BallinaOP EDNevoja për reformim në bashkinë e Vlorës është imediate!

Nevoja për reformim në bashkinë e Vlorës është imediate!

spot_img
spot_img

Nga Gjergj Nika
Si mund të kemi qeverisje më të mirë vendore? Qytetarët a mund të ushtrojnë demokracinë direkte dhe llogaridhënien? Ata janë pushtet real, vota e tyre përcakton modelin dhe standardin e qeverisjes vendore, ata që ushtrojnë qeverisjen dhe ata që do të marrin vendime në emër të tyre. Qytetarët mund të zgjedhin me votë midis disa alternativave. Qytetarët mund të kërkojnë kontratë sociale dhe politike në përfaqësim. Por pushteti lokal a i përmbush pritshmëritë e tyre?

Një vit pas betimit të kryetarit të ri të bashkisë dhe këshilltarëve bashkiakë të Vlorës, pushteti vendor vijon të reflektojë probleme serioze të funksionimit, mangësi në bazën ligjore dhe në kompetenca, tendencën e kontrollit nga pushteti qendror, vertikalizim të modelit të administrimit lokal, fragmentarizëm i qeverisjes, kufizim i pjesëmarrjes qytetare në vendimmarrje si dhe tregues të tjerë problematikë të eksperimentit të radhës, të cilat së bashku bëhen pengesë në përmbushjen prej tij të pritshmërive qytetare.

Ndërkohë jemi zgjedhur të përfaqësojmë qytetarët.
Të marrim vendime për ta, për hapësirën publike, për taksat dhe për projektet e ardhshme. Kur u zgjodhëm në 2023 premtuam shumë, por mbi të gjitha, premtuam një qeverisje për qytetarët dhe me qytetarët. Por sa i kemi realizuar këto premtime?
Të gjithë flasim në çdo diskutim për qytetarët dhe interesat e tyre, por sa i mbrojmë realisht ato, kur kartonat që ngrihen nga mazhoranca në këshillin bashkiak për të miratuar vendimet janë politike dhe shterpë?

Vetëm një pjesë e këshilltarëve bashkiakë janë aktivë, përqindja e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje vijon të jetë minimale, pushteti vendor përballet me sfida të mëdha në ofrimin e shërbimeve, madje shpesh herë në një krizë shërbimesh dhe sistemi i qeverisjes vendore në Vlorë vijon të jetë ende dobët në shumë elementë të kompetencave të tij.

Prandaj nevoja për ndryshime është imediate.

Mendoj se bashkia e Vlorës ka nevojë emergjente për:

a. Një reformë të thellë në burimet njerëzore. Sipas të dhënave të vlerësimit të brendshëm 66% e punonjësve të bashkisë janë vlerësuar “mirë”, 30% “shumë mirë” dhe 4% janë vlerësuar “mjaftueshëm”.
Përballë kësaj gjendjeje nevoja e një reforme të thellë është e domosdoshme, ose në rastin më të mirë këta punonjës duhen trainuar. Gjithashtu në mënyrë që bashkia të funksionojë në mënyrë kapilare duhet rishikuar sistemi i organigramës.

b. Duhet rishikuar paketa fiskale. Besoj se taksat e ulëta sjellin të ardhura të larta, ndërkohë që taksat e larta u hapin rrugë abuzimeve të mëdha. Vërtet që taksat sigurojnë mundësinë që të përmbushin prioritetet, eficencën dhe administrimin e të ardhurave, por ato duhen përdorur drejt për të shmangur apo zvogëluar evazionin fiskal. Miratimi i paketës fiskale me një rritje prej 37% të taksave dhe 50% SPL duhet të mbushë arkën e bashkisë dhe të përdoret për investime reale në shërbim të qytetarëve e qytetit dhe jo vetëm për rroga.

c. Menaxhimi i bashkisë duhet të jetë më i mirë. Dhe një menaxhim më i mirë nënkupton lënien e detyrave të qarta dhe kërkesën me afate të përcaktuara qartë për zbatimin e këtyre detyrave. Këtu besoj se është i domosdoshëm krijimi i një drejtorie të auditimit të brendshëm, drejtori, e cila do të auditojë me përgjegjësi detyrat e lëna, por edhe funksionimin e administratës së bashkisë.

d. Transparenca në vendimmarrje. Kur u zgjodhëm dhe u betuam premtuam një qeverisje për qytetarët dhe me qytetarët. Premtuam trasnparencë, llogaridhënie e përgjegjshmëri përpara qytetarëve.
A i përmbush bashkia kriteret e transparencës dhe llogaridhënies, të cilat përbëjnë detyrime ligjore për të drejtën e informimit? Ato publikime të bashkisë lidhen me llogaridhënien e vërtetë, si raporte auditi, prokurime dhe kontrata, apo janë raportime sa për të shkuar radhën?

Informacionet për taksat, investimet dhe prokurimet publike janë të rëndësishme, si për të ushtruar demokracinë vendore ashtu edhe për të luftuar korrupsionin.

Nëse ju kujtohet përpara disa javësh kemi denoncuar çështjen e Ujësjellës Kanalizime Vlorë për gjyqet e fituara nga punonjësit, gjyqe, të cilat u njohën punënjësve dëmshpërblime stratosferike.
Atëherë me forcën e kartonave të majtë u hodh poshtë kërkesa jonë për ngritjen e një komisioni hetimor për këtë çështje. Dy ditë më pas ministrja Balluku i quajti në një takim në Vlorë: “Grup i strukturuar kriminal”. Por çfarë u bë? Çfarë ndodhi? Pse po heshtin?

Transparenca është kusht për mirëqeverisje dhe për luftimin e korrupsionit dhe mund të arrihet nëpërmjet publikimit informacione publike të prodhuara dhe administruara nga autoriteti publik.

Transparenca është akoma më e rëndësishme në pushtetin vendor, sepse aty qytetari është më afër pushtetit, aty merr shërbimet publike dhe mund të shprehë nevojat e veta. Ndaj duhet që transparencën duhet ta demonstrojmë nga ballafaqimi i të ardhurave me shpenzimet, nga luftimi i nepotizmit dhe konfliktit të interesit, që vihen re në bashki, por edhe nga afrimi i specialistëve, të cilët mund të mos jenë partiakë, por janë të aftë dhe profesionistë, të përgjegjshëm dhe të përkushtuar!

e- Nëse do të punohet vërtet me transparencë, përgjegjshmëri, llogaridhënie dhe përkushtim, atëherë jam i bindur që në zgjedhjet e ardhshme do të mendohen mirë të gjitha forcat politike për emrat, të cilët do të përbëjnë listën e këshilltarëve.
Do të gjejnë njerëz të formuar, specialistë me integritet, njohës të ligjeve dhe funksionarë të përkushtuar, të cilët përpara se të ngrenë kartonin për të miratuar një vendim, do të vënë përpara interesin e përgjithshëm, moralin, të mirën e qytetit dhe qytetarëve, për të cilët “betohen” dhe jo të jenë thjesht militantë partiakë…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular