Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se vendimi për t’u divorcuar nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është tërësisht politik.
Në mbledhjen e kryesisë politike, ai sqaroi opinionin publik se pse është detyruar të marrë këtë vendim të vështirë, por siç u shpreh është objektiv.
Sipas Ilir Metës kanë qenë qëndrimet e vazhdueshme të Kryemadhit në krah të kundërt të kauzave që ai mbron që siç thekson Meta “krijojnë paraqitësi në publikun e gjerë”.
“Dua të bëj një sqarim publik lidhur me vendimin tim të djeshëm. Ju jeni njohur me vendimin për divorcin, ky vendim ka qenë më i vështirë në jetën time, por është objektiv dhe nuk është as i rastësishëm dhe as i çastit. Është i motivuar nga ndarje të papajtueshme, që lidhen me kauzat e mëdha që unë mbroj dhe janë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët sot dhe përgjithmonë.
Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të fortë që nga vendimi i saj si kryetare e LSI, për djegien e mandateve që u morën dhe sakrifica dhe gjak në një betejë të hapur me koalicionin e madh anti LSI dhe anti Meta të 17 majit.
Qëndrimet e vazhdueshme të saj në krah të kundërt të kauzave që unë mbroj dhe që krijojnë paraqitësi në publikun e gjerë duhet të merrnin fund dhe vendimi im i jep fund cdo paqartësie, dileme dhe stresi sistematik të panevojshëm.
Unë mirëkuptoj çdo reagim emocional, por përgjegjësitë e mia publike janë të gjera dhe detyrimet e mia lidhen me kontributin dhe sakrificat e njerëzve që kanë besuar tek Ilir Meta.
Ky vendim i imi nuk lidhet me raportet më të si grua apo si nënë e tre fëmijëve tanë të mrekullueshëm.
Nuk po ndahem me një grua për një grua tjetër, por për të përmbushur kauzat që unë mbroj, që kjo marrëdhënie ishte pengesë serioze”, u shpreh Ilir Meta.
Ilir Meta i kërkoi një ndjesë të gjithë njerëzve të afërm, por mbi të gjitha tre fëmijëve që ish-çifti Meta – Kryemadhi kanë.
“U kërkoj shumë ndjesë tre fëmijëve të mi të mrekullueshëm për shqetësimet që kanë përjetuar në mënyrë të padrejtë. U kërkoj ndjesë edhe njerëzve të mi të afër dhe sidomos dy prindërve të mi të mrekullueshëm, por ata me kanë edukuar me ndjenjën e detyrës dhe unë besoj në mirëkuptimin e tyre“, tha Meta.