“Dy kullat më të larta në Tiranë janë simboli i pazarit mes Ramës dhe Berishës”/ Basha: Asgjë nuk na bashkon me këtë kastë të vjetër
Në podcastin e rrradhës me Ermal Peçin dhe Marsid Gupin, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha ka zhvilluar një bisedë me një grup të rinjsh mbi zhvillimet e fundit politike, programin e prezantuar në 1 qershor dhe organizimin për zgjedhjet e ardhshme politike.
Duke komentuar vendimin e 11 qershorit për vulën, Basha tha se ishte një pazar midis të vjetrës për të vijuar ujditë politike dhe ekonomike, duke rikujtuar se si Rama dhe Berisha kanë investime të përbashkëta në dy nga kullat më të larta që po ndërtohen në Tiranë.
Më tej Basha deklaroi se asgjë nuk e lidh me Ramën dhe Berishën dhe se në zgjedhjet e ardhshme qytetarët do të jenë përballë dy alternativave, të vijojnë me të vjetrën 34 vjeçare, apo të krijojnë një rrugë të re për të ardhmen e Shqipërisë.
Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:
Kjo është një betejë mes të vjetrës dhe të resë. Ajo që ka ndodhur më 11 qershor, është hiç më pak sesa një mirëkuptim dhe një pazar midis të vjetrës. Midis kryeministrit dhe ish-kryeministrit. Nuk është një pazar dosido, po shohim si ndajnë dhe bashkëndajnë edhe pushtetin politik, edhe pushtetin legjislativ, edhe pushtetin ekonomik. Dhe të jem fare i drejtpërdrejtë, menjëherë pas protestës së shkurtit, erdhi pazari për amnistinë. Janë liruar vjedhësit e votave të Partisë Demokratike. Janë liruar nga dënimi për korrupsion, ose janë liruar nga ndjekja penale me votat e atyre që i thonë vetes deputetë të PD. Nuk ka ku të shkojë më keq. Liruan vjedhësit, por jo protestuesit. Kjo është pjesë e një pazari për pushtet politik, për pushtet ekonomik, por mbi të gjitha për mbijetesë.
Qytetarët e Tiranës janë dëshmitarë të Malit pas Pallatit të Kulturës dhe të kullës tjetër 65 katëshe, që qartësisht janë investime të përbashkëta të së vjetrës. Të kryeministrit dhe ish-kryeministrit, dhe të klientelës së tyre.
Asgjë nuk i pengon të bëjnë pazar për interesat e tyre, kundër interesave të shqiptarëve. Pjesën tjetër e kanë teatër. Shqiptarët i trajtojnë si spektator të këtij teatri, që duhet të paguajnë biletën gjithmonë e më shtrenjtë, sepse ndërkohë kanë filluar të zbrazen rrradhët e spektatorëve. Ikin si protestë ndaj shëmtisë, varfërisë, korrupsionit, padrejtësisë, që sjellë ky teatër i shëmtuar. Dhe sa më shumë ikin, aq më shumë shtohet çmimi i biletës i atyre që mbeten. Në këtë ekuacion demokratët euroatlantikë shihen si kërcënim ekzistencial.
Me këtë kastë të vjetër nuk na bashkon asgjë. Nuk na ka bashkuar edhe kur kemi qenë bashkë, përkundrazi, kjo është ajo që na ka ndarë kulturalisht, shpesh herë edhe politikisht, dhe sot përballja është më e qartë se kurrë. Thënë shkurt dhe prerë, kryeministri dhe ish-kryeministri duan të vazhdojnë tangon dhe 4 vjet të tjera. Qartësisht pjesë e pazarit është që Rama të ruan pushtetin, ish-kryeministri ruan monopolin mbi teatrin opozitar, dhe në kuadër të këtij teatri bëhen gati t’i servirin shqiptarëve në zgjedhjet e ardhshme pyetjen: Kush është më pak i korruptuar, Edi Rama apo Sali Berisha?
A është kjo pyetja që zgjidh hallet e shqiptarëve?
As njëri dhe as tjetri nuk janë zgjidhje për shqiptarët.
Pyetja për shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme do të jetë: A do të vazhdojmë dhe 4 vjet të tjera, e të shtrojmë rrugën për 30 vite të tjera, me dyshen e vjetër, që ka 34 vjet në politik dhe në pushtet?
Apo do të hapim një rrugë të re, një kulturë të re, një të ardhme të re për Shqipërinë?
Kjo është përballja, ku jemi përballë Edi Ramës, kryeministrit të qeverisë më të korruptuar, por dhe përballë Sali Berishës, që është aseti i vetëm i Edi Ramës në zgjedhjet e ardhshme.