Karlos Alkaraz ka treguar se do jetë padyshim një nga emrat kryesorë të tenisit botëror për shumë vite me radhë. Spanjolli i talentuar ka mbrojtur sot titullin e fituar në Grand Slam të Uimbëlldon, duke triumfuar për të dytin vit radhazi përballë të njëjtit rival, Novak Xhokoviç, i cili ishte i pamposhtur në këtë turne që nga vitit 2018 para shpërthimit të spanjollit.
Dhe djaloshi 21-vjeçar ka treguar se as eksperienca e veteranit Xhokoviç nuk mund të bënte gjë para shpërthimit dhe forcës së tij, pasi ka fituar 3-0 me sete, duke vënë rrallëherë në diskutim dominimin në këtë duel. Sukseset me shifrat 6-2 në të dy setet e parë bënë të qartë se sa ishte ndryshimi mes dy tenistëve në situatën aktuale.
Në setin e tretë, Xhokoviç luftoi për të mbetur në garë dhe ia doli që të çonte këtë set në tie-break, për të tentuar mrekullinë. Por Alkaraz ishte i pandalshëm dhe fitoi aty me shifrat 7-4, duke bërë të tijin edhe setin e tretë dhe fitoren e turneut të Uimbëlldon.
Kështu, spanjolli u bë lojtari i katërt në histori që në moshën 21-vjeçare ka fituar 4 turne Grand Slam dhe vetëm i dyti pas Roxher Federer që ka fituar të katër finalet e para të mëdha në të cilat ka marrë pjesë.