Mijëra qytetarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe personalitete të larta shtetërore e politike nga këto vende përcollën sot me nderime shkrimtarin e shquar shqiptar Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë dy ditë më parë në moshën 88 vjeçare, pasi botoi krijimtarinë e tij për 70 vjet.
Kolegët e tij shkrimtarë e vlerësuan Kadarenë për thellësinë dhe stilin artistik në romane, novela, tregime, poezi dhe ese
Ndërsa në ceremoninë zyrtare, u theksua pasurimi i jashtëzakonshëm që Ismail Kadareja i bëri gjuhës shqipe në lëvrimin letrar të saj, ashtu edhe në fjalëformimin e rrallë, që ai krijoi.
Qytetarë e artdashës, adhurues të shkrimtarit Ismail Kadare erdhën sot në Sheshin Skënderbej me kurora e tufa lulesh për t’i dhënë lamtumirën e fundit autorit të tyre të dashur.
Shumë prej tyre mbërritën në Teatrin e Operas dhe Baletit pas udhëtimesh të gjata nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në nderimet ceremoniale për shkrimtarin e shquar, krahas kolegëve dhe miqve të tij të shumtë.
“Është padyshim një humbje e madhe për kulturën shqiptare, për letërsinë shqiptare, për qytetarinë shqiptare. Mungesa e tij fiike do të ndjehet, por ne kemi fatin e madh që veprën e tij e trashëgojmë të plotë në sajë të përkujdesjes së Botimeve Onufri dhe të atij vet. Tani Kadare hyri në mesin e shkrimtarëve, për të cilët studiohen vetëm veprat”, thotë për Zërin e Amerikës shkrimtari Besnik Mustafaj.
Shkrimtarët shqiptarë, që morën pjesë në ceremoni, e vlerësuan Ismail Kadarenë si autorin më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare dhe si krijuesi që ka ndikuar e do të ndikojë më shumë kulturalisht tek qytetarët shqiptarë në shumë breza.
“Secili prej nesh ka marrë diçka prej Ismailit në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetdijshme. Do ta cilësoja atë në raport me dy epoka të mëdha historike: Kemi “Mesharin” e Gjon Buzukut, si vepra e parë e shkruar në gjuhën shqipe dhe kemi Kadarenë, “Mesharin” e letërsisë moderne të gjuhës shqipe”, thotë për Zërin e Amerikës dramaturgu Ruzhdi Pulaha.
studiuesit besojnë se Kadareja tejkaloi kufijtë e diktaturës, përmes veprave me vlera universale, që përfaqësonin vlerat e qytetërimit të kombit shqiptar në histori, megjithëse krijoi në vitet më të errëta të izolimit të thellë të vendit nga Perëndimi gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar.
“Sa i takon brezit tim, ai e çoi shoqërinë shqiptare në nivelin më të lartë. Ai e kapërceu nivelin e një shkrimtari të thjeshtë dhe u shndërrua në një emancipues shpirtëror të shoqërisë shqiptare. Na emancipoi”, thotë për Zërin e Amerikës shkrimtari Ylljet Aliçkaj.
Nderimeve për shkrimtarin Kadare iu bashkuan personalitetet më të larta shtetërore të Tiranës, presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, si dhe politikanë të njohur nga Maqedonia e Veriut, e krahas tyre edhe shumë akademikë e studiues, si akademike Justina Shiroka Pula, që erdhi nga Kosova për ceremoninë e sotme në Tiranë.
“Ismail Kadareja është emblema e letërsisë shqipe, europiane dhe më gjerë. Jemi shumë krenarë që e kemi patur dhe besoj se gjeneratat e reja të vazhdojnë të lexojnë veprat e tij, të mësojnë nga veprat e tij dhe të vazhdojnë atë kulturën, edukatën dhe atë cakun, të cilin ai e ka patur për kombin, për shqiptarët dhe për njerëzimin”, thotë për Zërin e Amerikës akademike Justina Shiroka Pula, anëtare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ceremonialit iu bashkuan edhe diplomatë perëndimorë, shumë prej të cilëve i kanë lexuar romanet e Ismail Kadaresë, të cilat janë përkthyer në disa dhjetëra gjuhë të ndryshme.
“Leximi i librave të Kadaresë më ka dhënë të kuptoj kompleksitetin e shoqërisë shqiptare dhe të historisë së Shqipërisë përmes një prekjeje shumë njerëzore. Kam qenë në Gjirokastër, një qytet që e dua shumë. Pas kësaj vizite, kam lexuar romanin “Kronikë në gur” dhe më erdhi si një vepër shumë e gjallë dhe njerëzore me ngjarjet e shumta. Ai ishte njeri fantastik, dhe veprat e tij kanë një sens humori si dhe thellësi të brendshme në psikologji njerëzore, jo vetëm shqiptare. Kjo është e humbje e madhe, por vepra e tij është ende aty dhe ajo është mënyra më madhështore për ta paraqitur Shqipërinë në botë”, thotë për Zërin e Amerikës ambasador Silvio Gonzato, drejtues i Delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Ndërsa jashtë në sheshin Skënderbej qytetarë të shumtë prisnin radhë për homazhe, brenda në sallën e Operas, arkëmorti i shkrimtarit të shquar prehej nën shaminë bardheblu të Misionit të Shenjtores Nënë Tereza, ndërsa dy duar të bardha luteshin sipër tij,me rruzaret e njohura të nënë terezës, duke u kujtuar të gjithëve një tjetër shqiptare të madhe me famë botërore, Nobeliste e Paqes.
“Shkrimtari kombëtar Ismail Kadare e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur nga asnjë lëvrues i saj, dhe letërsinë shqipe e ngjiti në panteonin botëror letrar. Nën hijen e shqiptares që i takon botës bëhet përcjellja më e mirë nga jeta e shqiptarit që i takon botës, i cili e kishte Nënë Terezën shenjtoren e tij të dashur”, tha në ceremoni kryeministri Edi Rama.
Shkrimtari Ismail Kadare u largua nga kjo jetë më 1 korrik në moshën 88 vjeçare pas 7 dekada krijimtari nga rinia e deri para një viti, kur botoi dhe ribotoi me kujdesin më të madh gjithë veprat e tij, ndërsa ishte anëtar i katër akademive të shkencave dhe arteve në rajon dhe Europë.
Akademikët besojnë se studimet mbi veprën e tij tani do të vazhdojnë e të thellohen më tej brenda dhe jashtë vendit për shumë kohë.