Temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tonë te cilat ndihen 43 -44 gradë celsius kanë agravuar gjendjen shëndetësore të personave me probleme të shëndetit mendor. Mjekja psikiatre Irena Thoma konfirmon shtimin e rasteve që paraqiten në urgjencën e psikiatrisë në Tiranë
Ajo thotë: “Ka shtim të rasteve pasi temperaturat e larta ndikojnë negativisht duke krijuar parehati fizike dhe psikologjike tek këta pacientë. Problemet e shëndetit mendor janë të lidhura me ndryshimet stinore”.
Mjekja Thoma këshillon të afërm apo familjarë që kanë në rrethin e tyre persona që trajtohen për shëndetin mendor të bëjnë kujdes dhe të konsultohen me mjekun që i ndjek pasi në këto temperatura këshillohet të ndryshojnë dozat e mjekimit
Numri i personave që trajtohen nga probleme të shëndetit mendor sa vjen e rritet dhe po prek të gjitha grupmoshat përfshirë edhe fëmijë aq sa ekspertët i konsiderojnë problemet e shëndetit mendor si epidemia e heshtur që po vret shoqërinë moderne.