Për kokën e tij u ofruan 200.000 dollarë, dënohen me burg 5 persona për vrasjen e kandidatit për president në Ekuador, mes tyre kreu i bandës Los Lobos! Ja roli i tyre

0
119

Pesë persona, pjesë e një prej bandave më të mëdha kriminale të Ekuadorit, janë dënuar me burg për vrasjen e kandidatit për president, Fernando Villavicencio, krim i ndodhur vitin e kaluar.

Villavicencio u qëllua për vdekje teksa po largohej nga një fushatë në kryeqytetin Quito, gushtin e kaluar.

Carlos Angulo, lideri i bandës Los Lobos dhe Laura Castilla, u dënuan me 34.8 vite burg. Ndërsa 2 burra dhe një grua tjetër u dënuan me 12 vjet nga gjykata në Quito për bashkëpunim në krim.

Prokurorët pretenduan se Angulo, i njohur si i padukshmi, urdhëroi vrasjen nga burgu i Kuitos ku po vuan një dënim prej 54 muajsh për akuzat për armë zjarri. Por i mohoi akuzat, duke pretenduar se po bëhej një “kokë turku”.

Laura Castilla akuzohet se planifikoi ngjarjen dhe dyshohet ka furnizuar autorët me armë, para dhe motoçikleta për të kryer vrasjen.

Të tjerët, Erick Ramirez, Victor Flores dhe Alexandra Chimbo, u akuzuan se ndihmuan skuadrën të gjurmonte lëvizjet e Villavicencio.

Më shumë se 70 njerëz dhanë dëshmi gjatë gjyqit, duke përfshirë një dëshmitar kyç i cili tha se bandës i ishin ofruar më shumë se 200.000 dollarë për të vrarë Villavicencio.

Villavicencio pretendonte lidhje mes krimit të organizuar dhe zyrtarëve qeveritarë në Ekuador.

Në javët para zgjedhjeve, politikani kishte marrë kërcënime me vdekje. Por ai vazhdoi të bënte fushatë dhe u qëllua nga një grup sulmuesish më 9 gusht jashtë një shkolle në veri të Kuitos.

Prokurorët thanë gjatë gjyqit se një nga personat e përfshirë në atentat u qëllua për vdekje në një konfrontim me policinë në vendngjarje.

Gjashtë burra të tjerë – të gjithë shtetas kolumbianë – u arrestuan më vonë në lidhje me vrasjen, por më pas u gjetën të vrarë në burgun El Litoral, ku mbaheshin në paraburgim.