BallinaKultureLamtumirë Kadare!/Nga Petrit Nika

Lamtumirë Kadare!/Nga Petrit Nika

spot_img
spot_img

Nga Petrit Nika
Hera e fundit qe kam shkruar për Ismail Kadarenë ka qenë viti 2007, pra diku 17 vjet më parë. Gjatë vjeshtës së vitit 2006 qe ngritur një furtunë e madhe antikadare në mediat shqiptare, menjëherë pasi u mor vesh fakti që atë vit Kadare ishte përfshirë në listën e kandidatëve favorit për çmimin Nobel në letërsi. Në televizionet shqiptare e në gazeta, jepnin mendime të gjithë, përveç shkrimtarëve, të cilët ka 30 vite që nuk ekzistojnë më në opinionin publik. I vetmi shkrimtar që kishte mbetur si një kolonë e lartë, pas rrafshimit të tempullit, ishte vetëm Kadare. dhe atë kërkonin ta rrëzonin. Asokohe kisha një marrëveshje botimi te rubrika “Opinion” e gazetës “Shekulli” dhe aty dërgova opinionin tim për “çështjen Kadare”, duke e trajtuar në pikëpamje të rëndësisë që ka ai për letërsinë shqipe dhe gjuhën si materie e frymë e kësaj letërsie. Nuk e di nëse e ka lexuar Kadare atë shkrim dhe nuk e ksha shkruar të fitoj “bekimin” e tij, siç mund të kenë bërë shumë të tjerë. Asnjëherë nuk e kisha takuar më parë, nuk e takova as më pas. Shtatë vjet më vonë, kam patur rastin ta shoh nga afër në një panair të Librit në Tiranë. Atë ditë u hepova ta takoj, por radha e njerëzve që kishin blerë librin “Mëngjeset në kafe Rostand” dhe kërkonin të merrnin një autograf prej tij ishte aq e gjatë sa, as nuk u tundova më tej, por vazhdova përpara, duke menduar se do më jepej rasti njëherë tjetër ta përshëndes. Ai rast në fakt nuk erdhi asnjëherë. Sot ai rast, me kalimin e tij në amshim, humbi përgjithmonë. Kjo është jeta. Shkrimtarët si gjithë të tjerët janë qenie fizike, me të metat e dobësitë e tyre, sado të famshëm të jenë ata për turmat, por qenia e tyre krijuese vazhdon të jetojë edhe pas vdekjes së qenies së tyre fizike. Nuk di të them se në luftën midis këtyre dy qenieve, cila do ta mundë tjetrën në rastin e shkrimtarëve të zakonshëm, por mund të them pa frikë se në rastin e Kadaresë, qenia krijuese e ka mundur atë qenien e vdekshme.Vepra e Kadaresë ka për të ekzistuar gjatë, shumë gjatë në memorien e popujve, të paktën një pjesë e mirë e saj. Duke e mbyllur këtë reflektim timin do shtoja se nuk bashkohem me korin e përgjithshëm që e cilësojnë ndarjen nga jeta të shkrimtarit si një ditë zie për letërsinë shqipe, apo si një humbje për letërsinë shqipe. Nuk është në natyrën e letërsisë zia për shkrimtarët, pasi letërsia përbëhet pikërisht nga ajo që nuk  vdes prej shkrimtarit. Si rrjedhojë edhe humbja për letërsinë nuk ekziston. Humbja sjell pikëllimin në familjen e të ndjerit, të cilët gjej rastin t’i ngushëlloj përulësisht, si dhe në rrethet e të afërmve e miqve të tij. Jemi pikërisht ne shqiptarët të cilët më së shumti herë e kemi përqafuar e jemi mburrur me të e plot herë të tjera jemi munduar ta përzëmë sa më larg nga letërsia. Për mua shkrimtari duhet të jetë ndërgjegja më e pastër e epokës kur ka formësuar individuaitetin e vet krijues. Ne si popull kemi plot probleme pikërisht me këtë ndërgjegje në çeshtjet e ekzistimit tonë si shtet, ku gjëja e parë që kemi bërë historikisht ka qenë t’ua nxijmë jetën shqiptarëve të ndershëm. Lamtumirë Kadare!

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular