BallinaEkonomiBB: Shqiptarët shpenzojnë në një vit 700 – 750 milionë dollarë nga...

BB: Shqiptarët shpenzojnë në një vit 700 – 750 milionë dollarë nga xhepi për shëndetin

spot_img
spot_img

Si një vend në zhvillim, Shqipëria ka shpenzime të ulëta për frymë për shërbimet shëndetësore, përfshi edhe medikamentet, por pagesat nga xhepi janë në nivele shumë të larta për një vend që ofron shëndetësinë falas.

Sipas të dhënave nga databaza e Bankës Botërore në vitin 2021, shpenzimet për frymë për shëndetin në Shqipëri ishin 465 dollarë. Nga kjo shumë, po sipas BB, 59.7%, ose 277 dollarë për frymë janë shpenzime për frymë nga xhepi.

Në total për një popullsi prej rreth 2.7 milionë banorësh, shpenzimet nga xhepi për vitin 2021 ishin rreth 750 milionë dollarë. Nëse do të llogarisim një popullsi rezidente rreth 2.5 mln banorë, sërish shpenzimet nga xhepi për shëndetin nuk janë më pak se 700 milionë euro në vit.

Sipas metodologjisë së Bankës Botërore, Shpenzim nga xhepi është çdo shpenzim i drejtpërdrejtë nga familjet, duke përfshirë shpërblimet dhe pagesat në natyrë, për praktikuesit shëndetësorë dhe furnizuesit e produkteve farmaceutike, pajisjeve terapeutike dhe mallrave dhe shërbimeve të tjera, qëllimi kryesor i të cilëve është të kontribuojnë në rivendosjen ose përmirësimin e gjendjes shëndetësore. të individëve ose grupeve të popullsisë. Këto janë pjesë e shpenzimeve private për shëndetin. Këto shpenzime maten përmes pyetësorëve kombëtarë më familjet.

Pagesat neto nga xhepi po rriten vitet e fundit për shkak se gjithnjë e më shumë po shtohet popullsia që ka nevojë për mjekim.

Plakja e popullsisë dhe pandemia Covid-19 kanë rritur numrin e të sëmurëve kronikë, të cilat kanë nevojë për më shumë se një trajtim.

Medikamentet shpesh blihen nga xhepi në farmaci. Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se importet e ilaçeve janë rreth 26-28 miliardë lekë në vit, duke u shtuar dhe marzhin e shpërndarjes me shumicë dhe pakicë (25%) vlera finale arrin në 35 miliardë lekë.

Nga kjo shumë, rreth 12 miliardë lekë rimbursohet nga shteti (kryesisht për pensionistë apo të sëmurë kronikë), ndërsa qytetarët mbulojnë me shpenzimet e veta rreth 23 miliardë lekë në vit (rreth 230 milionë dollarë). Ka dhe medikamente që hyjnë kontrabandë dhe janë të shtrenjta, që nuk regjistrohen në shifrat zyrtare.

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm njoftoi se sëmundjet kronike janë duke u rritur me shpejtësi, teksa fondet për rimbursimin e medikamenteve nuk kanë qenë të mjaftueshme në vitin 2023.

Në mes të vitit 2023, qeveria e rriti buxhetin për rimbursimin e medikamenteve në 12 miliardë lekë nga 11,4 miliardë lekë, që ishte në fillim të vitit, por as këto nuk ishin të mjaftueshme dhe janë gjeneruar detyrime të prapambetura.

Në fund të vitit, nga listë-treguesit e pranuar për rimbursimin e barnave dhe pajisjeve mbetën papaguar rreth 796 milionë lekë. Krahasuar me vitin e mëparshëm, detyrimet e fundit të vitit u rritën me 5.8%, ose për vlerën 673 milionë lekë, deklaron FSDKSH.

Në listat e rimbursimit shpesh janë medikamente që nuk janë efektive, duke bërë që shumë qytetarë t’u drejtohen farmacive.

Gjithashtu për shërbimet shëndetësore në spitalet publike qytetarët paguajnë nga xhepi. Kjo shumë është praktikisht e pamatshme, teksa pagesa nga xhepi është kthyer në një kulturë në sistemin shëndetësor, me perceptimin se përndryshe nuk e merr shërbimin e kërkuar.

Hetimet e fundit të Prokurorisë së Tiranës madje zbuluan raste kur pacientët orientoheshin të blinin ilaçe që duhet ti merrnin në spital, apo detyroheshin që të kuroheshin në klinika private.

Një pjesë tjetër e popullsisë, që ka mundësi financiare i drejtohet spitaleve private, të cilat dekadën e fundit u shtuan me shpejtësi, pasi panë shpenzimet e larta të shqiptarëve për tu kuruar jashtë vendit, kryesisht në Turqi apo Greqi.

Të dhënat e tjera të Monitor, të përpunuara nga bilancet zyrtare bëjnë të ditur se qarkullimi vjetor i pesë spitaleve kryesore private në vend në vitin 2021 ishte 120 milionë dollarë, të nxitura nga pandemia, për të rënë më pas në rreth 100 milionë dollarë në 2022 (shiko grafikun e të ardhurave të spitaleve private kryesore).

Krahas shpenzimeve në spitalet private në vend ka shumë që u drejtohen dhe spitaleve jashtë vendit, si në Itali, Turqi, Greqi apo dhe Gjermani në kërkim të një shërbimi më cilësor, që nuk ofrohet në vend, sidomos në shërbimin publik shëndetësor. Edhe këto shpenzime janë praktikisht të pallogaritshme.

Rritja e shpenzimeve nga xhepi

Të dhënat e Bankës Botërore, që i referohen Organizatës Botërore të Shëndetësisë, bënë të ditur se përgjatë 20 viteve të fundit shpenzimet për shëndetin nga xhepi janë rritur.

Në vitin 2000, për çdo 100 lekë të shpenzuara për shëndetin, 46.5 lekë ishin nga financimet e brendshme të qeverisë për këtë zë, 1.7 lekë nga burime të jashtme dhe 51.8 lekë nga vetë xhepat e qytetarëve, sipas të dhënave nga Banka Botërore, që i referohet Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Dy dekada më vonë, pavarësisht investimeve të shumta, shpenzimet për shëndetin jo vetëm që nuk kanë shënuar përmirësim, përkundrazi qytetarët, të cilët paguajnë 3.4% të pagës si tatim për sigurimet shëndetësore, kanë paguar gjithnjë e më shumë nga xhepi. Të dhënat e Bankës Botërore referojnë se në vitin 2021, për çdo 100 lekë të shpenzuara për shëndetin, shqiptarët paguan nga xhepi rreth 60 lekë, ose 60%, rreth 8 pikë përqindje më shumë sesa në vitin 2000.

Në krahasim me gjithë vendet e tjera të Europës (pa përfshirë ish shtetet e bashkimit Sovjetik), Shqipëria mban rekord për shpenzimet nga xhepi.

E dyta pas nesh është Maqedonia e Veriut, me 41.7%, e ndjekur nga Mali i Zi (38.1%), Serbia (35.8). Treguesi më i ulët në rajon është në Bosnjë-Hercegovinë (30.7%), ndërsa të dhënat për Kosovën mungojnë.

Burimi: QKB, përpunime të Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular