Protesta përfundoi. Po tani?

0
299


Ardi Stefa
Protestat janë i vetmi mjet që të kujtohemi se jetojmë në demokraci!

Çdo protestë kundër vjedhjes, plaçkitjes, varfërisë; çdo protestë për dinjitetin dhe të ardhmen është e ligjshme!

Secili në Shqipëri secili ka nga një arsye për të protestuar: kundër varfërisë së ulur këmbëkryq, rritjes së çmimeve, arsimit të shkatërruar, shëndetësisë në gjendje mjerane; shpopullimit, largimeve masive të shqiptarëve, sidomos rinisë; kundër korrupsionit, kundër shpërdorimit e vjedhjes së pasurive publike…

Madje edhe protesta e djeshme e thirrur nga PD për arsyet e mësipërme, ishte një protestë, e cila duhet të tregonte se shoqëria shqiptare ka ende puls, ka ende dëshirë për reagim e ndryshim…

Por pas përfundimit të saj nuk mund të mos kërkojmë të analizojmë atë çka pritej, atë çka ndodhi dhe atë çka do të vijë.

Fillimisht duhet të kuptojmë se protestat e partive politike kishin kuptim në vitet ’90; kishin vrull, mesazhe, dinamizëm. Sot janë janë të dobëta, sepse ka ikur koha e tyre.

Protesta e djeshme kishte mijëra njerëz, demokratë idealistë, të cilët me dashje ose pa dashje, me entusiazëm mbështesnin deputetët, ish-deputetët dhe aspirantët për një vend në parlament.

Ata protestues idealistë meritojnë respektin më të thellë. Vallë e meritojnë respekt ideatorët, projektuesit dhe zbatuesit e një proteste që nuk rezultoi siç ishte thirrur?

Por protesta e djeshme kishte pak entusiazëm dhe shumë më pak njerëz nga protesta e 7 korrikut 2022 dhe nga protesta e 20 shkurtit.
Sepse opozita ka ngelur e ngërthyer tek e shkuara dhe nuk gjen as ide të reja, as mesazhe të reja e frymëzuese, as njerëz të rinj.

Data e zgjedhjes së protestës ishte jo fort e përshtatshme, pasi sot në Washington kremtohej 75 vjetori i krijimit të NATO-s, i cila u kurorëzua me nënshkrimin e një dokumenti, në të cilin theksohej kërkesa për stabilitet të Ballkanin Perëndimor dhe mbështetje e pakufizuar për Drejtësinë dhe shtetin e së drejtës. Dhe kjo protestë e thirrur kundër varfërisë, shpopullimit, korrupsionit të qeverisë rezultoi se kishte në fokus sulmin kundër SPAK dhe drejtësisë. Denoncojnë korrupsionin e qeverisë së Ramës, por duke sulmuar SPAK dhe Drejtësinë bashkohen me Ramën…

Protesta jam i bindur se ishte thirrur për t’u treguar njerëzve se sa ishte rritur PD pas marrjes së vulës dhe të logos. Por numri i protestuesve tregoi se nuk janë rritur ndjeshëm.

Protesta u thirr për rotacionin, ndërkohë që rotacionin në Shqipëri nuk e pengojnë amerikanët e ndërkombëtarët, por kjo elitë politike që refuzon me kokëfortësi të largohet dhe i thotë popullit: “Ose na votoni ne, ose vrisni veten!”. Dhe, opozitarët, që janë shumicë nuk fitojnë dot, kur alternativa e vetme janë ata. Shumica e deputetëve ishin veshur me bluza ku shkruhej “Free Berisha” dhe vetëm Bardhi e disa të tjerë ishin veshur me këmisha, duke përcjellë me imazhin e tyre mesazhin se janë ata që e “përdorin Berishën”. Ha ha ha…

Skenë pikante ishte pjesëmarrja “tek pullë” në protestë e kryetarit të PPSH (Partisë së Pensionistëve të Shqipërisë), Jenisherit, i cili i bënte fresk vetes me një freskore të vogël kineze me bateri.

Protesta u çel nga një aktor, i cili kërkonte veprime radikale dhe lirimin e Berishës; pastaj foli një mësuese, e cila ka thënë se “Shqipëria është prostitutë”; pastaj një profesor, që kërkoi thjesht lirimin e Berishës, siç e kërkoi pas tij edhe një mjek. Ndërkohë që kur u tha emri i Metës dhe ushtuan daullet, mendova se do të kërcente në skenë “Vallen e shqipeve” dhe u tremba. Por kur dëgjova në mikrofon përçartjen e tij kundër SPAK-ut, Dumanit, këshilltarëve dhe opozitarëve, Vuçiçit e Ramës; kur u kthye tek fermerët për ta mbyllur me kërcënimin se Berisha duhet liruar me çdo kusht, mendova se më mirë do ishte të kërcente.

Fjalimi i Berishës, ishte fjalimi më i dobët dhe pa entusiazëm i tij që kam dëgjuar ndonjëherë. I përmbledhur në 5 rreshta ishte fjalim kundër SPAK-ut dhe Drejtësisë, deklarimi se shqiptarët janë sovranë dhe nuk varen nga të tjerët, kërcënimi i 190-të ndaj Ramës se “O sot, o kurrë” lideri i opozitës që mbahet në arrest padrejtësisht duhet të lirohet dhe se Rama duhet të lejojë krijimin e qeverisë teknike…
Dhe bam- bum molotovët…

Jo rastësisht në miting folën vetëm dy politikanë: Meta e Berisha!

Dhe, menjëherë pas fjalimit të Berishës, u bë thirrja më e pakuptimtë e kësaj proteste të pakuptimtë, që të drejtoheshin drejt Bashkisë së Tiranës për të protestuar kundër lali Erit.

Fatkeqësisht protesta kombëtare u kthye në lokale, teksa u kërkohej protestuesve nga Berati, Delvina, Pogradeci e Shkodra, Mirdita e Fieri të protestonin para zyrës së Veliajt…
Përsëri disa bomba molotov.

Pas bashkisë iu drejtuan selisë së PD, ku Noka shpalli mbylljen e protestës dhe kauzën e vërtetë: “Lirimin e Berishës dhe qeverinë teknike!”. Shyqyr që nuk këndoi himnin kombëtar duet me Gaz Bardhin…

Por, e realizoi qëllimin protesta e djeshme?

Jo! Sepse ishte copy paste e protestave të mëparshme. Ide nuk kishte, alternativa reale përsëri nuk u paraqitën, as zgjidhje për një lidership të ri, i cili mund t’i hapë rrugën rotacionit brenda opozitës, në mënyrë që opozita të mbështetet masivisht nga populli për të ardhur nesër në pushtet.

Megjithëse thuhet se pas protestës Rama nga Washingtoni miratoi kërkesën për qeverinë teknike me Bardhin dhe Gjekmarkajn ministra; Dumani firmosi lirimin e Berishës; Erion Veliaj pranoi që është hajdut, i la bashkinë Belindit dhe pastaj kërkoi vetë që t’i vinin prangat, për t’i lënë pa protestë të enjten