Italia do të përballet ditën e nesërme në orën 18:00 kundër Zvicrës në “Olimpiastadion” të Berlinit, takim i vlefshëm për raundin e 1/8-ave të Kampionatit Europian 2024. Në prag të takimit, trajneri i “axurrëve”, Luçiano Spaleti, ka dalë në konferencën për media ku ka folur në lidhje me këtë përballje vendimtare:
“Të gjithë e mbajnë mend kur ne fituam Botërorin në Berlin në vitin 2006. Në stafin teknik ne kemi një legjendë si Xhixhi Bufon, që ua ka kujtuar të gjithëve atë moment. Ne e kemi përjetuar edhe njëherë gjithë emocionin që e kishim duke e parë edhe njëherë ndeshjen.
Bastoni është në rregull. Ai u trajnuar me ekipin dhe na lehtësoi pak situatën. Dimarko nuk është i gatshëm, ai nuk do të luajë. Mbrojtja me 4? Ne do të luajmë me diçka të ngjashme.
Ne duhet të bëjmë më shumë se çka kemi bërë deri tani, që të mund t’i bëjmë italianët krenarë. Shorti na vuri në një grup të vështirë dhe lojtarët nuk u përshtatën. Tani pres t’i shoh lojtarët më të relaksuar sepse është një ndeshje me eliminim direkt. Nuk ka justifikime, koha për të bërë diçka është tani. Ne vetëm do të shkojmë në raundin tjetër nëse e fitojmë sfidën.
Nuk e kemi treguar potencialin tonë deri më tani, ose e kemi bërë në disa momente të vogla. Ne e merituam kualifikimin edhe pse shënuam në fundin e lojës, por duhet ta marrim si mësim, sidomos në aspektin e personalitetit.
Trajneri i Zvicrës është shumë i mirë. Ju mund ta shikoni sa të organizuar janë kur shkelin në fushë. Ata janë kualifikuar, kanë fuqi. Ata kanë lojtar të shkëlqyer si Xhaka. Por mendoj se mund të përballemi denjësisht me ta nëse japim më të mirën tonë.
Skamaka ka potencialin t’i bëjë dëm çdo skuadre. Ai mund të shënojë në çdo moment sepse ka kreativitet dhe fuqi. Nuk kam trajnuar shumë lojtar si puna e tij me atë lloj goditjeje. Disa herë kam qeshur me të duke i thënë se është përtac. Në realitet ai stërvitet shumë, por duhet të përmirësohet kur nuk e ka topin në zotërim. Nuk e di kush do të jetë titullar midis tij dhe Reteguit, por të dy do të jenë të pranishëm.
Mançini do të zëvendësojë Kalafjorin sepse ai e ka eksperiencën e duhur për duele si ajo e nesërmja.”