BallinaOP EDStrategjia e Ramës, që do të shpartallojë në zgjedhje PD-në

Strategjia e Ramës, që do të shpartallojë në zgjedhje PD-në

spot_img
spot_img

Ardi Stefa
Brenda qershorit, dy lëvizje në skenën politike, të cilat nga një pjesë e analistëve dhe shumica e elektoratit u konsideruan si “fitore e PD”, “rivendosje e drejtësisë”, “të shkuarjes së hakës tek i zoti”, “fitorja e mohuar për tre vite”; jam i bindur se Ramën e kanë bërë të qeshë nën mustaqe.

Sespse askush nuk e kuptoi apo nuk analizoi strategjinë e tij.

E kam fjalën për dhënien e vulës Rithemelimit në 11 qershor dhe deklaratën e Nikollës, e cila “interpretoi Kushtetutën” për të mos i hequr mandatin Berishës, sepse ka munguar me arsye.

Gëzimi i demokratëve ishte i ligjshëm.

Ishin fitoret më të rëndësishme pas “qetësimit dhe fikjes së flakadanëve dhe përdorimit siç duhet të krrigeve në Kuvend” me dhënien e dy komisioneve, të cilat, duhet thënë se ishin një e drejtë e mohuar ndaj opozitës.

Në 11 qershor shpërthyen me këngë e valle në seli e poshtë ballkonit, ndërsa në 26 qershor gëzimi, hareja dhe lumturia përveç selisë e poshtë ballkonit u zhvendosën edhe nëpër studiot televizive, Facebook, Instagram e të gjitha rrjetet e mundshme sociale që janë në qarkullim.

Madje shumica u bënë konstitucionalistë dhe filluan interpretimet e Kushtetutës për mungesat me arsye dhe ato pa arsye, për dëshirën që të shkojë Berisha në parlament dhe pengimit të shkuarjes së tij atje nga drejtësia e kapur e Ramës. Natyrisht, deri në vendimin e formës së prerë nga Gjykata, Berisha është “i pafajshëm” dhe se pas hetimeve, po rezultoi “i pafajshëm dhe i është hequr mandati”, çfarë do të bëhet me ato vota të elektoratit që janë për të për t’i përfaqësuar në parlament? Etj, etj…

Dhe ishin interpretime jo pa bazë, megjithëse ngrinin diskutime.

Një pjesë e tyre “harruan”, që deri një orë përpara flisnin për drejtësinë e kapur nga Rama dhe kërcënonin Nikollën dhe mazhorancën se do ta bënin tym e flakë dhe se mandati i Berishës për ta “ishte vija e kuqe!”

Në studiot televizive Noka & CO filluan që atë natë artikulimin se radhën tashmë e ka “lirimi i të burgosurit politik, Sali Berisha”…

Nga ana tjetër një numër jo i vogël politikanësh dhe analistësh folën haptazi për shkelje të Kushtetutës dhe për një marrëveshje dhe pazar të Ramës me Berishën, në mënyrë që të ruhet status quo-ja e establishmentit 34 vjeçar. U përmendën komisionet hetimore, u përmend dhënia e vulës, u përmend bashkimi i votave për Amnistinë Penale; u përmend komisioni anti- Spak, etj, etj. Madje u përmend edhe rasti i ish- kryeministrit Arben Ahmetajt, të cilit iu hoq mandati pa një pa dy!

U akuzua edhe kryeministri, të cilit iu përmendën rastet e panumërta të shkeljes së Kushtetutës, raste, të cilat janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Në rastin e Berishës u theksua se mandati i tij ka përfunduar ose është i pavlefshëm, sepse mandati nuk mund të mbahet në pamundesi për t’u ushtruar, pasi ai i takon popullit dhe jo deputetit. Për sa kohë ai nuk mund ta ushtroje këtë detyrë, ngaqë është në arrest me vendim gjykate, ai nuk mund të jetë deputet.

U argumentua se fatet e Ramës dhe Berishës janë të lidhur pazgjidhshmërisht dhe atyre iu duhet të mbajnë njëri- tjetrin përballë një kërcënimi serioz për ta: SPAK-ut dhe amerikanëve.

Në të dy këndvështrimet ka argumente logjike, juridike e politike të qëndrueshme.

Do të përpiqem të analizoj me pak fjalë argumentin tim. Atë të një strategjie të Ramës për të fituar lehtësisht në vitin 2025.

Dhe Rama ka treguar se është mjeshtër në strategjinë e fitimit të zgjedhjeve.

Në të dy rastet (si të marrëveshjes me Berishën, si të mosekzistencës së marrëveshjes me të) për Ramën, qenia e Berishës në krye të opozitës është fitore.

Për Ramën është më mirë një PD me Berishën në krye dhe pa komunikim me ndërkombëtarët, se sa një PD në dy pjesë, ku njëra prej tyre, teorikisht mund të thithë antiberishistët dhe një pjesë të mdhe të elektoratit gri dhe të fillojë të faktorizohet.

Prandaj Berishës iu la fushë e lirë. Suport i jashtëzakonshëm mediatik, ku përfaqësuesit e Rithemelimit kishin trefishin e kohës televizive përballë të gjithë kundërshtarëve të tyre dhe qeverisë. Faktikisht ishte “një i burgosur” i lirë, i cili theu të gjitha rregullat dhe masat kufizuese, pasi për mbi 180 ditë komunikonte çdo natë nga ballkoni me mbështetësit e tij, ndërtoi zyrë me sfondin dhe logon e PD, priti disa aktorë apo politikanë në pension dhe dha edhe disa intervista nëpër kanale të huaja televizive. Të gjitha këto krijonin përshtypjen e një pazari të nëndheshëm dhe komunikimi me kode ndërmjet Ramës dhe kreut të PD, i cili nisi një revolucion kundër kryeministrit, revolucion, i cili këtë të fundit e “frikësonte deri në palcë”.

Të gjitha këto sjellin një dobësim faktik të PD dhe forcim real të Ramës. Sepse antiberishistët dhe ata që besojnë tek drejtësia apo SHBA nuk do të bashkohen nën Berishën. Siç nuk do të votojnë PD demokratët e zgënjyer, as elektorati gri apo socialistët e pakënaqur me Ramën. PD do të ngelet forcë e rëndësishme opozitare, por aspak konkuruese për Ramën në zgjedhjet e ardhshme.

Prandaj Rama investon dhe mban “kundërshtarin politik”, sepse largimi i Berishës do të jetë çelja e rrugës për largimin e Ramës. Prandaj Ramës i intereson të mbajë Berishën në krye të opozitës dhe veten në pushtet, ndërsa Berisha dhe deputetet qëndrojnë në opozitë dhe sigurojnë mbijetesë politike.

Tani le të supozojmë se Rama nuk ka marrëveshje apo pazare të fshehta me Berishën. Argumentet e mësipërme mund të rrëzohen pjesërisht, por përsëri qëndrojnë, pasi Rama me shumë kujdes, duke përdorur funksionarët e lartë të PD dhe luftën e tyre të brendshme këto tre vite, investoi në ndërtimin e një opozite të përçarë, të dobët, aspak konkurruese, aspak fituese, qoftë edhe në perspektivë.

Investoi në mbajtjen gjallë të një opozite të çoroditur, aspak frymëzuese për elektoratin, aspak përthithëse për elektoratin gri, të cilën do ta mundë përsëri, si në 14 maj 2023 vetëm me një foto dhe me slloganin: “Asnjëherë prapa, vetëm përpara!”

Prandaj opozita përpara se të gëzohet apo të hidhërohet për vulën, logon, komisionet apo mandatin, duhet të kuptojë strategjinë e Ramës dhe të ndërtojë strategji, të cilat nuk e largojnë, por e afrojnë me votuesit.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular