Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur ditën e mërkurë, 3 korrik ditë zie shtetërore, me rastin e vdekjes së shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta mëngjesin e djeshëm në moshën 88 vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak.
Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe do të varroset Ismail Kadare.
Kujtojmë se në qershor të vitit të kaluar, Presidentja Osmani e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit.
Ndërsa, në gusht po të viti të kaluar Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, në Shqipëri ditë zie janë shpallur datat 2 dhe 3 korrik.
Sipas vendimit, do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë në të gjitha institucionet publike dhe shtetërore. Ndërkohë do të mbahen homazhe publike dhe ceremoni shtetërore në nder të tij në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, të mërkurën në oraret 09:00-11:00 dhe 11:30-12:30.
Njoftimi i presidencës së Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani e shpallë të mërkurën ditë zie shtetërore
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet ditë zie shtetërore, në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare.
Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.