Aksi Thumanë-Kashar hapet sot pasdite (30 qershor) për qarkullimin e mjeteve. Lajmin e bën me dije Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook, ndërsa ka ndarë edhe disa pamje.
Rama shprehet se ky investim i shërben zhvillimit të mëtejshëm të turizmit.
“Mirëmëngjes dhe me këtë fluturim mbi Thumanë-Kashar për të shijuar atë që është ndërtuar në tokë, një aks rrugor që na shërben të gjithëve dhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit duke qenë i aksesueshëm për të gjithë nga sot prej orës 19:00, ju uroj të diel të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.
Aksi Thumanë-Kashar është njëkohësisht edhe loti i parë i Korridorit Blu. Autostrada Thumanë-Kashar është i aks i kategorisë A, ku shpejtësia e lëvizjes do të jetë 130 kilometra në orë, duke ofruar gjithashtu kushte të larta sigurie.
Kalimi në këtë rrugë do të jetë me pagesë, vlera e të cilës do varet nga lloji i mjetit, por që nuk do të jetë më poshtë se 2.1 euro. Kjo tarifë do të përllogaritet çdo vit, dhe kompania private do mund ta rrisë atë në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro.
Ndërkohë të gjithë drejtuesit e automjeteve do të kenë të drejtë të zgjedhin rrugët e shpejtësisë mbi 130 kilometra në orë me pagesë, apo rrugët dytësore të cilat do të jenë të disponueshme pa asnjë lloj pagese.