Pas skandalit tek Onkologjiku, kryeministri Rama mbledh shefat e shërbimeve të QSUT-së, çfarë pritet të ndodhë

0
216

Pas skandalit të Onkologjikut, ditën e nesërme kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim me shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza ”.

Takimi është parashikuar të zhvillohet në orët e paradites, ndërsa shefi i qeverisë do të ketë përballë shefat e shërbimit të qendrës më të madhe spitalore në vend.

Kujtojmë që më 25 qershor, Prokuroria e Tiranës njoftimi për një skemë të krijuar nga mjekë të repartit Onkologjik, për transferimin e pacientëve me tumor drejt klinikave private për qëllime përfitimi.

Drejtues dhe mjekë të spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, së bashku me specialistë dhe persona të tjerë akuzohen se krijuan një skemë abuzive të transfermit të pacientëve drejt klinikave private.

“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mjekët, specialistët dhe administratori i spitalit orientonin pacientët e diagnostikuar me sëmundje tumorale në klinika private me qëllime përfitimi, duke mos u ofruar shërbimet në spitalin Onkologjik në QSUNT,” citohet në një njoftim të Prokurorisë së Tiranës i cili u shpërnda për mediat më 25 qershor.

Nga hetimi i kryer nga prokuroria, ka rezultuar se pacientëve të diagnostikuar me tumor nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe më pas drejtoheshin në klinika private. Po ashtu, janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Prokuroria thotë se në Spitalin Onkologjik në QSUNT u instalua një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës.

Në njoftim sqarohet se që të mund të përdorej kjo aparaturë, duhej të krijohej një bunker antiradioaktiv ose antiatomik, sipas kushteve të miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës ose Agjencia Ndërkombëtare, IAEA.

“Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushtetve teknike. Që nga viti 2021 kur ky aparat ka mbërritur në Shqipëri dhe deri më sot, ai jo vetëm që nuk është shfrytëzuar por është lënë në kushte të papërshtatshme duke u bërë burim rreziku ndaj vete personelit mjekësor si pasojë e rrezatimeve të mundshme që emeton kjo pajisje”, citohet në njoftimin e prokurorisë.