Nga Bujar Leskaj
Sot kaloi në përjetësi labi i urtë dhe i fortë, miku im i vyer dhe miku i babait tim Bejkush Birçe.
Bejkushi me karakterin e tij të fortë dhe punën e palodhur ka skalitur personalitetin e sa e sa brezave sportistësh.
Bejkush Birçe ka lindur në Bolenë të Vlorës, në 15 Dhjetor të vitit 1936, ku ka kaluar fëmijërinë dhe ka qëndruar aty deri në vitin 1944. Babai e la jetim që në moshë shume të vogël. Nga viti 1944 deri në 1951, ka qëndruar në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë, ku ka mbaruar shkollën 7 vjeçare. Pas mbarimit të shkollës 7 vjeçare 1951, shkoi në Teknikumin e Fizkulturës, falë aftësive të tija multisportive, ku dallohej për prirje në shumë specialitete të edukimit fizik. Bejkush Birçe, si rrallë kush ishte talenti i shumë sporteve dhe shkëlqente në futboll, volejboll, basketboll, boks, gjimnastikë, not dhe ka ushtruar veprimtarinë e tij edhe në shah, patinazh, ski dhe atletikë etj. Kjo gjithëpërfshirje flet për një emblemë të sportit shqiptar, që pa mëdyshje do ta quaja një enciklopedi sportive modeste. Me mbarimin e shkollës së mesme të fizkulturës u emërua pedagog në qytetin e Vlorës, ku punoi për një vit si mësues i edukimit fizik dhe pastaj në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, ku gjatë kësaj periudhe ka punuar me ndërprerje pasi është aktivizuar si trajner futbolli në shumë skuadra të vendit. Në vitin 1960, u dërgua për të ndjekur studimet e larta në Institutin e kulturës Fizike “Lezgaft” të Leningradit, ku i ndërpreu në vitin 1961, pasi ndodhi prishja e marrëdhënieve me ish Bashkimin Sovjetik. Vitet e mbetura i kreu në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike ”Vojo Kushi”, në Tiranë, në specialitetin e futbollit. Përgatitja dhe pajisja me kulture të gjerë sportive e bashkuar me aftësitë dhe talentin që ja kishte falur natyra, bënë të mundur që gjatë gjithë jetës së tij të shkëlqejë në fusha të sportit si debutues i suksesshëm dhe më vonë si trajner virtuoz, që u ngjit në majat më të larta të karrierës së tij sportive. Karriera e tij sportive ka filluar duke luajtur me ekipin përfaqësues të Tiranës, në vitin 1952, në kampionatin kombëtar të futbollit për të rinj. Rruga e gjatë sportive ka kaluar në kalvarin e shumë skuadrave të futbollit të ekipeve të “Tiranës”, të “Partizanit” dhe të “Flamurtarit” të Vlorës, që atëherë quhesh “Puna e Vlorës”. Gjatë periudhës që ka kryer shërbimin ushtarak te Klubi “Partizani”, është aktivizuar edhe si boksier dhe sporte të tjera të lojërave me dorë. Duke u inkuadruar në klubin “Partizani”, ka marrë pjesë në disa spartakiada të ushtrisë brenda dhe jashtë vendit, te ato që bëheshin në vendet ish socialiste, siç ishte rasti i spartakiadës në Lajpcig të Gjermanisë, që u zhvillua në vitin 1978. Ka marrë pjesë në kampionate kombëtare në sporte të ndryshme përfshirë këtu edhe si anëtar i ekipit përfaqësues kombëtar të boksit. Po të pretendosh t’i bësh biografinë sportive Bejkush Birçes, do të ngatërrohesh në labirintet e veprimtarisë së tij, që sa del nga një portë e sportit hyn në portën tjetër. Por gjatë, ai do të mbahet mend si një trajner i suksesshëm dhe kurajoz, që në çdo ekip ku ka vajtur për ta rimëkëmbur, ka bërë reforma të guximshme për kohën dhe kudo që ka nisur një punë të re ja ka dalë me sukses. Të gjithë e kujtojnë si trajner futbolli në ekipet e Tiranës, Partizanit, Dinamos, Flamurtarit të Vlorës, Naftëtarit të Kuçovës, Lokomotivës dhe më vonë Teutës së Durrësit, që i ka marrë në perëndim dhe i ka ngritur në piedestal të sportit shqiptar. Me këto ekipe ka marrë tituj Kampion i Vendit në kampionate e kupa të Republikës si dhe në Superkupën e Republikës. Por, pak kush do ta besojë se jo më pak i suksesshëm ka qenë edhe si trajner i basketbollit dhe volejbollit i ekipit të Punës së Vlorës, sot Flamurtari, ku është përfaqësuar në disa kampionate të kategorisë së parë. Nuk ka munguar që detyrën e trajnerit ta ushtrojë dhe me ekipin e gjimnastikës te skuadrat ushtarake si Shkolla e “Bashkuar” dhe Shkolla “Skënderbej”, sot Akademia “Skënderbej”. Krahas detyrës së trajnerit ka qenë dhe drejtues teknik në disa klube superiore të vendit duke filluar nga Skuadra e Dinamos, Partizanit, Lushnjës etj. Me skuadrat që ka drejtuar dhe trajnuar ka marrë pjesë në disa kupa Ballkanike dhe të Europës. Për meritat e tij si trajner është zgjedhur zëvendës President i Federatës Shqiptare të Futbollit nga viti 1997-2001. Në karrierën e tij të gjatë, ai me dhuntitë e tija korrekte dhe këmbëngulëse, kujtohet si një trajner i Ekipit Kombëtar, që i ka dhënë emër e prestigj futbollit shqiptar duke u përfaqësuar denjësisht në kupat eliminatore të kampionatit Europian dhe atij Botëror. Bagazhi i tij sportiv e ka bërë Bejkushin një emblemë të sportit Shqiptar. Për meritat e tij të shumta e të gjithanshme, është nderuar me shumë medalje e tituj nderi. Ato janë të shumta, por duke i grupuar do mundohem ti evidentoj sipas profilit të llojit të sportit. Bejkushi është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri të klasit III, me Urdhrin Ylli i Kuq klasi II, me Medaljen e Artë, nga Komisioni Kombëtar i Sportit të nivelit të Lartë, Nderi i Sportit Shqiptar, si dhe Simbol i Vlerave Humane, nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve në Shqipëri. Njëkohësisht është nderuar me Titullin “Personalitet i Shquar i qarkut të Vlorës” dhe Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Profesor Bamir Topi.
Ai dallohej për karakterin e tij stoik e të pa epur para çdo trysnie të kohës, për ndershmërinë brilante pa asnjë kompromis e joshje koniunkturale, për modestinë dhe talentin e veçantë, që i ka dhënë krahë sportit Shqiptar. Emri dhe vepra e Bejkush Birçes, është dhe do mbetet një medaljon krenarie në gjoksin e sportit shqiptar, në të gjitha kohërat.
Lamtumirë mik i dashur!