Flet Antonela Hako, kompania “Hako”, presidente e Dhoma Ekonomike e Gruas
“Besoj se gratë kanë potencial të jashtëzakonshëm për të qenë lider në biznes dhe shoqëri. Ato duhet të jenë të përgatitura dhe të arsimuara në fushën që duan të operojnë”. Kështu shprehet Antonela Hako, sipërmarrëse dhe gjithashtu, presidente e Dhomës Ekonomike të Gruas.
Ajo bën thirrje se gratë duhet të krijojnë rrjete bashkëpunimi dhe të marrin pjesë në trajnime dhe seminare për të përfituar sa më shumë njohuri dhe eksperienca nga gratë që tashmë kanë arritur suksesin në biznes.
“Të kenë kurajën për të qenë të ndryshme dhe për të sjellë risi në atë që bëjnë. T
ë mos heqin dorë përballë sfidave dhe vështirësive, sepse vetëm në këtë mënyrë do të arrijnë të realizojnë ëndrrat e tyre dhe të japin një kontribut të rëndësishëm për shoqërinë.”…
A mund të na tregoni diçka për veten dhe përvojën tuaj profesionale deri tani?
Jam një grua në biznes si shumë gra të tjera. Kam lindur në Tiranë, jam edukuar nga një nënë e mrekullueshme (babain e kam humbur që fëmijë), që në bazë të vlerës vura arsimin dhe dinjitetin, si armët që askush nuk mund t’ia rrëmbejë një gruaje dhe ta gjunjëzojë.
Kam mbaruar fakultetin për ekonomi dhe financë, kam emigruar si shumë shqiptarë, sapo u dha mundësia. Emigrimi në një botë krejt të panjohur na mësoi ndryshimin e të qenët i lirë në mendim dhe guximin që nëse ëndërron të bëhesh dikushi në jetë, mund ta arrish.
Sot jam administratore e kompanisë “Hako” në Shqipëri dhe Kosovë. Në 1994, së bashku me bashkëshortin, hapëm biznesin tonë të vogël në Tiranë, pas disa vitesh në emigrim. Shumë vështirësi, si financiare ashtu dhe njerëzore.
Në Shqipëri “lulëzonin” firmat piramidale, njerëzit notonin në çmenduri. Përballë kësaj, mendimi yt që fitimet t’i investoje në pajisje pune, quhej çmenduri. Një rrugëtim mes sfidash, nga një ambient i vogël, në një më të madh, nga prodhimi me makineri të përdorura në sfidën për të investuar gjithçka të re.
Sot prodhimi është i përqendruar në ambiente totalisht bashkëkohore, ku investimi dhe standardi janë garancia për cilësinë e produkteve dhe emrin e mirë të kompanisë.
“Hako” ka 200 të punësuar, shtrihet në të gjithë Shqipërinë, ka një flotë prej 50 mjetesh, investime në makineri e pajisje që do krahasoheshin me më të mirat në Europë, me sfidën që të njihemi në rajon e më tej. Prej disa kohësh dhe në Kosovë.
Çfarë ju motivoi të angazhoheni në fushën e ekonomisë dhe të menaxhimit të biznesit familjar?
Dihet që emigrimi nuk ishte fushë me lule. Ti nuk zgjedh, por punon për të zgjidhur jetën. E pas kësaj mëson dhe profesione të reja, të cilat as që i ke menduar më parë.
Kur studiuam tregun, para vendimit të kthimit në atdhe, vumë re plot mungesa në shërbim dhe produkte gjysmë të gatshme, të cilat Europa i kishte zgjidhur dhe ofruar me kohë. Sallameritë e para të vogla ofronin pak produkte dhe shuanin urinë e tregut të trashëguar nga diktatura.
Një analizë si më lart, gradualisht, na bëri të mendojmë të investojmë në këtë linjë, duke filluar me produkte të paketuara e më pas, duke investuar në sallameri. Sigurisht jo kaq lehtë sa shkruhet, por me vite, lodhje, me dështime dhe me suksese.
Dhe sigurisht me vizionin që ky biznes do të duhej të bëhej mirë, me investim në çdo drejtim, makineri, burime njerëzore, lëndë të para, standard paketimi. Vetëm kjo mënyrë do ta bënte “Hako” kompani bashkëkohore, një kompani që do të vazhdojë të ekzistojë dhe pas 100 vjetësh, që i jep vlerë zinxhirit të ekonomisë dhe që padyshim është pasuri kombëtare.
Si ka qenë për ju përvoja e menaxhimit të një kompanie familjare? Cilat janë disa nga sfidat dhe kënaqësitë e kësaj përvoje?
Të drejtosh një ndërmarrje në Shqipëri ka sfida të tjera, të kushtëzuara nga kushtet ku operon, nga ekonomia e vogël, nga konkurrenca e padrejtë, nga mungesa e mbështetjes së politikave shtetërore. Sfidat kanë qenë të ndryshme, sipas fazave ku ka kaluar biznesi.
Në fillimet e veta mungonte historia, përvoja, këshillimi. Asgjë nuk ishte mësuar në shkollat tona për ekonominë e lirë, por për fat, kishim baza të forta në matematikë e kontabilitet. Kishim mësuar për menaxhim të lëndëve të para, kostove dhe burimeve njerëzore, por sipas mënyrës socialiste.
Përshtatja dhe kalimi në një formë tjetër kontrolli e menaxhimi ka qenë sfidë më vete. Vështirësia e madhe për t’u referuar në standardet ushqimore, në teknologji dhe higjienë në ambientet e prodhimit. Organet kompetente nuk ofronin asgjë.
Kjo pikë u bë krejt nga fillimi, duke shfletuar literaturë, duke ndjekur workshope, duke vënë në praktikë ligjet e kimisë. Çdo përvojë duhet dokumentuar, si bazë për të bërë ndryshime për më të mirën. Por prodhimi është njëra anë.
Studimi i tregut pa njerëz me përvojë, nevojat e konsumatorëve, gjetja e produktit më të mirë në shije në një treg pa rregulla, përshtatja dhe marketingu ishin thuajse nocione të panjohura për ne. Sigurisht kapërcimi i tyre nuk ishte me pozita pritëse (sa të gjenim njerëz e sa të krijonim përvojë), por me sulm: gabime, sfida, përvojë.
Çfarë ka qenë sfidë e madhe, sipas meje, ishte pas disa viteve: Pozicionimi i Kompanisë – do prodhoje për fitim të shpejtë, të pajustifikuar dhe jo afatgjatë apo prodhim standard, me investime në asete të çdo natyre, (makineri, marrëdhënie, burime njerëzore) dhe do ishte afatgjatë në vite.
Zgjodhëm të dytën dhe kjo zgjedhje pasoi me të tjera sfida të vështira, por të kapërcyeshme. Do kishte qenë më e lehtë, sikur dhe politikat shtetërore të kuptonin se mbi cilin standard duhet udhëhequr vendi, sa e nevojshme ishte 97, si mund të ndihmonte biznesin serioz nga ai që rastësisht po bënte biznes.
Mesazhi
Barazia gjinore nuk është privilegj që ta dhurojnë. Arsimimin e kemi vetë në dorë. Kualifikimin po ashtu. Zgjedhjen për të kërkuar më të mirën, për t’u përfshirë, për të mos pasur ndrojtje, për të punuar fort, e kemi sërish në dorën tonë.
Na tregoni më shumë për Dhomën Ekonomike të Gruas. Cili është misioni dhe vizioni?
Sot, pas një aktiviteti të gjatë në rolin e një gruaje sipërmarrëse me dëshirën e mirë për të qenë një kontribuuese më aktive në mbështetje të grave në biznes, u bashkova me nismën dhe qëllimin e një grupi grash sipërmarrëse për të krijuar një Dhomë Ekonomike të Grave në biznes, për të ndihmuar në sfidat që kanë të gjitha gratë që i hyjnë rrugës së biznesit, por edhe sfidat për t’u organizuar dhe për të bashkëpunuar në shoqata dhe institucione për ta përforcuar më tepër zërin tonë.
Dhoma Ekonomike e Gruas është krijuar në një periudhë të vështirë pandemie, në vitin 2020, nga një grup prej 11 grash sipërmarrëse dhe profesioniste për të ndikuar në shoqëri për fuqizimin e sipërmarrjes dhe karrierës femërore.
Shpesh na ka shoqëruar paragjykimi që gratë nuk mbështesin dhe nuk përkrahin njëra-tjetrën.
Faktikisht, që me krijimin e Dhomës Ekonomike të Gruas jemi përballur me të njëjtën ide, prandaj jemi përpjekur të tregojmë dhe japim mesazhin se gratë janë një forcë që sjellin dhe krijojnë unitet dhe harmoni.
Jemi ato që marrim vendime të drejta, që nuk kemi konkurrencë të padrejtë. Nevoja për të krijuar një bashkim të të gjitha grave të biznesit nën një organizim si Dhoma Ekonomike ishte domosdoshmëri dhe sa më tepër po punojmë në këtë drejtim, aq më tepër më konsolidohet mendimi se kemi marrë nismën e duhur dhe se kemi ende shumë punë për të bërë.
Misioni dhe Vizioni është mbrojtja e interesave ekonomike dhe sociale të grave sipërmarrëse dhe ofrimi i shërbimeve ndaj tyre përmes zhvillimit të politikave favorizuese për mbështetjen ekonomike dhe sociale, veprimtarive promovuese dhe zhvilluese, bashkëpunimeve kombëtare dhe rajonale, studime, botime, projekteve dhe konsulencave.
Cilat janë disa nga projektet ose iniciativat më të rëndësishme që Dhoma Ekonomike e Gruas ka realizuar deri tani?
Që me krijimin e Dhomës Ekonomike kemi arritur të bashkojmë një grup grash të guximshme dhe punëtore. Po ashtu, jemi përpjekur të krijojmë bashkëpunim dhe shkëmbim eksperiencash nëpërmjet organizimeve me qëllim shkëmbimin e përvojave me gra dhe vajza të reja, por jo vetëm.
Gjithashtu kemi bashkëpunuar dhe jemi të angazhuara në krijimin e një databaze me profilet e bizneseve që drejtohen nga gratë, të cilat duan të bëhen anëtare dhe duan të bashkëpunojnë me ne.
Kemi realizuar projekte me gratë e zonave rurale, për t’i bërë sa më të prekshme problematikat që kanë, për të zhvilluar aktivitetin e tyre, jemi përpjekur të promovojmë idetë e tyre për një bujqësi e qëndrueshme dhe me përfitim për të gjithë.
Nismat dhe projektet e realizuara deri më sot janë: përmirësimi i imazhit të gruas në biznes, formalizimi i biznesit të grave dhe promovimi i produkteve të tyre.
Brenda një periudhe të shkurtër kemi arritur të krijojmë një bashkëpunim me organizata ndërkombëtare si “Turkish Businness Woman Association”, “Prishtina Woman in Business”, “Macedonia Woman Business” etj.
Firmosja për herë të parë, me iniciativë të DHEG, e një marrëveshje kuadër me dhoma simotra të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Malit të Zi. Kjo marrëveshje bëri të mundur hapjen e më shumë mundësive për gratë sipërmarrëse në rajon.
Gjithashtu, Dhoma është përfshirë në disa projekte, në shërbim të anëtarëve të saj.
Projekti i parë i lidhur me Smart Specialisation, financuar nga Soros dhe nën kujdesin e zyrës së Kryeministrisë, u përfundua duke dhënë nga Dhoma rekomandime për Procesin e Berlinit në specializimin e industrive në raport me rajonin.
Për herë të parë, në një proces kaq të rëndësishëm, siç është dixhitalizimi i industrive të rëndësishme për vendin dhe ndërtimi i strategjive shtetërore nga ana e qeverisë, është përfshirë një dhomë tregtie drejtuar nga gratë dhe është adresuar për aspektin e gjinisë.
Dy projekte janë nga organizata “Sipërmarrjet Private Ndërkombëtare” (CIPE) që ka mbështetur Dhomën për rritjen e anëtarësisë së saj, duke e vlerësuar si një nga dhomat më aktive të rajonit.
Dhe gjithashtu i ka besuar një projekt për dixhitalizimin e biznesit, ku në katër rrethe të Shqipërisë janë zhvilluar takime informuese, nga ku kanë dalë në pah disa prej sfidave që bizneset e drejtuara nga gratë dhe vajzat hasin në ekonominë dixhitale të biznesit të tyre.
Në janar të këtij viti nisi edhe projekti G-FEB nga Erasmus Plus, i cili synon të përmirësojë Sistemin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Rajonin e Ballkanit, duke përfshirë ekonominë e gjelbër në bizneset e vendit.
Çfarë këshille do të jepnit për gratë që duan të hyjnë në botën e biznesit?
Gratë në karrierë dhe biznes përballen me sfida të mëdha në nivel lokal dhe global: studime të shumta flasin për aksesin e ulët të gruas në financa krahasuar me meshkujt, mungesën e përkrahjes institucionale, diskriminimin gjinor, ndërsa në rrethe, sfidat e gruas janë edhe më komplekse.
Brenda institucionit tonë kemi afruar ekspertët më të mirë të fushave, duke bërë një balancim të asaj që secili bën më mirë, dhe duke ofruar zgjidhje bazuar në ndërveprim dhe profesionalizëm.
Çfarë duhet bërë për të rritur pjesëmarrjen në biznes, me fokus të veçantë te gruaja?
– Ulja e taksave për biznesin në tërësi, duke rritur bazën e tatimpaguesve, duke dixhitalizuar shërbimet dhe duke forcuar profesionalizmin e administratës tatimore për të krijuar një klimë favorizuese për investime.
– Rishpërndarja e TVSH-së dhe gjenerimi i një skeme të re për formalizimin e ekonomisë nëpërmjet ndërgjegjësimit qytetar dhe gjetjes së skemave për rimbursimin e TVSH-së te qytetarët.
– Krijimi i politikave të veçanta për të mbështetur të rinjtë, duke përdorur skema për nxitjen e startup-eve, apo duke i subvencionuar ose duke përjashtuar nga taksat me qëllim kontributin e tyre në vend, shmangien e emigrimit dhe shtimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë. Fokus i veçantë duhet mbi të rinjtë e zonave rurale dhe startup-et në teknologji.
– Hartimi i politikave të veçanta për gratë në përgjithësi dhe ato në zonat rurale, duke synuar rritjen e pavarësisë së tyre ekonomike, me qëllim zvogëlimin e problemeve sociale. E drejta e pronës është emergjente.
– Fokus mbi arsimin profesional, duke e drejtuar arsimin dhe kurrikulat sipas nevojave të tregut, veçanërisht në sektorët ku ka përparësi ekonomia, por edhe duke marrë në konsideratë kriteret e zhvillimit sektorial dhe gjeografik.
– Krijimi i mundësive dhe lehtësive për gratë dhe vajzat në linja të veçanta kredie me fokus rritjen e aksesit në kreditim dhe financim.
– Standardizimin e kategorive të biznesit, duke sugjeruar uljen e taksave për biznesin e vogël dhe ndihmën në standardizim për biznesin e mesëm, si indikatorë që ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të tyre.
– Nevoja e bashkëpunimit dhe diskutimit real me ekspertë dhe grupet e interesit në hartimin e politikave për biznesin.
– Siguria ushqimore është çështje e rëndësishme, e cila duhet të garantohet nëpërmjet ligjeve dhe politikave të veçanta, por edhe të koordinohen hallkat e ndryshme të inspektorateve të kontrollit për të garantuar cilësinë në të gjithë zinxhirin e furnizimit, prodhimit dhe tregtimit, që nga lënda e parë në produkt të gatshëm e deri te kushtet e ruajtjes dhe shitjes.
– Nevoja për një masterplan për modelin e zhvillimit të biznesit në tërësi, duke përcaktuar sektorët prioritarë, me orientim drejt industrisë prodhuese dhe agropërpunuese.
– Mundësitë e riinvestimit nëpërmjet politikave të favorshme, sipas standardeve të BE-së, duke krijuar klimë të favorshme dhe mbështetëse për biznesin.
– Procedura të thjeshtuara për kalimin nga forma e biznesit person fizik në formën ligjore si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (sh.p.k.) pa pasur nevojë për mbyllje biznesi dhe rihapje, por ndryshim të statusit vetëm duke u bazuar në xhiron e realizuar.
– Hartimi i programeve apo strukturave për ofrimin e shërbimeve për informim në të gjitha zonat, segmentet dhe industritë për gratë mbi politikat, ligjet, si një parakusht për zhvillimin e tyre.
Çfarë mendoni se duhet bërë për të përmirësuar përfaqësimin e grave në pozicione drejtuese dhe në ekonomi në përgjithësi?
Duhet të zhvillohen politika specifike për mbështetjen e grave sipërmarrëse, për të kapitalizuar potencialin e tyre në ekonomi, në mënyrë që të arrihet barazia gjinore mes grave dhe burrave;
-Krijimi i fondeve stimuluese për gratë fillestare në biznes, si dhe të ndahet buxhet nga kategoria e subvencioneve për stimulimin e grave sipërmarrëse;
-Shteti në bashkëpunim me donatorë dhe shoqata të huaja e vendase duhet të organizojë fushata për promovimin e grave sipërmarrëse,
-Institucionet shtetërore duhet të promovojnë bizneset ekzistuese të grave nëpërmjet përkrahjes së projekteve të tyre.
Si e shihni rolin e inovacionit dhe teknologjisë në zhvillimin e biznesit tuaj?
Për fat, “Hako” është kompani që në historikun e vet ka përkrahur, investuar dhe është totalisht mbështetëse e inovacionit.
Gati çdo pesë vjet, bëjmë riformatim të linjave të prodhimit, duke zëvendësuar të vjetrat me të reja më automatike, me kursim energjie, me materiale paketimi miqësore me mjedisin, dhe më komode për punonjësit që i përdorin.
Në marketing, gjithashtu, qasja jonë kalon nga marketingu standard në forma dixhitale, moderne, të prekshme dhe të kuptueshme.
Në kursimin e energjisë, “Hako” është kompania e parë që ka filluar prodhimin e energjisë me panele diellore. Gjithashtu, të gjitha standardet e reja që tregu europian ka në prodhim, shërbim, burime njerëzore dhe mjedis, te “Hako” gjejnë zbatim, ndryshim pozitiv dhe përshtatje në funksionimin e kompanisë.
Cilat janë disa nga praktikat më të mira që keni zbatuar për të siguruar barazinë gjinore dhe diversitetin në kompaninë tuaj?
Ndoshta mund të duket paradoksale me çfarë lexojmë sot, por s’ka qenë asnjëherë problem i yni barazia gjinore. Për kompaninë, peshonte dhe peshon kualifikimi sipas proceseve të punës dhe sektorëve ku do të punohet.
Drejtorët e degëve të prodhimit, financave dhe shitjeve janë gra që janë të punësuara pranë “Hako” prej 15 vjetësh dhe që drejtojnë sipas aftësisë, jo gjinisë.
Ekonomistët janë të gjitha vajza. Inxhinierët dhe teknologët, po ashtu, kanë ardhur te ne që kur kanë mbaruar studimet, dhe sot drejtojnë me sukses.
Në prodhim po ashtu, gratë dhe vajzat përdorin makineritë e paketimit dhe të mbushjes si askush tjetër. Sigurisht, ka disa procese të tjera që ndahen midis grave dhe burrave, por pagesa e tyre nuk bën diferencë.
S’ka bërë asnjëherë, që në ditën e parë që kemi filluar punë.
Cilat janë disa nga këshillat tuaja për gratë e reja që duan të hyjnë në botën e biznesit dhe të arrijnë në pozicione drejtuese?
Barazia gjinore nuk është privilegj që ta dhurojnë. Sigurisht që varet nga emancipimi i shoqërisë dhe familjes, por varet dhe nga gjithsecila prej nesh.
Arsimimin e kemi vetë në dorë. Kualifikimin po ashtu. Zgjedhjen për të kërkuar më të mirën, për t’u përfshirë, për të mos pasur ndrojtje, për të punuar fort (pa harruar veten), e kemi sërish në dorën tonë.
Pa frikë nga dështimi, pa nxitimin që të arrish gjithçka për një kohë të shkurtër, pa pendesa për zgjedhjen, por me shumë dashuri për atë që zgjedhim të bëjmë. Dhe sigurisht, duke mbështetur fort njëra-tjetrën.
Cila është motoja juaj në jetë dhe si ju ndihmon ajo në përballimin e sfidave të përditshme?
Dashuria për jetën, respekti për veten, adhurimi për familjen janë motoja që më zgjojnë në mëngjes dhe më bëjnë të buzëqesh edhe në ditë jo fort të mira.
Përgjegjësia për punën që kam zgjedhur të bëj. Dëshira për ta çuar produktin “Hako” (dhe shumë produkte të tjera “Made in Albania”) edhe jashtë kufijve të Shqipërisë (sepse e meritojnë për cilësinë dhe standardin).
Dëshira për të pasur miq të mirë dhe mundësia për të ndihmuar e për të kontribuar për një vend më të mirë për nipërit e mi. / Intervistoi: Deada Hyka