Portugalia ka prerë një biletë për në çerekfinalen e Europianit, pasi mundi me penallti Slloveninë. 120 minutat përfunduan pa gola, mes dramës dhe spektaklit, në stadiumin e Frankfurtit të tejmbushur me tifozë.
Në pjesën e parë, “luzitanët” u vendosën në kërkim të golit, por pa mundur dot të jenë konkret para porte. Për t’u theksuar dy raste të Cristiano Ronaldos, i cili shkaktoi drithërima te porta e mbrojtur nga Oblak.
Në pjesën e dytë, sllovenët u bënë “mur”, duke mos lejuar hapësira për kundërshtarin. Më pas, të besuarit e Kek tentuan me kundërsulme. Në kohën e shtesës, e pabesueshme por e vërtetë, Ronaldo gaboi nga pika e bardhë e penalltisë.
Portugalia siguroi suksesin vetëm falë ekzekutimit të 11-metërshave, duke bërë kështu që Cr7 me shokë të shkojë në çerekfinale, aty ku do përballet me Francën.