BallinaOP EDOnkologjiku, grupi i strukturuar grabitqar!

Onkologjiku, grupi i strukturuar grabitqar!

spot_img
spot_img

NGA ARIAN GALDINI 

Në janar 2015, kur bëra denoncimin tim tek emisioni “Opinion” i Blendi Fevziut në TV “Klan” për rastin e të afërmit tim të diagnostikuar asokohe me kancer, nuk e dija se do të hapja kutinë e Pandorës.

Vetëm pasi kam dalë nga ajo studio, kam kuptuar se çfarë mynxyre do të mësoja se ishte realiteti me sistemin mizor shëndetësor në Shqipëri dhe me mafien e ilaçeve.

Përtej rastit tim familjar, mua prej asaj dite nuk reshtnin së më ardhuri mijëra mesazhe nga qytetarë nga çdo cep i Shqipërisë, të cilët denonconin rastet dhe përjetimet e tyre përballë portave të ferrit të shëndetësisë shqiptare.

Për 3 muaj, ajo betejë me mafien farmaceutike që unë si qytetar po zhvilloja, buçisnin lajmet, televizionet, gazetat e madje edhe në Kuvendin e Shqipërisë, “rasti Galdini” ishte bërë kryefjalë e liderëve të opozitës.

U desh dalja e Tom Doshit në mars 2015 me denoncimin e tij për “porosinë e vrasjes së tij” nga Ilir Meta, që “rasti Galdini” dhe beteja ime me mafien farmaceutike të zhdukej nga mediat dhe debati parlamentar.

Prej asaj dite, edhe Arian Galdini, edhe beteja e tij me mafien farmaceutike u kaluan në terr total, e madje unë u dënova me harresë absolutisht nga të gjitha mediat.

Çuditërisht prej asaj kohe, nga një njeri që merrja ftesa të vazhdueshme nga çdo TV e nga çdo emision, prej atyre të mëngjesit e deri tek emisionet kryesore të mbrëmjes, unë u shndërrova në një “askush absolut”, në një të harruar e groposur pa nam e nishan.

Denoncimet e mia për mafien farmaceutike, për koncesionet në shëndetësi, për sistemin shëndetësor në tërësi dhe praktikat mizore aty, e madje edhe për ato që unë i quaja që në atë kohë grupe të strukturuara grabitqare tek Onkologjiku dhe te shumica e shërbimeve shëndetësore kudo e ngado në Shqipëri, ishin pikërisht hapja e një beteje të gjatë publike, politike dhe civile të zhvilluar pa pushim deri sot nga opozita e shumë grupe, media e individë të tjerë përballë grabitqarisë shëndetësore dhe farmaceutike në vendin tonë.

Prej ditës së djeshme, Onkologjiku dhe grupet e strukturuara grabitqare aty janë kthyer sërish në një lajm të parë dhe madhor.

Edhe pse mua ma shuan zërin e fshehën figurën prej vitit 2015 e ende sot dita, prapëseprapë, lufta vazhdon dhe e keqja vjen një ditë e do t’i bëjë llogaritë me drejtësinë.

Mua më vjen keq që më heshtën e shuan nga syri publik për mbi 1 dekadë, por për asnjë sekondë nuk ia kanë dalë mbanë të më ndalin apo stepin nga lufta ime prej milingone çdo ditë i pareshtur e pa asnjë tërheqje.

Ja ku vjen kjo ditë që edhe pse publiku nuk sheh e dëgjon më Arian Galdinin, edhe pse publiku e ka harruar tërësisht Arian Galdinin, vjen drejtësia dhe e vendos kufirin te thana për të gjithë ata liganakë të neveritshëm, përballë të cilëve e kundër të cilëve ka luftuar çdo ditë Arian Galdini që prej vitit 2015.

Veprimi i drejtësisë mbi grupet e strukturuara grabitqare në shëndetësi më gëzon edhe këtu ku jam unë në këndin tim të harresës dhe mohimit mediatik.

Unë nuk e nisa atë betejë as për t’u kujtuar, as për t’u bërë i njohur e as për t’u harruar.

Atë betejë e nisa, sepse e ndjeja të drejtë dhe si betejë të ndërgjegjes.

Ndaj sot ndihem i lumtur që atë betejë e vijon SPAK.

Për këtë arsye, gjej rastin t’i bëj thirrje çdo qytetari shqiptar që të hapin sytë e veshët e të reagojnë.

A e shihni të dashur shqiptarë, se më 2013, Edi Rama fitoi zgjedhjet me një grup të strukturuar kriminal deputetësh, të cilët i mori nga bandat dhe i futi në Parlament?

Ja ky është rezultati.

Sot qeverisja e rilindjes është pikërisht kjo, qeverisja e grupeve të strukturuara grabitqare në çdo institucion qendror e lokal.

Grup i strukturuar grabitqar në Bashkinë e Tiranës me ‘5D’, grup i strukturuar grabitqar tek Onkologjiku, grupe të strukturuara grabitqare në çdo institucion, ministri, bashki, drejtori, Kadastër, Tatime, Dogana, kudo e ngado.

Sot qytetarët shqiptarë nuk janë më thjesht taksapagues, por edhe maldivexhinj…

Po, po, taksa e re është e padeklaruar.

Grupet e strukturuara grabitqare kanë krijuar një sistem paralel taksimi që quhet Takstopia.

Takstopia nis tek ajo ëndrra në sirtar apo utopia që ka çdo aparatçik mediokër e batakçi partie, që sapo kap një zyrë a çelës shteti në dorë, e sheh si shansin e jetës së tij për të bërë realitet çdo hardallisje mendore.

Aty aparatçiku i partisë grupohet me të tjerë të singjashëm dhe së bashku krijojnë mekanizmin e taksimit paralel për të kap pak Maldive, pak Tajlandë, apo vila, hotele apo investime strategjike.

Kjo taksë paralele është Takstopia e Rilindjes. Takstopia e grupeve të strukturuara grabitqare të cilat kudo që të jenë, në bashki, në ministri, te inceneratorët, në shëndetësi, tek Onkologjiku, në Kadastër apo Tatime etj., e sheh qytetarin si maldivexhi.

Çdo qytetar që i bie puna të përballet me këto grupe të strukturuara grabitqare, është tashmë viktimë e qartë dhe krejtësisht e pambrojtur, që taksohet barbarisht nga këta zuzarët e grupeve që këta të kapin pak Maldive a ndonjë Tajlandë për pushime.

Por nuk ka mbaruar.

I bëj thirrje SPAK të hetojë thellësisht edhe të vërtetën e mafies së ilaçeve.

I bëj thirrje SPAK që të hetojë imtësisht çdo zyrtar që ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe AKBPM – Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

I bëj thirrje SPAK të hetojë që nga tenderi i godinës së re të AKBPM deri te dokumentacioni i marrjes në dorëzim.

I bëj thirrje SPAK të hetojë laboratorin e AKBPM dhe a i plotëson kushtet dhe kriteret ligjore e standardet e duhura vendore dhe europiane ky laborator?

A është i kolauduar ky laborator?

A bën analiza barnash ky laborator?

Si bëhen dhe kush i bën analizat dhe certifikimet e barnave në këtë laborator të AKBPM?

Grupet e strukturuara grabitqare shkojnë shumë më lart e janë si rrjetë merimange kudo e ngado në shëndetësi dhe farmaceutikë.

Ky është momenti që drejtësia të flasë e merimangat e grupeve të strukturuara grabitqare të shkojnë e thurin keqbërjet e tyre prapa hekurave.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular