në shqip, aq sa mundesha, kurse me Fuadin më shumë në rusisht. Siç thashë, në vitet e para, më pas ishte e domosdoshme të komunikoja në shqip, jo vetëm në marrëdhëniet në universitet, me kolegë e studentë, por edhe me komshinjtë, shitëset, që me respektonin, sa herë që futesha në to. Po kështu edhe banorët përreth.
Ktheheshit në Leningrad, në familjen tuaj në ato vite?
Në vitin 1957 kisha qenë vetëm një herë, pasi kështu e planifikonim, një herë në dy vjet. Pra më takonte më 1961. Pikërisht në atë vit, ndonëse isha me shtetësi ruse, mu refuzua kërkesa, duke më detyruar ta anuloja udhëtimin. “Nuk mund ta shpjegoj arsyen më thotë Fuadi, cili kishte informacion për çfarë po ndodhte me marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Nuk duhet të nisesh dhe për rrjedhojë nuk udhëtova.
Vijon numrin e ardhshëm…