Më 25 qershor Sylvinho erdhi për herë të fundit në Tiranë dhe u largua nga më 27 për pushime, duke njoftuar se do të rikthehej pas një jave për të diskutuar sigurisht me gjasë kontratën e tij, megjithatë kjo gjë nuk ndodhi dhe tashmë klima nuk është më e njëjtë me sa duket.
Nga sot 9 korrik, Sylvinho zyrtarisht nuk është më trajneri i Shqipërisë, pikërisht në këtë datë atij i ka skaduar kontrata dhe ndodhet me pushime me familjen e tij në Porto.
Sylvio Mendes Campo Junior (Sylvinho) refuzoi apo shmangu, në disa raste çështjen e rinovimit të kontratës në prag të Europianit, duke u justifikuar me përgatitjen e eventit, apo listës së lojtarëve dhe me atë shprehje përfundoi edhe Europiani, kur më pas ju desh kohë të pushonte.
Megjithatë pas lajmeve që qarkulluan sot në vendin tonë ka ardhur dhe reagimi i trajnerit brazilian, i cili ka konfirmuar se do të vijojë të jetë pjesë e Kombëtares shqiptare.
Sylvinho për Top Channel deklaron: “Kemi folur dhe mund të them që kemi arritur marrëveshjen, por ende nuk kemi firmosur.”
Sylvinho do vijojë te Shqipëria bashkë me dy ndihmësit e tij, argjentinasin Zabaleta, por edhe brazilianin Doriva. Që prej kualifikimit në Evropian, në nëntor të 2023 Sylvinho është shprehur se objektivi i tij është që Shqipëria të kualifikohet sa më shpesh në evenimente të mëdha, duke iu referuar edhe pjesmarrjes në Botëror.
Ky rinovim vjen pak muaj para se kombëtarja shqiptare të zbresë sërish në fushë, pasi në muajin shtator Shqipëria do luajë në Ligën e Kombeve ku bën pjesë në grupin 1 bashkë me Republikën Çeke, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.