Në Kosovë janë marrë disa vendime për shkak të temperaturave të larta.
Një ndër to është edhe vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë e cila ka kufizuar orarin e punës për disa kategori.
Inspektorati i Punës është duke vazhduar me inspektime në terren, ku po mbikëqyr vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e orarit të punës në sektorin e ndërtimtarisë dhe për gratë shtatzëna, shkak i temperaturave të larta.
Përkundër vendimit të marrë para disa ditësh, disa subjekte nuk kanë respektuar kufizimin e orarit të punës, kësisoj inspektorët kanë ndaluar punën për disa punëtorë të sektorit të ndërtimtarisë dhe po ashtu për gratë shtatzëna.
Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi, ka treguar se edhe gjatë fundjavës kanë punuar me kujdestari.
“Edhe në vikend kemi punuar me kujdestari, pra kemi bërë inspektimin në terren, pra se sa po respektohet vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë. Edhe tash që është e hënë, pra deri më 20 korrik, do të mbikëqyrim vendimin e MSH-së”.
Nikçi bëri të ditur se subjektet që nuk kanë respektuar vendimin do të gjobiten, dhe se inspektorët janë duke përgatitur dënimet.
Gjithashtu, ai theksoi se shkelje më së shumti janë vërejtur në sektorin e ndërtimtarisë.
“Në sektorin e ndërtimtarisë ka pasur më shumë shkelje, pasi edhe identifikimi është më i lehtë, sepse shihet edhe me sy se a po punohet a jo sepse është në hapësira të jashtme. Edhe për gra shtatzëna kemi marrë informata, pra janë identifikuar në bazë të ankesave”.
Deri tani janë ndaluar puna në disa lokacione në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjakovë.
Ndryshe, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë mori vendim që të kufizohet orari i punës nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 për disa kategori.
Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna.
Më poshtë vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë:
1. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna.
2. Në rast të pamundësisë së lirimit nga puna sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpitë.
3. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë.
4. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
5. Varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, ndërmerren masa të tjera.
6. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.
Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta.
Këshilla dhe rekomandime për t’u mbrojtur nga nxehtësia dhe temperaturat e larta kanë dhënë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
IKSHPK ka kërkuar që qytetarët të shmangin daljet jashtë dhe po ashtu të mos bëjnë aktivitete të rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës.