Byroja Federale e Hetimit (FBI) e identifikoi 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks nga Bethel Park, Pensilvani, si të dyshuar për atentatin të së shtunës ndaj ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, teksa ai po merrte pjesë në një tubim.
I dyshuari u qëllua për vdekje nga Shërbimi Sekret disa sekonda pasi ai dyshohet se shtiu në drejtim të skenës ku Trump po fliste në Pensilvani.
FBI-ja tha se është duke punuar për të përcaktuar motivin e sulmit, gjatë të cilit një pjesëmarrës në tubim vdiq dhe dy spektatorë të tjerë u plagosën rëndë. Trump u qëllua në vesh.
Të dhënat tregojnë se Crooks ishte regjistruar si votues republikan.
Ai jetonte rreth një orë larg nga vendi ku ndodhën të shtënat në Batlër të Pensilvanisë. Administrata Federale e Aviacionit më 14 korrik njoftoi se ka mbyllur hapësirën ajrore mbi Bethel Park për “arsye të veçanta sigurie”.
Kur Crooks ishte 17 vjeç, ai kishte bërë një donacion prej 15 dollarësh për ActBlue, një komitet veprimi politik që mbledh para për politikanët me prirje të majtë dhe demokratë, sipas një raporti të Komisionit Federal të Zgjedhjeve të vitit 2021. Donacioni u bë për Projektin Progresiv të Pjesëmarrjes, një grup kombëtar që mbledh demokratët që të votojnë.
Babai i Crooks, Matthew Crooks, 53 vjeç, i tha CNN-it se po përpiqet të kuptojë se çfarë ndodhi, duke shtuar se nuk do të flasë për mediat para se të flasë me forcat e rendit për djalin e tij.
Thomas Crooks kishte përfunduar shkollën e mesme në Bethel Park në vitin 2022, sipas Pittsburgh Tribune-Review. Ai ishte shpërblyer me 500 dollarë nga Iniciativa Kombëtare e Matematikës dhe Shkencës, sipas gazetës.
Në një video e ceremonisë së diplomimit të vitit 2022, sipas NewYork Times, Crooks shihet duke marrë diplomën e shkollës së mesme. Video nga ajo ceremoni, që është postuar në internet, shfaq Crooks me syze dhe duke pozuar me një zyrtar të shkollës. Reuters nuk mundi të verifikonte menjëherë vërtetësinë e videos.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit thanë të shtunën, më 13 korrik, se Crooks nuk kishte asnjë dokument identifikimi kur u vra dhe identifikimi i tij u desh të bëhej përmes metodave të tjera.
“Jemi duke analizuar fotografitë dhe po tentojmë të kryejmë testin e ADN-së së tij dhe të marrim konfirmim biometrik”, tha Kevin Rojek, agjenti special i FBI-së gjatë një konference për media.
USA Today raportoi se dhjetëra automjete të autoriteteve të sigurisë janë vendosur jashtë një ndërtese ku gjendet rezidenca e Crooks. Agjentët nga Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve po ashtu janë të pranishëm, raportoi kjo media.
“Është çmenduri që dikush do ta bënte këtë”, deklaroi Dan Maloney, një 30-vjeçar banor nga zona, sipas USA Today.
Reuters nuk mundi të identifikonte menjëherë llogaritë në mediat sociale të Crooks ose postime të tjera të bëra nga ai në internet.
Meta, kompania që ka në pronësi Facebook-un dhe Instagram-in, nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve nëse platformat kalarguar ndonjë llogari në lidhje me të dyshuarin për atentatin ndaj Trumpit./REL