Nga muaji Korrik e në vazhdim, emigrantët shqiptarë në Itali do të përfitojnë nga marrëveshja e pensioneve.
Shteti italian do të njohë dhe do të llogaritë kontributet shoqërore që këta emigrantë derdhin nga puna e tyre për efekt pensioni. Dokumenti i plotë i marrëveshjes, tashmë është botuar në fletoren zyrtare, i ratifikuar nga të shtetet.
Emigrantët shqiptarë që janë në prag pensioni mund të aplikojnë pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Itali. Rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Itali, por edhe shtetas italianë që janë të vendosur prej vitesh në Shqipëri, pritet të përfitojnë nga njohja reciproke e pensioneve.
Marrëveshja bën të mundur që të mos humbasin vitet e kontributeve dhe shtetasit të përfitojnë pension nga të dyja vendet. Një person që ka 10 vite pune në Shqipëri dhe 15 vite pune në Itali, mund të përfitojë një pension në Shqipëri dhe një pension në Itali për ato 15 vite që mund të ketë derdhur kontribute atje.