BallinaKryesoreKQZ shpalli vakancën për mandatin e Fredi Belerit, Këshilli i Ministrave nis...

KQZ shpalli vakancën për mandatin e Fredi Belerit, Këshilli i Ministrave nis procedurën për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës!

spot_img
spot_img

Këshilli i Ministrave ka nisur procedurën për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, pasi KQZ shpalli sot të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit, duke hapur kështu vakancën për një kryetar të ri.

Me anë të një kërkesë zyrtare drejtuar Presidentit Bajram Begaj, Sekretari i Përgjithshëm, Engjëll Agaçi, ka njoftuar kreun e shtetit për krijimin e vakancës për kryetar të Bashkisë Himarë, duke kërkuar kështu caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme, brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor.

“Nisur nga sa më sipër dhe në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor përkatësisht neni 10 i Kodit, si dhe neni 61, paragrafi 4, i ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, ju njoftojmë për krjimin e vakancës për kryetar të Bashkisë Himarë, e si rrjedhim caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor”, thuhet në kërkesë.

Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shpallur sot (5 korrik) të pavlefshëm mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, argumentoi se nuk do të kishte kuptim ligji i dekriminalizmit nëse nuk i hiqej mandati vetëm sepse ai ishte dënuar pasi ishte shpallur fitues i garës për bashkinë.

“Kemi një kryetar të zgjedhur që nuk është në detyrë për ato arsye që janë bërë publike dhe pse me KQZ është shpallur fitues. Nëse ndalojmë dikë të kandidojë dhe i themi vazhdo qëndro në detyrë edhe pse ke kryer një nga ato vepra për të cilat ligji të ndalon të kanidosh, nuk ka kuptim ligji i dekriminalizimit. Duhet ta pranoj se kaq qartë dhe literale në ligj nuk është e shkruar, por në kuptim dhe interpretimit të qëllimit të atij ligji mendoj se kjo është shumë e qartë.

Nuk jam në pozitën për të komentuar sesi kemi ardhur në këtë situatë, por kjo është situata, që ai ka një vendim të formës së prerë. Mendoj se jemi ne kushtet e humbjes se mandate të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes së këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, u shpreh Celibashi.

Dokumenti

Lënda: Njoftim për krijimin e vakancës në Bashkinë Himarë pas shpalljes së pavlefshmërisë së mandatit të kryetarit të Bashkisë Himarë, zotit Dhionisios (Alfred) Petro Beleri

I nderuar,

Në zbatim të ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është organi kompetent për administrimin, verifikimin, zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin për funksionet publike etj.

Me vendimin nr.69, datë 5.7.2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nëpërmjet Komisionerit Shtetëror konstatoi pamundësinë e ushtrimit të detyrës nga kryetari i zgjedhur i bashkisë, zoti Dhionisios (Alfred) Petro Beleri dhe si pasojë ka shpallur të pavlefshëm mandatin e kryetarit të bashkisë, pasi ai është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal. Kjo vepër hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie etj.

Në lidhje me këtë vendimmarrje kemi marrë njoftim zyrtar nga ana e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve

Nisur nga sa më sipër dhe në zbatim të detyrimeve ligjore që burojnë nga Kodi Zgjedhor përkatësisht neni 10 i Kodit, si dhe neni 61, paragrafi 4, i ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, ju njoftojmë për krjimin e vakancës për kryetar të Bashkisë Himarë, e si rrjedhim caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë Himarë brenda afateve që përcakton ligji zgjedhor.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

Engjëll AGAÇI

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular