Rreth 50 mijë shtetas shqiptarë morën nënshtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian gjatë vitit 2022 duke u renditur të tretët në Evropë pas marokenëve dhe sirianëve, thuhet në raportin e publikuar nga Agjencia Europiane e Statistikave, “Eurostat” dhe Rrjetit Europian për Migrimin.
Dy vendet fqinje me Shqipërinë, të njohura tre dekadat e fundit dhe për emigrimin e lartë të shqiptarëve, Italia dhe Greqia janë kryesoret në Europë për numrin e lartë të lëshimit të nështetësive për shtetasit shqiptar
Ndërsa referuar të dhënave të Eurostat-it, për pesë vitet e fundit mbi 213 mijë shqiptarë fituan shtetësinë një vend të Bashkimit Europian.
Sipas raportit vjetor mbi migrimin dhe azilin në Europë, 6920 shqiptarë aplikuan për herë të parë për azil gjatë vitit 2023 në një vend të Bashkimit Europian.
Shqiptarët kryesojnë në vitin 2023 listën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për nga numri i azilkërkuesve në Europë dhe renditen edhe të pestët në Europë pas turqve, gjeorgjianëve, rusëve dhe ukrainasve.
Ndërkohë, sipas raportit shtetasit shqiptarë renditen të dytët në Europë pas ukrainasve për nga numri i refuzimeve të hyrjes në një vend të Bashkimit Europian gjatë vitit 2023.
Rreth 13855 shtetas shqiptarë që përbëjnë 11.6% të refuzimeve pasojnë rreth 18330 shtetas nga Ukraina, që iu refuzua hyrja në në vend të Bashkimit Europian vitin e shkuar.
Sipas raportit shqiptarët renditen të dytët pas gjeorgjianëve edhe për numrin e lartë të kthimeve vullnetare apo të detyruara nga një vend europian në një vend të tretë gjatë viti 2023.
Sipas raportit 7870 shtetas shqiptarë që përbëjnë 8.5% të kthimeve pasojnë 10 390 gjeorgjianë që kryesojnë listën e vendeve për kthimet e detyruara të migrantëve jo të rregullt nga vendet europiane.
Ndërkohë raporti për migrimin dhe azilin thotë se rreth 76 mijë shqiptarë janë evidentuar në marrjen e lejeve të reja apo të një statusi ligjor të qëndrimit gjatë vitit 2023 në vendet e Bashkimit Europian.
Raporti nuk përfshin migrimin e shqiptarëve drejt Britanisë së Madhe që doli nga Bashkimi Europian.
Vetëm gjatë vitit 2022 sipas autoriteteve britanike 12658 emigrantë nga Shqipëria u futën në mënyrë të parregullt në Britaninë e Madhe kryesisht nga Kanali La Manshit me varka të vogla.
Të dhënat britanike për periudhën shtator 2022 – shtator 2023, tregojnë se Britania e Madhe përjetoi një rritje të konsiderueshme në kthimet e detyruara të shtetasve të huaj që arritën në 5,506 persona, nga të cilët shqiptarë, përbëjnë mbi gjysmën (52%) të kthimeve të detyruara./ VOA