BallinaKryesoreA mund t’i shpëtojë bota e pasur krizës së foshnjave? Qeveritë po...

A mund t’i shpëtojë bota e pasur krizës së foshnjave? Qeveritë po shpenzojnë miliarda për të shmangur katastrofën, por…

spot_img
spot_img

Qeveritë po shpenzojnë shumë për të shmangur katastrofën, shkruan The Economist

Tri dekada më parë, kur arritën moshën e pjellorisë, gratë që tashmë janë në të dyzetat, qeveritë e Azisë Lindore kishin arsye për të festuar.

Nëse një grua koreanojugore do të ndiqte të njëjtën prirje si bashkatdhetaret më të mëdha, ajo do të sillte në jetë mesatarisht 1.7 pasardhës, nga 4.5 në vitet 1970.

Në të gjithë rajonin, politikat e zbatuara kishin ulur në mënyrë të jashtëzakonshme shtatzënitë e adoleshenteve. Rënia e nivelit të lindjeve që ndodhi gjatë një brezi të vetëm, ishte një sukses mahnitës.

Por kjo rënie vazhdoi, gjatë e më gjatë, derisa u kthye në problem.

Tani, një grua nga Koreja e Jugut, që arrin moshën e pjellorisë, do të ketë mesatarisht vetëm 0.7 fëmijë gjatë viteve të lindjes, nëse ndjek shembullin e bashkëmoshatareve më të mëdha.

Që nga viti 2006, qeveria koreanojugore ka shpenzuar rreth 270 miliardë dollarë, ose pak më shumë se 1% e PBB-së në vit, për të nxitur lindjet në vend, duke ndërmarrë masa nga më të ndryshmet, si ulja e taksave për prindërit, kujdesi për nënat e reja, madje edhe takime romantike të sponsorizuara nga shteti.

Kur normat e lindjeve filluan të bien, askush nuk mund ta kishte përfytyruar sa e vështirë do të ishte t’i nxisje gratë që të kishin më shumë fëmijë në të ardhmen.

Kjo dukuri që nisi në Azinë Lindore, po përhapet gjithnjë e më shumë gjetiu. Bota po vuan nga mungesa e foshnjave. Nga shtetet e pasura, vetëm në Izrael po lindin mjaftueshëm fëmijë për të ndaluar tkurrjen e popullsisë dhe në shumicën e shteteve, normat e lindjeve po bien (shih grafikët 1 dhe 2).

Si pasojë, politikanët po shqetësohen gjithnjë e më shumë. “Forca e një kombi, – tha presidenti francez Emmanuel Macron, – qëndron në aftësinë e tij për të pasur një normë dinamike të lindjeve”. Elon Musk, pronari i kompanive Tesla dhe X, parashikon fundin e qytetërimit për shkak të uljes së lindshmërisë.

Pothuajse çdo shtet i pasur ka shqyrtuar si mundësi politikat për nxitjen e lindshmërisë, si dhe shumë shtete me të ardhura mesatare. Në janar, presidenti Macron nisi një fushatë “për të riarmatosur demografikisht” Francën (armët e tij të zgjedhura ishin testet e fertilitetit dhe zgjatja e lejes së lindjes).

Donald Trump ka premtuar “shpërblime për bebet, për një lulëzim të lindjeve”, nëse do të fitojë zgjedhjet në nëntor.

Kina, që kishte ndjekur prej kohësh një politikë që nuk lejonte lindjen e më shumë se një fëmije, tani po jep shpërblime për të rritur lindjet, si kujdesi për fëmijët dhe lehtësimet tatimore, në mënyrë që t’i nxisë prindërit të kenë tre fëmijë. A do të mjaftojnë politika të tilla për të shmangur katastrofën demografike?

Masat e tanishme, më së shumti ndihmojnë nënat në karrierë. Në të gjithë Europën, shumica e ndihmave financiare lidhen me të ardhurat e fituara, në formën e pagesave shtetërore të lejes së lindjes dhe lehtësimit tatimor mbi të ardhurat.

Në Singapor, prindërit marrin ndihma financiare të njëpasnjëshme, por vetëm për depozitat e shtëpive, që janë përtej mundësive të familjeve të varfra. Norvegjia u ofron nënave gati një vit leje nga puna, dhe shteti mundëson ndihma bujare dhe ndihmon shumë me kujdesin e fëmijëve.

Edhe përpara se presidenti Macron të shpallte masat e reja, Franca shpenzonte shumë para për politikat familjare (shih grafikun 3). Që nga fillimi i mijëvjeçarit, ajo ka shpenzuar rreth 3.5-4% të PBB-së në vit për ndihma financiare, shërbime për kujdesin e fëmijëve dhe lehtësime tatimore.

Franca është shteti që shpenzon më tepër për politikat pro lindjes, në grupin OECD, një klub që përbëhet kryesisht nga shtetet më të pasura të botës. Por në vitin 2022, në Francë lindën më pak foshnja se në çdo periudhë kohore që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në mënyrë të ngjashme, Koreja e Jugut nuk ka arritur ndonjë rezultat konkret me shpenzimet e saj në politikat pro lindjes: nuk është botuar asnjë studim serioz që të tregojë se në vend ka ndodhur qoftë edhe një lindje e vetme shtesë, falë miliardave të shpenzuara nga qeveria.

Sidoqoftë, në vendet nordike, studiuesit zbuluan një rritje të vogël, por të qëndrueshme të lindjeve, që kishte ardhur si rrjedhojë e politikave pro lindjes, të cilat ndërthurin lejen e lindjes, me ndihmën bujare për kujdesin e fëmijëve.

Në vitet 1980, zyrtarët prisnin që ndikimi i këtyre skemave nxitëse të rritej me kalimin e kohës, ndërkohë që qëndrimet sociale po përshtateshin për ta bërë jetën më të lehtë për nënat në karrierë.

Por gratë në Danimarkë, Norvegji dhe Suedi që filluan të kishin fëmijë në vitin 1980, lindën më pak se gratë një dekadë më parë. Në fakt, duket se janë pritshmëritë e nënave të ardhshme ato që kanë ndryshuar: ndërsa gratë u mësuan me përfitime bujare financiare, mbështetja shtesë është bërë e pamjaftueshme për të nxitur lindje shtesë.

Disa skema që përpiqen të rimodelojnë shoqërinë, gjithashtu po dështojnë. Në OECD, zgjatja e lejes së lindjes po i shtyn gratë që të vonojnë lindjen e fëmijës së parë dhe që të kenë më pak fëmijë gjatë jetës, ndoshta sepse marrja e shumë lejeve të lindjes, mund të shihet me sy të keq në punë.

Çiftet heteroseksuale ku një burrë merr lejen e atësisë, kanë më pak gjasa të kenë një fëmijë të dytë, ndoshta sepse disa burra zbulojnë se rritja e fëmijëve nuk është punë e lehtë.

Mund të kenë më shumë fat qeveritë që thjesht vendosin para në xhepat e prindërve të rinj dhe i lejojnë ata të vendosin vetë si t’i shpenzojnë. Guy Laroque dhe bashkautorët e tij në Kolegjin Universitar të Londrës parashikojnë se uljet e taksave mbi të ardhurat që ka vendosur Franca, ka gjasa që të rrisin numrin e fëmijëve për një grua.

Ndihmat financiare mujore që mundëson Izraeli, ndoshta do të kenë efekte të ngjashme, sipas Alma Cohen nga Universiteti i Tel Avivit. Por politika të tilla kanë një ndikim relativisht të vogël, dhe janë gjithashtu tepër të shtrenjta, sepse shumë para shkojnë për prindër që gjithsesi do të kishin pasur fëmijë, edhe pa ndihma financiare nga shteti.

Çdo fëmijë që lindi në Poloni pas paraqitjes së skemës së bonuseve financiare “Familja 500+”, nga viti 2016 deri në 2019, kushtoi 1 milion dollarë. Në Francë, çdo fëmijë shtesë gjatë dekadës së fundit, ka kushtuar dy herë më shumë.

Ideja pas politikave të tilla i ka rrënjët që nga hyrja në masë e grave në fuqinë punëtore, që ndodhi pothuajse në të njëjtën kohë kur lindshmëria nisi rënien e gjatë.

Gary Becker, ekonomist fitues i çmimit “Nobel” në vitet 1960, tha se fëmijët duhet të shihen si mallra që blihen, në kuptimin që, sa më shumë para të kenë prindërit, aq më shumë fëmijë do të bëjnë dhe anasjelltas. Ai doli në përfundimin se lehtësimi i barrës së karrierës dhe zgjerimi i buxheteve shtëpiake, duhet të nxisin lindjen e fëmijëve.

Ulja e lindshmërisë

Sidoqoftë, rënia e normave të lindshmërisë është një dukuri më e ndërlikuar. Në përgjithësi, ajo nuk pasqyron ndryshimin e zakoneve të profesionistëve, siç pretendojnë teoritë e ekonomistit Becker. Në fakt, nivelet e lindjeve kanë rënë, sepse gratë e reja nuk po lindin më aq shumë fëmijë.

Në vitin 1960, gratë amerikane kishin mesatarisht 3.6 fëmijë. Në vitin 2023, ato kishin 1.6 fëmijë. Çuditërisht, gratë e moshës mbi 30 vjeç, po lindin më shumë fëmijë. Vetëm gratë më të reja po lindin më pak (shih grafikun 4).

Për më tepër, rënia e lindjeve nga gratë më të reja ka ndodhur më tepër tek adoleshentet. Më shumë se gjysma e rënies së shkallës së përgjithshme të lindshmërisë në Amerikë, ka ardhur për shkak të femrave nën moshën 19 vjeç, të cilat tani nuk kanë pothuajse asnjë fëmijë.

Rreth një e treta e lindjeve “të munguara”, do të kishin qenë shtatzëni të paplanifikuara, dhe shumica e tyre do të kishin qenë shtatzëni të grave me të ardhura të ulëta. Siç vëren Kathryn Edin, një sociologe në Universitetin Princeton, e cila ka intervistuar gratë e varfra në Amerikë që nga vitet 1990: “Kur fillova studimin, këto gra po i lindnin fëmijët e parë në moshën 16 ose 17 vjeçe.

Tani, nëse një grua lind fëmijë nën moshën 25 vjeçe, mendohet se diçka nuk ka shkuar mirë në jetën e saj”.

Në mënyrë të ngjashme, në Britani, femrat e lindura në vitin 2000, lindën mesatarisht një e dyta më pak fëmijë deri në moshën 20 vjeçe, në krahasim me femrat e lindura në vitin 1990. Këto gra ndoshta nuk do të kenë fëmijë të tjerë në të ardhmen, për shkak të gjendjes së vështirë financiare.

Ndërkohë, nuk ka shumë prova që tregojnë se gratë e shtresës së mesme do të dëshironin të kishin pasur më shumë fëmijë. Sot, femrat amerikane të moshës 24-vjeçare dhe me diplomë universitare, duan të kenë mesatarisht 2.2 fëmijë, afërsisht aq sa brezat e mëparshëm të grave.

Tani ato do t’i lindin fëmijët pak më vonë se më parë, dhe ndoshta do ta lindin fëmijën e parë në moshën 30-vjeçare, krahasuar me 28 vjeç në vitin 2000. Edhe pse prirjet e tanishme tregojnë se gratë e sotme nuk do të arrijnë madhësinë e dëshiruar të familjes, hendeku “i pendesës” mund të jetë i njëjtë me atë të grave të brezave të mëparshëm, të cilat mesatarisht lindën 0.25 fëmijë më pak se ç’kishin dëshiruar.

Përpjekja për t’i nxitur gratë e shtresës së mesme që të kenë më shumë fëmijë, nuk ka gjasa të jetë e suksesshme. Ekonomistët mendojnë se gratë e kësaj shtrese planifikojnë dhe parashikojnë më larg në të ardhmen e tyre, sesa moshataret më pak të pasura.

Ato zakonisht e planifikojnë lindjen e fëmijëve vetëm pas përfundimit të universitetit, arritjes së synimeve profesionale dhe martesës, që do të thotë se vendimi i këtyre grave për të pasur fëmijë, ka më pak gjasa që të ndikohet nga rrethanat financiare.

Shumica e politikave që duan të nxisin lindjet, po përpiqen të bëjnë diçka shumë më të vështirë sesa thjesht të rikthejnë shifrat e mëparshme të lindshmërisë. Këta politikanë tani po përpiqen t’i bindin gratë që të kenë më shumë fëmijë sesa ato dëshirojnë në të vërtetë, dhe po e bëjnë këtë duke ofruar si karrem shuma parash që janë të vogla në krahasim me të ardhurat që fitojnë këto gra.

Gratë më të reja që i përkasin klasës punëtore ndoshta janë shansi më i mirë i politikanëve për të nxitur normat e lindjeve. Madje, janë hapur disa programe që shënjestrojnë pikërisht këto gra.

Zhejiang, një provincë në kufirin lindor të Kinës, u ofron çifteve të sapomartuara një shumë të madhe parash, por vetëm nëse nusja është nën moshën 25 vjeç. Në Rusi, gratë që lindin një fëmijë para se të mbushin 25 vjeç, së shpejti do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat.

Hungaria ofron një përfitim të ngjashëm për nënat që lindin fëmijën e parë para moshës 30-vjeçare. Kjo është vetëm një nga dy politikat pro lindjes të ndërmarra nga Viktor Orban, që ekonomistët në Universitetin e Europës Qendrore, mendojnë se ka arritur të sjellë lindje shtesë në vend.

Edhe pse familjet e vogla po bëhen më të zakonshme pothuajse kudo, gratë që lindin fëmijë në një moshë të re, zakonisht bëjnë më shumë fëmijë gjatë jetës dhe kjo është arsyeja pse Orban, Putin dhe Xi po përqendrohen tek to.

Prova të tjera tregojnë se lindshmëria e grave të klasës punëtore, është më e lidhur me rrethanat financiare sesa lindshmëria e grave më të pasura. Për shembull, në Amerikë dhe në Europë, lindshmëria e grave të varfra, ra ndjeshëm pas krizës financiare globale të viteve 2007-09.

Nga ana tjetër, gratë me arsim të lartë kishin më shumë gjasa të ndiqnin planet e vendosura dhe të bënin fëmijë, pavarësisht gjendjes financiare.

Kjo sepse gratë në karrierë, zakonisht e vonojnë lindjen e fëmijëve derisa të kenë burimet e nevojshme financiare për t’i dërguar fëmijët në çerdhe, ose për të punësuar dado, kështu që ato janë më pak të varura nga sigurimi shtetëror, që u shkurtua pasi qeveritë ulën shpenzimet publike gjatë krizës.

Edhe politikat e tanishme pro lindjes në shtetet e pasura, kanë efekte të mëdha te gratë me të ardhura të ulëta. Shërbimet shtetërore të kujdesit për fëmijët, shpesh mundësojnë kujdes për fëmijët, një shërbim që nënat nuk do të ishin në gjendje ta përballonin të vetme.

Të dhënat nga Zyra e Statistikave të Izraelit tregojnë se nga viti 1999 deri në vitin 2005, subvencionimi i fëmijëve çoi në rritjen më të madhe të lindjeve për gratë me të ardhura të ulëta, sesa për bashkëmoshataret e tyre më të pasura.

Në Norvegji dhe Finlandë, rritja modeste e lindjeve që kanë sjellë politika të tilla, erdhi më tepër nga gratë me të ardhurat më të ulëta. Në të kundërt, kur në vitin 2014 u përgjysmuan kreditë tatimore për fëmijët e familjeve franceze të shtresës së mesme, kjo lëvizje nuk solli asnjë ndryshim në normën e tyre të lindjeve.

Kjo ndodh sepse ndihmat e parave sjellin më shumë ndryshim në familjet e varfra. Për shembull, në janar, organizata jofitimprurëse Rx Kids, e drejtuar nga një grup mjekësh, nisi një nga programet e para të ndihmave financiare në qytetin Flint të SHBA-së, i njohur për nivelin e lartë të varfërisë.

Sipas kushteve të programit, çdo nënë vendase ka të drejtën të përfitojë 7,500 dollarë, që shpërndahet me këste që nga koha kur ajo mbetet shtatzënë për herë të parë, e deri në ditëlindjen e parë të fëmijës. P

ër gratë e regjistruara në këtë program, të cilat mesatarisht fitojnë më pak se 10,000 dollarë në vit, kjo ndihmë përfaqëson një rritje të madhe prej 75% të të ardhurave të tyre. Qëllimi më i rëndësishëm i programit është të zbusë varfërinë e fëmijëve, thotë Mona Hanna-Attisha, e cila drejton qendrën, por zyrtarët lokalë shpresojnë se do të rrisë edhe shkallën e lindjeve në qytet.

Në një mbledhje për pjesëmarrësit, nënat e reja qeshin kur pyeten nëse 7500 dollarë do të mjaftonin si nxitje për të pasur një fëmijë tjetër. Në fund të fundit, familjet amerikane me të ardhura të ulëta, zakonisht shpenzojnë rreth 20,000 dollarë në vitin e parë të jetës së një fëmije.

Por këto para mund të sjellin ndryshim. Siç thotë një nënë, paratë shtesë “mund të më bindin të mbaj një fëmijë që nuk isha e sigurt nëse do ta lindja”. Në Amerikë, gratë e varfra kanë më shumë gjasa se gratë e shtresës së mesme, që të përmendin vështirësitë financiare si arsye për kryerjen e një aborti.

Shkalla e lindjeve në Amerikë, Europë dhe Azinë Lindore, ka rënë aq shumë, sa që tkurrja e popullsisë nuk do të ndalej, edhe sikur këto gra që përgjigjen më tepër ndaj ndihmave financiare, të vendosnin të lindnin fëmijë.

Sipas parashikimeve të publikuara nga revista mjekësore Lancet, deri në vitin 2050, më shumë se tri të katërtat e grave në botë, do të lindin fëmijë nën shkallën e zëvendësimit.

Edhe nëse qeveritë nuk janë në gjendje të rrisin menjëherë normat e lindjeve, ato nuk do të qëndrojnë kurrsesi duarkryq përballë kësaj dukurie. Politikat pro lindjes vetëm sa do të marrin vrull.

Mungesa e foshnjave

A do të fillojnë edhe qeveritë e tjera si ato të Hungarisë dhe Rusisë, të japin para për gratë më të reja dhe më të varfra? Lindja e fëmijëve sjell gjëra pozitive për shoqërinë. Siç po zbulojnë ekonomitë e plakura të Azisë Lindore, tkurrja e popullsisë ul risinë, pakëson fuqinë punëtore dhe të ardhurat nga taksat.

Prindërit duhet të përballojnë pjesën më të madhe të kostos së fëmijëve, gjë që është një barrë e madhe për më të varfrit. Politika mund të hyjë gjithashtu në lojë. Qeveritë nuk ka gjasa të humbasin vota kur ofertat e tyre për nxitjen e lindjeve janë shumë bujare.

Sidoqoftë, politikanët duhet të kenë parasysh disa gjëra. Fëmijët shtesë që do të vijnë në jetë nga politikat pro lindjes, nuk ka gjasa që të kthehen në profesionistë që do të rrisin produktivitetin në vend, gjë që qeveritë e dëshirojnë aq shumë.

Sepse vetëm 8% e fëmijëve të lindur nga prindër amerikanë pa arsim të lartë, pritet që të marrin një diplomë bachelor kur të rriten, dhe një person mesatar me diplomë të shkollës së mesme, i rrit financat publike me më pak se një të dhjetën e kontributit neto të një të diplomuari në universitet.

Prandaj përfitimet financiare të politikave pro lindjes, që kanë në shënjestër gratë e klasës punëtore, ndoshta do të mbingarkoheshin nga kostot, duke pasur parasysh shpenzimet që lidhen me programe të tilla.

Shpresa më e mirë do të ishte që politika të tilla të përmirësonin cilësinë e jetës së fëmijëve. Dëshmitë e hershme tregojnë se transfertat e parave rrisin performancën e fëmijëve në shkolla dhe qasjen në kujdesin shëndetësor.

Diçka tjetër që duhet pasur parasysh, është çështja se sa të moralshme janë ndërhyrje të tilla. Ka një arsye pse politikanët koreanë u përpoqën të ndalnin shtatzënitë e adoleshenteve. Për çdo vit që një grua nuk lind fëmijë, rriten fitimet e saj të pritshme gjatë jetës.

Një grua amerikane që bëhet nënë për herë të parë në mesin e të 30-ave, do të fitojë më shumë se dyfishin e parave që do të kishte fituar, nëse do ta kishte lindur fëmijën e parë në moshën 22 vjeçare. Femrat që lindin në moshën 15 deri në 19 vjeç, kanë më shumë gjasa të kenë probleme shëndetësore.

Fëmija e tyre e parë ka më shumë gjasa të braktisë shkollën e mesme dhe të rritet pa të dy prindërit në shtëpi. Në qytetin Flint, shumë nëna shprehin keqardhje që nuk rregulluan në fillim jetën e tyre përpara se të bënin fëmijë.

Njëra thotë: “Pra, ideja është që unë do të paguhem mjaftueshëm sa për të më prishur mendjen të bëj një fëmijë tjetër? Vetëm kaq? Por pasi fëmija të lindë, gjithë barra e rritjes do të jetë përgjegjësia ime? Kjo nuk më duket e drejtë”.

Një 26-vjeçare që është nënë e tre fëmijëve, mbështetet në karrige dhe qesh./Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular