ALBERT HITOALIAJ
Në datën 10 korrik, pa vajtur akoma ora tetë e mëngjesit, atë çast kur njerëzit nxitonin për të ikur në punë, në një dhomë spitali, shpirti i një njeriu të veçantë nxitonte të linte trupin e tij. Kishte mbyllur sytë përjetësisht komisari i Policisë së Shtetit, Genci Oshafi. Nuk ia doli dot në përballjen me sëmundjen e rëndë. Shtrirë i pajetë aty në dhomë, kur trupi ishte ende i ngrohtë, ai dukej sikur flinte. Në dy cepat e syve i dalloheshin dy pika loti. Temperatura e lartë, intubimi dhe vështirësitë e funksionimit normal të organizmit nuk do ia kenë dalë që t’i zbehnin vetëdijen dhe dashurinë e madhe që kishte për jetën, sepse ai ishte një shpirt i rrallë, një mishërim i luftëtarit dhe një njeri që nuk sprapsej kurrë. Më 31 maj kishte mbushur 50 vjeç dhe iku nga kjo jetë në atë periudhë kur do të vilte frytet e asaj që kishte mbjellë, duke lënë pas tre fëmijë. Që në rini spikati shpirti i vrullshëm i këtij djali të rrallë pogradecar. Fuqia e tij fizike dhe vullneti u reflektuan te sportet që ndiqte. Ai do të kryente Institutin e Lartë të Kulturës Fizike “Vojo Kushi” nga vitit 1992 deri në vitin 1996. Fitoi medalje e vuri rekorde në not e atletikë, duke rënë në sy si një emër premtues për atletikën shqiptare.
Edhe pse asokohe askush nuk do të mendonte se Genci do të devijonte nga drejtimi i sportit, ku shfaqte talent të dukshëm, jeta i kishte rezervuar një rrugë tjetër. Shtyrë nga idealizmi i moshës dhe pastërtia e karakterit, fillon studimet për të qenë pjesë e Policisë së Shtetit dhe ndërkohë bëhet pjesë e trupave speciale të repartit RENEA. Më 4 dhjetor 1997 Genci Oshafi bëhet pjesë e repartit, si polic trupë speciale, duke marrë po në këtë datë edhe gradën e tij të parë. Ishte fillimi i një karriere të gjatë. Strukturave të sigurisë dhe sidomos të policisë, në këtë periudhë u kishte rënë mbi supe një barrë e tmerrshme, për shkak të trazirave që po ndodhnin në Shqipëri.
Tradita e forcave speciale të këtij reparti ishte rreth 15-vjeçare. Koha solli ndryshim të menjëhershme dhe në këto vite po kristalizohej një fizionomi e re e këtyre forcave. Genci pati mundësinë të fillojë karrierën e tij në këtë repart, duke qenë përkrah me emra veteranësh të trupave speciale, të cilët kishin eksperiencë të lartë njerëzore dhe profesionale. Fryma e lartë, morali, aftësia e përdorimit të armëve, fuqia fizike, artet marciale, teknikat e ndërhyrjes, puna e përsosur në grup bënin që ky repart elitar të shihej me adhurim. Operacionet e shumta në shërbim të vendosjes së rendit e të sigurisë që u bënë nga viti 1997 deri në vitin 2000, duke luftuar me bandat në tërë Shqipërinë dhe duke rivendosur komunikimin në akset e bllokuara nga grupet e armatosura patën gjurmën dhe kontributin e pamohueshëm të forcave RENEA. E kotë të flitet për rrezikshmërinë që kishte kjo punë në ato vite, pasi shprehja realiteti e kalon fantazinë, i përshtatet me së miri asaj kohe. Shoqërime personash të rëndësishëm, arrestime të bujshme, shoqërime, ndërhyrje kundër pengmarrjesh, neutralizime personash të armatosur, përdorim palombarësh e një listë akoma më e gjatë e veprimtarive të kryera nga forcat speciale të këtij reparti do të ishin mjedisi në të cilin u brumos karakteri i Genci Oshafit. Me natyrën burrërore të trashëguar nga i ati, me mirësinë dhe zemërgjerësinë e pakufishme të trashëguar nga e ëma dhe me çiltërsinë e qetësinë që e karakterizonte, ai do të fitonte shpejt zemrat e kolegëve dhe të personave me të cilët punonte. Fuqia e tij fizike ishe po aq e madhe sa edhe guximi, – çdo gjë në funksion të repartit.
Janë me qindra operacionet në të cilat, si pjesë e këtij reparti elitar, Genci mori pjesë dhe u rrit profesionalisht. Trajnimet e vazhdueshme me të famshmit e GSG-9 gjermane, me specialë amerikanë, francezë, italianë, sllovenë etj., bënë që reparti të ngrihej në nivele të larta. Genci dhe djem të tjerë si ai nuk kursenin asgjë që të arrinin realizimin e objektivave, që të mbronin jetët e qytetarëve apo që të siguronin mirëfunksionimin e shtetit kur ky cenohej nga aktivitete të rrezikshme kriminale. Dhe kur thuhet nuk kursenin asgjë, ata e bënin realisht. Pavarësisht përgatitjes së lartë të forcave RENEA, ka pasur edhe raste humbjeje jetësh ose raste plagosjesh të tyre. Policia e Shtetit është institucioni që ka dhënë e jep përditë të rënë në krye të detyrës, për shkak të natyrës së profesionit. Genci Oshafi gjatë gjithë karrierës së tij më RENEA-n u plagos dy herë. Çdo pikë gjaku e derdhur për shtetin (në shtetet e zhvilluara) konsiderohet si kontribut në altarin kombëtar. Mjafton të sjell në vëmendje formulën franceze: “Français par le sang versé” (Francez falë gjakut të derdhur). Kjo formulë u njihet forcave speciale legjionarë ose të famshmit “Légion étrangère” (Legjioni i Huaj), të cilët e fitonin pasaportën franceze me këtë dedikim nderi, që ishte i veçantë prej pjesës tjetër të popullsisë. Ia kisha përmendur dikur Gencit këtë formulë, duke i thënë se ishte “shqiptar për shkak të gjakut të derdhur”. Qeshte dhe tundte kokën. Nuk mburrej kurrë për punën e bërë e as për rreziqet që kishte kaluar.
Ai pasqyronte frymën më të mirë të një reparti të linjës së parë, atë pjesë që ishte elitare jo vetëm në përgatitje, por edhe në moral e atdhedashuri. Genci e kishte të shenjtë flamurin dhe kombin dhe sa herë binte rasti ndër biseda të ndryshme shfaqte qëndrimin e atyre që e duan këtë vend. Të brumosur nga familja me vlerat më të mira, si ai si i vëllai, Gjergji, nuk bënin kompromis për çështje identiteti e ndershmërie. Kryelartë deri në kulm, kur ishin në anën e së drejtës. Kur diplomohej i vëllai në Akademinë e Policisë në Turqi, për shkak të një “incidenti” me procedurën e diplomimit, drejtuesit e akademisë kërkojnë takim me Gencin dhe i kërkojnë që ai të ndikonte të i vëllai për zgjidhjen e problemit, pasi rrezikonte diplomën.
Të habitur, drejtuesit dëgjuan Gencin t’u thoshte se mbështeste plotësisht mendimin e të vëllait. Ky unitet e kishte shoqëruar gjithnjë raportin e tyre. I tillë ishte Genci Oshafi edhe me shoqërinë e me kolegët: besnik dhe i drejtpërdrejtë. Më datë 2 shkurt 2022 komisar Genci Oshafi, që deri atë çast mbante detyrën e shefit të Seksionit për Taktikat, Teknikat dhe Standardet e Ndërhyrjes, në repartin special RENEA, mbylli një karrierë 25-vjeçare me forcat speciale. Gjysma e jetës së tij, ajo më e frytshmja, kaloi në këtë repart. Por Genci kurrë nuk u ndie si pjesë e jashtme e këtij reparti. Vështirë se mund të bisedonte dikush me të dhe të mos përmendej RENEA në bisedë. Nga viti 2022 e deri sa ndërroi jetë ai ishte pjesë e stafit mësimdhënës në Kolegjin Profesional të Formimit Policor, të Akademisë së Sigurisë. Kursantët i trajtonte si kolegë, si shokë si miq, pavarësisht moshës së tyre të re.
U fitonte zemrat me thjeshtësinë e tij dhe në këtë mënyrë ndërtonte jo vetëm frymën e grupit, por edhe dëshirën që ata të gjenin vetveten profesionalisht. Nuk ishte tipi i rregullave standarde dhe të ngurta, por ishte tip mendjehapur dhe fleksibël. Duket si çudi, por deri ditën e varrimit ai “shkelte” rregulla. Ishte prerë ora kur do dilte trupi dhe kur do bëhej varrimi, por pritej që të vinte nga Anglia, vajza e tij e madhe, gëzimi i parë, Dea, e cila si në ato historitë e eposit, udhëtoi nëpër natë për t’i dhënë lamtumirën dhe prekjen e fundit babait. Dy defekte në makinë dhe ora zgjatej e ajo nuk po vinte dot në orën e caktuar. Të shtyhej ora e thënë ndillte keq sipas traditës. Por ky ishte rasti i Genci Oshafit, i cili ishte një shpirt i lirë në jetë dhe rregullat i thyente edhe i vdekur. Mes qindra miqsh e të afërmish, në fshatin Blacë të Pogradecit, varrimi u bë me vonesë. Dukej sikur kjo vonesë tregonte se sa shumë e donte jetën. Genci iku në rrugën që ikin të gjithë, por la prapa gjurmën që nuk e lënë të gjithë.