OSHEE Group ka bërë me dije se sikurse ishte parashikuar, vendi ynë është gjendur në kushte atmosferike të këqija, karakterizuar me reshje të dendura shiu, shoqëruar me breshër, erë e fortë dhe shkarkesa atmosferike.
Sipas njoftimit ekipet e OSSH ndodhen në gatishmëri të plotë dhe kanë reaguar në kohë për rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
“Sqarojmë se kohëzgjatja e rregullimit të avarisë varet nga kushtet e motit, ndaj kërkojmë mirëkuptimin e klientëve tanë’, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në informacionin e publikuar theksohet se të gjithë linjat e Tensionit të Lartë 35kV, Nënstacionet si dhe Fiderat Tensioni/Mesëm 20/10/6kV që furnizojnë me energji elektrike Hidrovorët dhe institucionet e rëndësishme, ndodhen në funksion të plotë.
OSHEE informon se sa i takon furnizimit me energji elektrike në tërësi, probleme të theksuara janë shfaqur në rajonet Shkodër, Burrel dhe Krujë, për të cilat po merren masa nga ekipet e terrenit.
“I bëjmë thirrje konsumatorëve t’i drejtohen kanaleve tona të komunikimit, si dhe numrit unik call center 042274141 për të raportuar problematika të furnizimit me energji elektrike”, shkruhet në njoftim.