BallinaPolitikeNesër, Britania para ndryshimit të madh

Nesër, Britania para ndryshimit të madh

spot_img
spot_img

Nga Lavdrim Krashi*

Të enjten më 4 Korrik, qytetarët britanikë shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur 650 deputetët që do t’i përfaqësojnë në Parlament për 5 vitet e ardhshme. Çdo ditë e javës mund të jetë ditë zgjedhjesh por qysh prej 1935-ës është krijuar traditë që të gjitha zgjedhjet (të përgjithshme, lokale, referendum, apo të pjesshme) janë mbajtur ditë të enjte. Sistemi zgjedhor që përdoret është mazhoritar i pastër, dmth kandidatët konkurojnë ballë për ballë me njëri tjetrin dhe kush fiton më shumë vota “kalon provimin” dhe ulet në Parlament si përfaqësues i zonës elektorale që e ka votuar.

Në ditën që zyrtarisht fillon fushata elektorale (për këto zgjedhje ishte data 30 Maj 2024), parlamenti paraardhës shpërndahet dhe asnje nga deputetët nuk është më Anëtar Parlamenti (deputet). Pra për 5 javë, nuk ka deputet apo Parlament. Kësisoj, parlamenti nuk mund të shqyrtojë apo miratojë më ligje deri në zgjedhjen e parlamentit të ri. Ata që rikonfirmohen nga anëtarësia e zonës elektorale të partisë sipas parimit një anëtarë një votë (me disa përjashtime specifike), si kandidatë të një partie ose si të pavarur, konkurojnë. Me fjalë të tjera, me shpërndarjen e parlamentit, janë krijuar 650 vende pune dhe kandidatë nga parti të ndryshme ose të pavarur aplikojnë për punë para elektoratit ku  kandidati që del më mire në provimin e ditës së votimit (me më shumë vota), merr përgjegjësinë për të përfaqësuar zonën elektorale në Parlamentin e ri. Mesatarisht duhen rreth 40,000 vota për të marrë mandatin e deputetit, sipas zonave dhe numrit të konkurentëve për çdo zonë elektorale.

Brenda pak orëve nga mbyllja e kutive të votimit (ora 22.00), nxirret rezultati një nga një për secilën nga zonat elektorale ku të gjithë kandidatët njoftohen paraprakisht për numrin e votave që secili prej tyre ka marrë por nuk lejohen ta bëjnë publike derisa të gjithë konkurentët paraqiten në një platformë të përbashkët dhe kryetari i Komisionit Zgjedhor të zonës (Returning Officer) njofton numrin e votave të marra nga secili kandidat dhe shpall fituesin. Që nga ky moment, fituesi është Anëtar i Parlamentit (deputet) dhe tradicionalisht kandidati i dytë për nga numri i votave e uron fituesin dhe debati zgjedhor  mbyllet aty. Deputeti I zgjedhur, është deputet i të gjithë qytetarëve të zones, pavarsisht përkatësisë partiake dhe u shërben të gjithëve njësoj. Besimi në komisionet zgjedhore dhe numëruesit (profesionistë, jo të vendosur nga partitë politike), është shumë i madh ndaj rinumërimi ndodh rrallë për të shmangur ndonjë gabim të mundshëm njerëzor kur diferenca midis dy kandidatëve është tepër e vogël.

Zgjedhjet e nesërme janë historike për Mbretërinë e Bashkuar në shumë dimensione. Ata janë të parat qysh prej largimit formal të saj nga BE (pavarësisht se referendumi Brexit ishte ne Qershor 2016, largimi formal i Britanisë nga BE ka ndodhur në fund të 2021), por edhe sepse pritet që të kemi një ndryshim të pushtetit nga partia Konservatore që ka udhëhequr vendin për 14 vite, në partinë Laburiste të opozitës së sotme. Sir Keir Starmer, lideri laburist pritet të triumfojë në këto zgjedhje sipas të gjitha sondazheve pas lodhjes së madhe të elektoratit nga koha e gjatë e konservatorëve në pushtet dhe gabimet e skandalet e shpeshta të tyre, sidomos përgjatë viteve të fundit. Mbetet për tu parë nëse fitorja e laburistëve do të eklipsojë atë të Tony Blair (laburist) në 1997, Margaret Theatcher (konservator) në 1979 apo Clement Attlee (laburist) në 1945. Të gjitha sondazhet dhe në mënyrë konsistente e nxjerrin partinë Laburiste me mbi 20% para konservatorëve dhe në qoftë se kjo replikohet nesër në realitet do të kemi një qeveri të Sir Keir Starmer me një shumicë të shëndetshme.

Komuniteti shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar është sinjifikativ në numër dhe i mirëintegruar në jetën britanike duke përfshirë edhe atë politike. Në shumë zona elektorale, sidomos në Londër por edhe në Oxford, Bristol apo Manchester numri i votuesve me origjinë nga e gjithë hapësira shqiptare është domethënës dhe me ndikim në rezultatin për rreth 20 zona elektorale. Për më tepër, faktori shqiptar është I lidhur ngushtë dhe bashkpunon shpesh me aktivitetet e partisë laburiste. Shqiptarët i janë mirënjohës shtetit dhe popullit britanik që i ka pritur, dhe ndihen krenarë që ata tashmë janë kontribues në jetën aktive dhe vibrante të vendit. Mikpritja e mijëra shqiptarëve sidomos përgjatë viteve të vështira 1990, lufta e drejtë për çlirimin e Kosovës nga Tony Blair dhe aleatët në 1999 dhe mbështetje e vazhdueshme e dy shteteve të kombit shqiptar, janë vlera demokratike që shqiptarët i vlerësojnë dhe për të cilat i janë mirënjohës.

*Deputet i Kuvendit të Shqipërisë

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular