Nga Bujar Leskaj
Misioni dhe detyrat parësore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale janë të garantojnë informimin e plotë dhe transparent të qytetarit dhe opinionit publik, lidhur me aktivitetin dhe rezultatt e institucioneve publike, dhënien në kohë dhe me plotësi të informacioneve të kërkuara nga qytetarët, si dhe mbrojtjen e të dhënave personale sensitive të qytetarëve.
Edhe për vitin 2023, ky mision dhe këto detyra nuk janë permbushur. Arësyet kryesore janë:
- Kufizime të rënda në aksesin për informacion
Dëshmi të shumta të sjella nga vetë qytetarët, por edhe gazetarët investigativë, flasin për refuzime të shpeshta të institucioneve publike për të dhënë informacionin e kërkuar, me pretendimin se nuk kanë staf dhe kohë të mjaftueshme për t`i përgatitur informacionet.
Bëhet fjalë për një strategji dhe taktikë të qëllimshme nga autoritetet publike, për të mos e publikuar informacionin që u kërkohet, të mbështetur dhe inkurajuar nga Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, me heshtjen dhe mosveprimin e saj.
Rreziku i të ashtuquajturit Programi i Transparencës së institucioneve shtetërore, të shpallur me butafori nga qeveria dhe të vlerësuar nga Komisioneri si arritje madhore në fushën e informimit publik, qëndron në ofrimin e informacioneve të gatshme, të vëna enkas në dispozicion të qytetarit dhe gazetarit, për të mbuluar fshehjen e së vërtetës, e problematikave të mprehta të veprimtarisë së institucionit dhe e dështimeve të mundshme të tij, me gazetarët qe rrezikojnë të shndërrohen lehtësisht në bashkë-propagandues të manipulimit.
Refuzimi nga Komisioneri i kërkesës së gazetarëve për të ditur numrin e ankesave që u refuzuan, pa marrë asnjë njoftim nga autoritetet publike, nga totali i mbi 1 mijë ankesave që Komisioneri merr në vit, dëshmon dëshirën e ethshme të institucionit për të mos ekspozuar shkallën e shpërfilljes së qytetarëve prej autoriteteve publike, si dhe vë dyshime të thella mbi seriozitetin e Komisionerit në misionin e tij të zbatuesit të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën për Informim” dhe në rolin e mbikëqyrësit të plotësisë, cilësisë dhe transparencës së informimit publik për qytetarin dhe gazetarin. Të mos harrojmë se dy nga pesë ankesat që merr Zyra e Komisionerit, vijnë nga gazetarët.
- Tallja me instrumentin e Indeksit të Transparencës Proaktive
Katër vite më parë, në vitin 2020, Zyra e Komisionerit themeloi Instrumentin e Indeksit të transparencës, duke e propoganduar si një matës të transparencës proaktive të qeverisë, treguesit e të cilit do të shtoheshin vit pas viti, së bashku me autoritetet publike të përfshira.
Katër vjet pas hartimit të Instrumentit, mjafton të monitorojmë zbatimin e vetëm njërit prej nëntë treguesve të Indeksit, dhe pikërisht Programin e Transparencës, në të cilin përfshihen kategoritë e informacionit, që bëhet publik pa pagesë, për të kuptuar se kjo nismë ka dështuar.
Ato që vlejnë më shumë në kategorinë e informacioneve të tilla, jo vetëm për gazetarinë hulumtuese, por veçanërisht për interesin e lartë publik që mbartin, janë procedurat e prokurimit dhe të hartimit e zbatimit të kontratave koncesionare, duke lënë mënjanë informacione të tipit: CV-ja e titullarit, të dhëna mbi vendndodhjen e zyrave, funksionet dhe detyrat e autoritetit në fjalë etj.
Ndonëse ligji Nr. 119/2014 “Për të Drejtën për Informim” mundëson publikimin proaktiv, për vite me radhë, publikimi i kontratave koncesionare dhe ecuria e zbatimit të tyre ka qenë tabu. Vlerësimet më të fundit të Indeksit të Transparencës Proaktive, të kryer nga Zyra e Komisionerit, kane përzgjedhur si autoritete shumë transparente, pra më të mirat, edhe Kryeministrinë, së bashku me ministritë më të rëndësishme të vendit.
Nga vrojtimi nga shoqëria civile e Programit të Transparencës në këto institucione publike, konstatohet se asnjëra prej tyre nuk i ka publikuar kontratat koncesionare në fjalë. Shumë prej linqeve rezultojnë të rreme, ndërkohë që të tjera linqe devijojnë, duke na dërguar te Buletini Online i Agjencisë së Prokurimit Publik (APP), ku qytetari humbet nëpër dhjetëra e dhjetëra linqe të tjera e të panevojshme.
Zyra e Komisionerit nuk shpjegon se mbi cilat kritere shkencore u caktuan treguesit e Indeksit, por pranon faktin se kjo u krye nga burime të brendshme, duke përzgjedhur ato kategori informacioni, ndaj të cilave qytetarët kishin treguar interes.
Nuk kuptohet se si Komisioneri vijon që të ruajë të njëjtat kritere përzgjedhëse, duke u mbështetur mbi preferencat e qytetarëve (anonimë), ndonëse në tre vitet e fundit janë gazetarët ata që i dominojnë kërkesat, si në aspektin sasior, ashtu dhe në atë të përmbajtjes.
- Marifeti me trajtimin e një numri të madh ankesash si “Kthim pergjigje…”
Në ankesat që i adresohen Zyrës së Komisionerit, kjo Zyrë pranon të drejtën e qytetarit për t’u informuar, por në praktikë bën shumë pak përpjekje reale për të garantuar zbatimin e kësaj të drejte tek institucioni publik që e ka shkelur atë, me mospërfilljen apo dhënien e një përgjigjeje jo shteruese. Për çështje sensitive ose që shqetësojnë opinionin publik, përgjigjet e institucioneve publike ndaj kërkesave për informim janë formale dhe në tërësi fshehin të vërtetën, duke devijuar qëllimisht thelbin e informacionit.
Zyra nuk e ka përdorur shpesh presionin dhe shembullin pozitiv të “sanksionit publik”, përmes publikimit të vendimeve të saj dhe shpërndarjes së tyre me anë të mediave. Kjo dëshmon për një mangësi të madhe të saj.
Sipas disa organizatave joqeveritare, në çdo 100 ankesa lidhur me te drejten per informim nga gazetaret, vetëm 3 janë në favor të aksesit për informacion. Pjesa tjetër e tyre shpërfillet ose lihet në heshtje.
Kohët e fundit, një proces edhe më i rafinuar, i nxitur nga vetë Zyra e Komisionerit, po thellon raportin mes numrit në rritje të ankesave dhe rënies së vendimmarrjeve që detyrojnë institucionet shtetërore ta japin informacionin.
Ky proces është klasifikimi i një numri ne rritje ankesash, si “kthim përgjigjeje”. Në këtë mënyrë, ndaj tyre nuk merret asnjë vendim nga Komisioneri.
Sipas ligjit 119/2014 “Për të Drejtën për Informim”, ankesat ndjekin dy rrugë: pranohen ose nuk pranohen. Në vijim të procedurës, pranimipërfundon, ose me urdhërimin e Komisionerit për të dhënë informacionin, ose me rrëzimin e ankesës.
Zyra e Komisionerit duket se ka shpikur edhe një rrugë të tretë, të ashtuquajturën “kthim përgjigjeje”, e ngjashme me dredhinë “përgjigje pa përgjigje”, që aplikohet rëndon nga autoritetet publike, që synojnë mosdhënien e informacionit.
Situata rëndohet edhe më shumë, pasi “kthimi i përgjigjes” nuk regjistrohet as në praktikën vendimmarrëse të Zyrës. Kjo, ngaqë teknikisht, hileja “kthim përgjigjeje” është thjesht një rekomandim dhënieje përgjigje, por pa e caktuar datën e dhënies. Mos-caktimi i saktë i kohës e bën aktin “kthim përgjigjeje” që të mos t`i plotësojë kushtet formale për t’u konsideruar një vendim. Kjo, pasi, që të jetë një i tillë, ai duhet që të ketë afatin e saktë se në ç’datë do të zbatohet nga autoriteti.
Një hile e tillë e Zyrës së Komisionerit shton mundësinë e refuzimit të kërkesës për informacion nga institucioni shtetëror, pasi ky i fundit mund ta zgjasë dhënien e informacionit të kërkuar edhe nga “Kthm Përgjigjeje…”, deri në pafundësi.
Ky marifet po dëmton rëndë transparencën dhe llogaridhënien reale të qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore.
- Vijon mosveprimi, lidhur me përgjegjësitë dhe sanksionet ndaj institucioneve publike që lejuan rrjedhjen e të dhënave sensitive të qytetarëve në dhjetor 2021
Lind pyetja: pas zero veprim ne vitin 2022, sa thirrje publike ka adresuar, sa konferenca shtypi ka organizuar dhe sa fushata ndërgjegjësimi ( për të mos folur për vendime dhe sanksione administrative) ka bërë Zyra e Komisionerit gjatë vitit 2023, skandalit të publikimit në rrjetet sociale në dhjetor 2021 të pagave të mbi 637 mijë punonjësve në sektorin privat dhe atë publik, së bashku me të dhënat e kartës së identitetit dhe vendit të punes, si dhe skandalit të publikimit të targave të automjeteve të shqiptarëve po në dhjetor 2021?
Sa hetime të thelluara administrative ka realizuar Zyra e Komisionerit, pas publikimit të skandaleve, pranë institucioneve shtetërore përgjegjëse për administrimin e bazës së të dhënave për pagat dhe për targat e automjeteve? Zero!
xxx
Ka dhe shumë arësye të tjera, por këto katër janë mëse të mjaftueshme, për të kuptuar se Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk e ka kryer misionin e saj gjatë vitit 2023.
Zyra e Komisionerit duhet të punojë me këmbëngulje dhe përkushtim për rritjen e imazhit dhe besueshmërisë së saj në publik. Sot janë me qindra, në mos mijëra raste në vit, të shkeljes së të drejtës për informim dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, të cilat nuk i raportohen Zyrës, vetëm nga mungesa e besimit të qytetarëve se Zyra do të të mbarojë punë.
Zyra e Komisionerit duhet të thellohet shumë më tepër në hetimet administrative që ndërmerr dhe të realizojë shumë më tepër hetime të tilla të thelluara, në perputhje me ankesat që i vijnë dhe me denoncimet e shpeshta ne media, të shkeljeve të së drejtës për informim dhe dhunimit të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
Zyra duhet të adresojë me seriozitet dhe të japë propozime për përmirësim ligjor, ndaj problematikës së hasur dendur lidhur me mënyrat e dhënies së informacionit të kërkuar, nga ana e autoritetit publik.
Aktualisht ligji i lë “dorë të lirë” autoritetit publik për të vendosur ndaj formës së dhënies së informacionit, që nuk ka të bëjë me një dokument të shkruar. Kjo e vështirëson marrjen e informacionit të kërkuar nga qytetari.