Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) Arben Shehu, kërkoi që të bëhet një analizë urgjente në lidhje me faktorët që kanë ndikuar në rritjen e të sëmurëve me sëmundje tumorale.
Në mbledhjen e Komisionit për Ekonomi dhe Financa, ditën e sotme, i pyetur nga deputetët në komision përse raportimi për akulloret e kontaminuar me oksid etileni erdhi 3 vite me vonesë, Shehu shpjegoi se rasti lidhet me situatën e krijuar jo në veçanti.
“Rasti konkret është trajtuar për shkak të rëndësisë së nevojës urgjente për një analizë të situatës me sëmundjet tumorale, logjika është e tillë dhe lidhet edhe me konstatimin e mëparshëm në lidhje me këtë produkt. Duhet të ngrini grupe pune për analiza kryesisht për situatën në shëndetësi, për analizën e rritjes së sëmundjeve tumorale në shëndetësi”, tha Shehu.
Ditën e djeshme, ai zbuloi se në Shqipëri janë tregtuar akullorë të kontaminuar me oksid etileni, një substancë që shkakton kancer, leucemi dhe ndikon në aftësinë riprodhuese të meshkujve.
Kryetari i KLSH-së ditën e djeshme bëri të ditur se auditimi i vitit 2021 konstatoi se Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) nuk kishte marrë masa për të bllokuar produktin e kontaminuar.
Sipas auditimit rezulton se janë konsumuar 13.2 ton akullore me oksid etileni, nga 17,5 ton akullore që u blenë në total. Sipas gjetjeve produktet janë shitur kryesisht në: Tiranë, Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Berat, Lushnje, Korçë, Shkodër, Sarandë, Krujë, Burrel, Peshkopi, Tropojë, Lezhë.
Shehu gjithashtu shpjegoj se ligji i lejon dhe i detyron të identifikojnë situata të tilla në mënyrë që të jepen rekomandime për përmirësime.
“Nuk ka të bëjë me një rast aktual, është një situatë, jo rast, që ne e kemi dhënë vlerësimin e duhur në të kaluarën dhe është adresuar se duhet përmirësim, jo ndëshkim i individëve apo institucioneve.
Qëllimi i punës sonë është të përmirësojmë duke identifikuar situatat dhe duke dhënë rekomandimet e duhura që ligji na lejon dhe detyron të japim. Ne kemi analizuar ndërveprimin institucional me qëllim përmirësimin e punës, pasi kemi të bëjmë në themel me punën e stafeve që janë në funksion të shëndetit të qytetarëve.”- deklaroi ai.
Sipas INSTAT, Numri i vdekjeve të regjistruara në Shqipëri gjatë vitit 2023, është 21.286, duke shënuar 11,3% vdekje më pak, krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa tendenca ishte në rënie për të gjitha sëmundjet e tjera, i vetmi grup që shënoi rritje ishte ai i sëmundjeve tumoriale. Krahasuar me vitin 2022, janë regjistruar 3,2% më shumë humbje jete.
Në vitin 2023, grup-sëmundja “Tumoret” përbën grupin e tretë të sëmundjeve me peshën më të madhe të vdekjeve të regjistruara, 15,7% të vdekjeve gjithsej, nga 13.5% që ishte vitin e mëparshëm, me një rritje prej dy pikë përqindje. Në total kishte 3336 humbje jete nga kjo sëmundje.
Sëmundjet “Tumor malinj i aparatit të tretjes” (38,0%), “Tumor malinj i aparatit të frymëmarrjes” (22,2%) dhe “Tumor malinj i organeve urogjenitale” (13,8 %) përbëjnë peshën më të madhe të vdekjeve në këtë grup-sëmundje. Monitor