BallinaTe tjera“Ç’janë këta barinj e këto p*tana lakuriqe që m’i ke sjellë në...

“Ç’janë këta barinj e këto p*tana lakuriqe që m’i ke sjellë në zyrë”- Dëshmia e ish-të dënuarit politik: Hetuesi e prokurori mizor më sakatuan! Më çanë kokën, më thyen disa brinjë dhe…

spot_img
spot_img

Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.

Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!

Autori

                                                                  SHKËLQIM ABAZI

                                                              Vijon nga numri kaluar

                                                                        R E P S I

                                                          (Kampi i punës së detyruar)

Memuaristikë

Gjashtëqindëgramshit

(Rutina e një dite, në kampin e fjetjes)

“Po këto ç’janë”?! – u tranda.

“Në zarf ke pyetjet, kur të kthehesh në qeli, hape, lexoji, bluaji njëherë në kokë dhe pastaj shkruaj. Po s’të dolën letrat, kam porositur rojën të të jap të tjera. Po, kujdes ama, përgjigjet me mend në kokë”! – m’u drejtua me gishtin tregues të ngjitur mbi tëmtha dhe me ton paksa më autoritar, shtoi: – “Tani të ndahemi, mirupjekshim”,- më dha dorën dhe duke dale nga dera u kthye edhe njëherë: – “Avash, ke kohë plotë”!

Më shoqëruan në dhomat e izolimit. Kur po i drejtohesha birucës sime, roja më ndali te pragu i derës. “Merri plaçkat, se do të çojmë në një qeli tjetër”!

Hyra brenda, mora dy batanijet dhe paguret, s’kisha pasuria tjetër aty, atë birucë. Më futën në një qeli më të madhe, ballë derës hyrëse të korridorit.

“Tani do rrish këtu, është më e mirë nga ajo ku ishe dhe ka më shumë dritë. Pastaj, je edhe afër nesh, xheku ngel, ndonjë garuzhde supë”.

Mbasi mbylli derën, polici shprehu habi:

“Ore, ore, po paske pasur mik të fort, ti”!

Atje kish një shtrat druri, me një dyshek kashte sipër. Duket, qe birucë ksi, për të mëdhenj. Kur e krahasova me qelinë ku rrija më parë, ish me vërtet odë hoteli.

“Hajde ore P. hajde, ja hodhe, të ra llotua njimë”! ledhatova veten dhe vërvita mbi shtrat sa gjatë-gjerë.

Në kënd ish një tavolinë dhe një karrige, mbi të një dritare që për nga përmasat, mund të krahasohej me penxheren e shtëpisë, veçse e shtrirë në gjerësi, për të qenë e pakapshme nga dora.

“Lart, lart vërtet, ama drita ardhka e plotë! Bëj qejf, o qerrata! Si në konvaleshencë je, vetëm se ke rojen te dera”!

Çudi, pa e kuptuar po flisja me veten.

U rrotullova nja dy herë mbi dyshek, pastaj hapa zarfin. Brenda gjeta një tre fije format të palosura. Shpalosa të parën, e lashë mënjanë pa e lexuar, e hapa të dytën e, të tretën. Që të treja, ishin shkruar me makinë shkrimi në bojë blu.

“Or, po edhe shkrimin me ngjyrën e rrobës tyre, e paskan këta! Pa t’i lexoj, ç’thonë”!

I ktheva së prapthi mbi syprinën e tavolinës, symbyllur zgjata i pëllëmbën. Ja nisa me atë që më zuri dora, gjithë ç’shkruhej në të, ishin të ngjashme me pyetjet që më kish bërë “kafsha” i parë, gjatë kohës që më neverite në hetuesi. E flaka mënjanë. Zura tjetrën, po edhe aty, pyetjet e njohura. Te e treta, kish ca shtojca, që ishin të reja për mua.

Sidoqoftë të gjitha kërkonin po ato përgjigje që, me dashje pa dashje, do më kthenin në rolin e spiunit.

“Fundja, mirë të më bëhet, vet hyra në këtë lojë”!

Po për momentin, s’e vrava mendjen më tej.

Ushqimi ndryshoi që ditën e parë, tashmë ma sillnin me sefertasë, veçan të tjerëve. Në enë gjeje më shumë mish se gjellë. Para se të më vinte ushqimi nga kuzhina e policisë, më pyesnin çfarë dëshiroja për drekë e, për darkë apo, nëse doja më tepër.

“De, ore, de! Erdh dita të më kërkojnë midenë”?!

Mandej bija në mendime, për shpërblimin që do më duhej të paguaja. Po s’e vrava shumë mendjen: “Pa, ta mbush njëherë cillën se vdiqa, pastaj shohim e bëjmë. Të dal ku të dal, do t’a shpik një zgjidhje”!

Kështu nisa t’i gëzoj ditët e konvaleshencës. Ha, pi dhe fli e, bëj kokrrën e pallës! Natyrisht me sa mund të bëhet pallë, në biruca.

Herë pas here, policët e shërbimit të brendshëm, vizitonin sportelin e dhomës sime, hidhnin një sy rreth e qark, më pyesnin për ndonjë nevojat që mund kisha, më ndiznin cigare sa herë dëshiroja. Se ku i gjenin ato, s’ishte puna ime, ama mua s’më munguan asnjëherë ato dy javë.

Nga të ngrënët pa hesap, ndjeja nevojë të dilja më shpesh në banjo. Sa herë ua kërkova, dera e dhomës sime hapej pa problem, dilja e lirohesha në banjo, në fund të korridorit, mbushja paguret me ujë të freskët dhe rikthehesha në qeli. Tani s’kisha më një pagure, po disa.

Arrita të familjarizohesha edhe me policët e t’ia krisja muhabetit, si t’i kisha miq të vjetër.

Ditët e para të konvaleshencës, i kalova shtrirë, ngaqë për dy muaj radhazi, më kishin rraskapitur torturat. Por ndryshova shpejt, e pashë që po mbushesha.

“Eh, or qerrata P., vër mish nashti! Të kanë futur në majmëri, si derrin në thark”! tallesha me veten.

“Tullaci” s’më shqetësoi ato ditë, po sidoqoftë isha i ndërgjegjshëm se në atë gjendje, s’mund të zgjaste pafund, ndaj, si mora veten, mendova të shpik ndonjë hyckël, që ta shtyja sa më gjatë këtë trajtim special.

U ula në karrige, iu hodha një sy pyetjeve. Hapa fletët e bardha mbi tavolinë dhe nisa të vrisja mendjen:

“Ç’farë të katranosja? Si do ta justifikoja këtë trajtim”?

Por në vend të shkruaja, nisa zhargavinat pa kuptim.

Më dolën ca vizatime perverse, që mos o zot.

“Ej, dreq o punë, ç’m’u shkrep kështu”?

Kur isha në shkollë, në klasë të shtatë, na prunë një mësues vizatimi nga Vlora. Ishte si gjysëm i internuar në zonën tonë. Se për ç’e sollën, s’e di tamam! Zaten në fshatin tonë, gjithë mësuesit e shkollës, kështu ishin, me cena.

Ky mësuesi i ri, na jepte edhe vizatim, edhe muzikë, edhe gjimnastikë, ishte piktor i spikatur, për këtë mjafton të lexosh gazetën “Drita”, emri tij është mjaft i njohur, ka marrë pjesë në shumë ekspozita dhe është vlerësuar edhe me çmime të para.

Nejse. Në orët e tij, si në muzikë, si në fizkulturë, si në vizatim, pjesa më: e madhe e nxënësve ja mbathnin, kurse unë rrija se më pëlqente të shkarravisja, po më shumë për ta rregulluar me të, ngaqë s’isha mirë në mësime dhe, meqë ai ishte i afrueshëm, shpresoja të ndikonte te mësuesit e tjerë, për të më kaluar. Ngaqë u bëra, si të thuash, nxënësi i tij personal, më mësoj të vizatoja dhe mbas ca muaj trajnimi, s’lija derë e mur pa zhargavitur. U bëra një biçim piktor fshati.

Për të demonstruar aftësinë time të sapo-zbuluar, zhubravitja portë më portë e, mur më mur. U ktheva në bezdinë e grave të mëhallës, të cilat nga halli që po u ndyja dyert dhe muret e shtëpive, yshtën burrat, të më fusnin nga një dackë turinjve.

Hundët e përsheshura më nxitën të gjeja forma të tjera reklamimi’ për artin tim. Kështu, kur nisesha në mal me dhi, mbushja xhepat me shkumësa dhe kongjij; pastaj nisja zhargavinat mbi çdo gur e drurë, që me delte para. Katranosja ca figura të përçudnuara, që me fantazinë time, i quaja piktura.

Por vendi më ideal për të shkrirë talentin tim, mbeteshin gjollet e bagëtive.

“E di ti, ç’janë gjollet”?! Jo, e po mirë! Gjollet, janë ca pllaka guri, ku u shtihet kripë bagëtive.

Ato të fshatit tonë, bien në një shesh mbi kodër. Atje, shfreva gjithë aftësitë e mia prej piktori amator, s’lashë pllakë pa një vizatim, madje në më të mëdhatë edhe nga dy. Natyrisht, të nesërmen i gjeja të fshira, kafshët bashkë me kripën, lëpinin edhe shkumësin apo thëngjillin, kështu çdo ditë e nisja nga e para.

Zakonisht vizatoja figura kafshësh të buta dhe të egra, po edhe surretër njerëzish që si shëmbëllenin askujt. Sidoqoftë, unë iu vija nga një emër si diçiturë. Por edhe atë, e zgjidhja sipas shijes sime; kur portreti më dukej simpatik, i vija cmrin e ndonjë njeriu të mirë, kur vizatimi dilte i shëmtuar, i vija emrin e atyre që urreja më shumë.

Por figurat më të dashura, ua rezervoja shoqeve të klasës, të cilat i përfytyroja të zhveshura lakuriq ose nudo, si i thonë tani, atëherë s’e dija fare këtë termë. Kështu pra, me imagjinatë, vizatoja figura lakuriqe dhe mbasi masturbohesha, i vija emrin e më të bukurës.

“Hajd, mendova, rri që rri, pse mos të rikujtoj ato vite të lumtura dhe të përsos talentin tim, vizatimin, mbi këto fije letre, që m’i vuri në dispozicion ‘Tullaci’, për të denoncuar shokët dhe miqtë e mi”.

I vizatova vetëm në një anë. Mbasi kënaqesha me prodhimin e duarve të mija, e ktheja fletën përmbys, mos t’a shihnin gardianët.

Me vizatime, me të ngrëna dhe me gjumë, e shtyva gjithë javën. Një mëngjes të bukur, erdhën e më morën. Më lidhën e më ngjitën në katin e dytë, në zyrën e “Tullacit”. Mbasi më zgjidhën, u takuam si miq të përmalluar.

“E mo P., qërke birinxhi fare! Si të kanë trajtuar? – më pyeti ai, pa më lënë kohë t’i përgjigjesha. – Ke pasur ndonjë probleme me ushqimin, po me personelin e shërbimit”? – vazhdoj në të tijën.

“Mirë, faleminderit”! – ja ktheva.

Zuri vend ball meje:

“Po me atë muhabetin, si vajte”?

“Po punojmë! Por më duhen akoma letër dhe pak më shumë kohë, se s’më kujtohen të gjitha njëherësh” – iu përgjigja.

“Mirë, mo, letër na, ja te e ke! Sa për kohën, sot është e hënë, të mërkurën, i dua këtu! Besoj, u muarrëm vesh”?

“Po”! – ia ktheva.

“Tani ika, se kam një takim, mirupjekshim të mërkurën”! – më shtriu dorën dhe u largua me çap të shpejt.

Mua më rikthyen në dhomë. I shpëtova drurit, po fitova ultimatumin. Afati mbaronte për dy ditë, duhej t’a shtrydhja trurin. Edhe pse i kisha mësuar përmendsh, i lexova edhe njëherë të gjitha pyetjet. Nisa të shkruaj, sipas radhës përgjigjet. Por s’po ecte.

Vrava mendjen, të kujtoja emra personash që kisha njohur vet apo që kisha dëgjuar nga më të mëdhenjtë. Veçse, i vura kusht vetes që gjithë ata që do përmendja, duhej të ishin detyrimisht, o komunistët më fanatikë të anës sime, o të vdekur prej kohe.

Ato dy ditë i kalova me ankth, i lexova edhe njëherë nga e para gjithë. I kisha katranosur, të garantohesha se asnjë nga të përmendurit, s’i përkiste rrethit tim familjar apo miqësor. Kur u binda se gjithë çka ishte ujdisur sipas skenarit që kisha në mënd, i firmosa dhe fjeta i qetë.

E dija ç’më priste, por se hetuesi do tregohej aq i trashë, sa të humbte edhe një javë me mua, s’ma hëngri mendja. Të mërkurën nga dreka, më ngjitën në katin e dytë. Tullaci, kur më pa me tufën e letrave në dorë, i ndriti çehrja. Më ftoi të ulesha në një kolltuk përballë tij, më zgjati paketën e cigareve dhe me dorën tjetër, çakmakun e ndezur.

Mori grumbullin e letrave e nisi t’i shfletonte, po kur pa vizatimet, mbeti i shtangur:

“Ore, po këto, ç’m’i ke? Ç’janë këta barinj e këto putana lakuriqe, që m’i ke prurë në zyrë!? Ore, ti, ç’na pandeh ne, budallenj”?

Ngjyra i ndërroi menjëherë, iu çakërritën sytë dhe buzët nisën t’i i dridheshin gjithë pezm.

“O zoti hetues, me këta kam folur”!

“Me këta”?!

“Po! Poshtë secilit, ka nga një emër, pa shihi! Në faqet e tjera, t’i kam i shpjeguar me shkrim të gjitha”! – ndërhyra shpejt, për mos t’i lënë kohë të shfrente dufin. – “Lexoji njëherë”! – përsëdyta.

Duket, ndërhyrja bëri efekt sepse tullaci u ul dhe po i këqyrte fletët me radhë. Ndoshta i pëlqyen ç’po lexonte sepse nisi t’i vinte çehrja. Surrati, pak më parë i vrerët, tani po çelej, madje edhe po qeshej.

Më shkriu gjaku, zemra që trokëllinte si e tërbuar m’u qetësua, të paktën për momentin, furtuna kishte kaluar.            I

Kur mbaroj leximin m’u kthye i galduar:

“Ore, po paske qenë qerrata i madh, ti! Po paske qenë, minierë floriri! ore! Pa shih, pa shih, pa shih! Me gjithë këtë kallaballëk, paske folur kundër Pushtetit Popullor, ti ore”!

S’po e mbante më vendi. Hapi derën dhe thirri shend e verë:

“O Spiro, o Spiro! Pa, hajde këtu, a i uruar, shiko, ç’na ka sjell fati”!

Ai që thirrën Spiro, hyri brenda, por ngriu në mes zyrës, pa ditur për ç’bëhej fjalë. Ishte një buçko, nga ata që i quajnë qaf dema, fytyrë-kuq e rrumbullake.   I

“Or, po, ç’të gjeti që po hidhesh përpjetë me kaq hare, mo”? – pyeti me zë tenori.

“Kupton, ti? Ja hodha provincës njimë! Me këtë krap që zura, shpëtove dhe ti! Ka plot këtu për të dy, kupton, ti? Bëhen nja njëzet të paktën! As ndë mënd, as ndë fiqir s’më kish vatur, se do na vinte e mira, kaq shpejtë! E sheh këtë thëllëzë, mo, ta mbajmë mirë në kafaz, na e pruri fati! E zumë kryeqytetin, kupton, ti”?

“Or, po, ç’a flet? – ja ndërpreu hovin kuqua. – Na e hoqe trurin”!

“Na, mo, lexoi”!

Tullaci u ngushtua dhe i afroi një karrige. Kuqua u zhyt në lexim, kur i ktheu në anët tjetër dhe hodhi sytë mbi vizatimet, u skuq. Shih edhe skuqu, sa si plasi gjaku nga venat.

“Ç’janë këto, more? – m’u kthye mua. M’i tundi fletët mbi hundë nga matanë tavolinës. – Ç’na mendon ti, kaqolë”!

“Dale, prit! – ndërhyri Tullaci. – Edhe unë kështu u nxeha në fillim, po pastaj…, kupton, ti”?

“Ore, ky zagar, po tallet me ne”! – vazhdonte të tundte me tërsëllëm tufën e vizatimeve të mija.

“Erdhi radha e hurit, shtërngoje b… P” – , i sugjestionova vetes dhe u tendosa të prisja goditjet e para.

Por Tullaci u ngrit në këmbë dhe i preu udhën:

“O Spiro, nesër që në mëngjes, do nisemi në Vlorë, do t’i verifikojmë të gjitha në vend. Ore Spiro, ore xhan, nga ferr’e vogël, del lepur’i madh, or xhanan”!…, vazhdoi më tej, me bejte dhe këngë Tullaci. – Tani, shpejto në dhomë! – m’u kthye mua. – Rri i qetë, se për të gjitha këto, do të dekoroj”! – u afrua, më dha dorën dhe i bëri shenjë policit, të më shoqëronte.

Frymë-mora i lehtësuar, i kisha shpëtuar edhe këtë radhë ndëshkimit. Më kthyen në dhomë, ku kishin servirur sefertasët plotë gjellë dhe mish. U vërsula mbi to, si të haja darkën e fundit me Krishtin.

I përlava të gjitha. Tashmë, i ngopur, u hodha mbi shtrat dhe u zhyta në botën e iluzioneve. E dija ç’më priste, por i dhashë zemër vetes:

“Hajd, ta gëzojmë të sotmen, pa për nesër, ditë e re, kismet i ri”! si thonë dhe ja futa gjumit si bollë e nginjur. S’ma priste mendja se festa ime, do zgjaste edhe një javë, po fati qe me mua. Në mes binte festa e 1 Majit. Ti e di ç’bëjnë komunistët për t’i dhënë sa më shumë pompozitet kësaj dite.

Kështu, kur shkuan në Vlorë hetuesit e mi, s’patën mundësi të merrnin të dhënat që kërkonin, ngaqë nëpunësit e Komitetit, të lokaliteteve dhe ë kooperativave ku duhej të jetonin personat që kisha denoncuar si bashkëpunëtor të mitë, ishin të angazhuar me festën, s’ishin disponibël, për t’iu dhënë informacionin e kërkuar. E shtyva javën duke ngrënë për qejf. Mbërriti data pesë maj. Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular