Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi pjesërisht ligjin për tatimin mbi të ardhurat, duke sjellë si pasoje mosaplikimin e tatimit 15% menjëherë d.m.th. që nga 1 janari 2024 për të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime profesionale ka krijuar një situatë pak konfuze te subjektet që preken nga ky vendim.
Sipas Tatimeve janë 25 mijë subjekte që janë klasifikuar si profesione të lira.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mor në datën 27 qershor. Ndërkohë 1 korriku (pasi data 30 ishte e diel) ishte afati i fundit për subjektet që ta paguanin këstet paraprake të tatimit të thjeshtuar për 6-mujorin e parë të vitit.
Shumë prej tyre nuk kishin paguar pasi ishin në pritje të vendimit të Kushtetueses. Ndërsa vendimi i Kushtetueses ishte në favor të profesioneve të lira, dilema lidhet me faktin që ai nuk ka hyrë në fuqi, pasi nuk është botuar ende në Fletoren Zyrtare.
”Pa u botuar vendimi nuk ka hyrë në fuqi, si rrjedhojë ligji është në fuqi me të gjitha efektet. Pra duhet të paguhet”, thotë Jordan Daci, avokat për çështjet kushtetuese.
Por, gjithsesi ai sqaron se në momentin, që do të bëhet vendimi zyrtar principali do të bjerë. Si rrjedhojë nuk është se ka vlerë të paguhet. “Për mua nuk ka vlerë të paguhet dhe merr gjobe nëse gjoba është më pak se kësti”.
Bizneseve nuk u dalin në sistem gjobat
Pikërisht problemi tjetër qëndron te gjoba, në rast se nuk paguhet principali. Neni 114/1 i procedurave tatimore parashikon që mospagimi në afat i kësteve paraprake dënohet me gjobë të masës “0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, por jo më shumë se 365 ditë kalendarike”.
Nga verifikimet e Monitor në terren rezulton se ditën e sotme, të gjitha bizneseve (jo vetëm atyre të profesioneve të lira) nuk u kanë dalë në sistem gjobat. E njëjta gjë ka ndodhur më herët edhe në muajin prill teksa po punohet për zbatimin e një sistemi të ri.
Për profesionet e lira si avokatë, kontabël etj nuk janë gjeneruar në sistem as këstet e muajit korrik.
Çfarë do bëhet me ata që kanë paguar, a do ti marrin paratë mbrapsht?!
Ka një pjesë të bizneseve që e kanë paguar këstin parapagim të tatimfitimit të thjeshtuar për 6-mujorin e parë të vitit.
Tatimet dhe financat kanë pohuar se ata nuk mund të komentojnë përderisa nuk është zbardhur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, teksa po presin daljen e tij, në mënyrë që të mos rëndohen bizneset. Ne çdo rast do zbatohet ligji.
Avokati Jordan Daci thotë se vendimi nuk ka efekt prapaveprues vetëm nëse shprehimisht e urdhëron gjykata këtë gjë, sipas ligjit të Gjykatës Kushtetuese. “Por janë me gishta rastet kur i kanë dhënë efekt prapaveprues”.
Por, avokati Sajmir Laçej pohon se këstet e paguara janë paradhënie dhe si rrjedhojë nuk ka lindur detyrimi tatimor.
“Detyrimi lind kur bëhet vetë deklarimi pas mbylljes së vitit ushtrimor”, pohon ai, duke cituar ligjin Nr.8577, datë 10.2.2000 (ndryshuar me ligjin nr.99/2016), PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATËS KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, sipas të cilit:
Vendimi ka fuqi prapavepruese
c) ndaj pasojave ende të paezauruara tè ligjit apo aktit normativ te shfuqizuar.
Si rrjedhojë, sqaron Laçej:
1. Përgjegjësia Tatimore është vjetore dhe lind mbas dorëzimit të pasqyrave financiare 31 Mars 2025
2. Tatim Paguesit paguajnë këste në formë paradhënie (pa ezauruar parashikimet ligjore )
3. Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dispozitat ligjore që parashikonin tatim 15% për profesionistët e lirë si Antikushtetuese.
Laçej pohon se në bazë të një sondazhi që ka bërë ai me rreth 160 profesionistë të lirë, ka rezultuar se rreth një e treta e tyre i kanë paguar këstet.