Dy ndeshje pezullim nga UEFA pas thirrjeve kundër serbëve dhe maqedonasve, në përfundim të ndeshjes me Kroacinë, ku iu bashkua me megafon korit të Tifozëve Kuqezi, duket se nuk kanë zgjidhur problemet për sulmuesin e Kombëtares, Mirlind Daku.
Mediat serbe e kanë kryqëzuar duke kërkuar nga UEFA dënim edhe më të ashpër për të dhe sikur të mos mjaftonte kjo, në Rusi një brigadë ushtarake e ka kërcënuar hapur sulmuesin nga Gjilani.
Duke qenë se Daku është pjesë e ekipit të Superligës ruse, Rubin Kazan, brigada vullnetare e ushtrisë ruse e quajtur “Espanyola”, e cila përbëhet nga tifozë të klubeve të futbollit dhe është aktive në frontin e luftës në Ukrainë, e ka vënë në shënjestër 26-vjeçarin.
Në një reagim të tyre në rrjetet sociale, “Espanyola” të cilët po luftojnë rreth Uglejdarit, në rajonin e Donbasit, mbi foton e Dakut ka vendosur objektivin e një snajperi, ndërsa i bëjnë thirrje që të mos kthehet më kurrë në Rusi.
“Siç e dini, lufta në Jugosllavi në vitin 1991 filloi me futbollin. Lufta moderne, e cila po zhvillohet në territorin e ish-Ukrainës si pjesë e Operacionit Special Ushtarak, ishte pa futboll, derisa Espanyola solli sportin tonë të preferuar në Donbass. Tani të gjitha ndeshjet më interesante zhvillohen pranë Chasovo Jaro. Edhe pse nuk ndjekim se çfarë po ndodh në EURO 24, na vijnë disa lajme.
Dhjetëra lidhjet tona të yjeve në vijën e parë po funksionojnë siç duhet. Kështu u tronditëm shumë kur dëgjuam se një lojtar i Rubin Kazanit me origjinë shqiptare, që luan në ligën tonë, pati guximin të këndonte me megafon dhe të bënte thirrje për vrasjen e serbëve. Ai ka diçka kundër të gjithë vëllezërve tanë ballkanas… Espanyola i drejtohet Dakut. Ne do të jemi të prerë. Më mirë të mos kthehesh në Rusi! Asnjë falje nuk do të ndihmojë këtu. Është shume vonë. Mirupafshim!”, shkruhet në mesazhin për futbollistin shqiptar, publikuar në Telegram.
Daku për momentin është rikthyer bashkë me lojtarët e tjerë të Kombëtares kuqezi në Tiranë, ndërsa pritet që edhe klubi i tij të gjobisë lojtarin, edhe pse trajneri e mori në mbrojtje në një prononcim për mediat duke e cilësuar gabim në kushtet e një ngarkese emocionale atë që ndodhi në stadiumin e Hamburgut.
Sakaq, babai i futbollistit, Fehmi Daku, ka bërë disa deklarata për mediat ruse duke kërkuar falje për veprimet e të birit. Edhe vetë Mirlind Daku ka shprehur keqardhje për atë që ndodhi, duke nënvizuar se ishte e ndikuar nga atmosfera festive me tifozët.