Eksportet nuk ngrenë kokë as në qershor, rënie e fortë për produktet bujqësore e tekstile e këpucë

0
160

Eksportet kanë vijuar me ecurinë negative edhe gjatë muajit qershor, të ndikuara nga rezultatet e dobëta të grupeve të produkteve ushqimore dhe të tekstileve e këpucëve, të ndikuara nga nënçmimi i euros dhe nga rënia e çmimeve nga mbiprodhimi në Europë për produktet bujqësore.

Sipas të dhënave të INSTAT, në Qershor 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u ulur me -8,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ritmet e rënies janë ngadalësuar në krahasim me majin, kur tkurrja me bazë vjetore ishte 12,4%. Në Prill 2024 eksportet e mallrave ishin rritur për herë të parë pas shumë muajsh me 1,8% me bazë vjetore. Në mars eksportet ishin tkurrur me 21%, në shkurt me -16.1% dhe në janar me 29.2%.

Gjatë muajit Qershor 2024, në uljen e eksporteve prej -8,9%, kanë ndikuar grupet: “Ushqime, pije, duhan” me -6,0 pikë përqindje, “Tekstile dhe këpucë” me -4,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me  -0,8 pikë përqindje, etj. Pozitivisht ka ndikuar grupi: “Të tjera” me +4,2 pikë përqindje.

Për gjashtë mujorin eksportet kanë shënuar një tkurrje të fortë. Sipas INSTAT, Në këtë gjashtëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 199 mld lekë, duke u ulur me -14,9%.

Për 6 mujorin, grupet që kanë ndikuar në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -5,4 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -5,2 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -2,2 pikë përqindje, etj.

Tekstilet dhe këpucët vijojnë me tendencën rënëse

Në qershor, eksportet e tekstile e këpucë, grupi më i madh eksportues në vend (me 27.8% të totalit), ranë me 15.8%. Për 5 mujorin, eksportet e tekstileve- këpucë ishin 55.4 miliardë lekë, me një tkurrje prej 18.6% me bazë vjetore.

Industria po vijon të vuajë pasojat e shumë faktorëve si rritja e kostove që ka bërë që partnerët të zhvendosen në Lindjen e Mesme duke ulur porositë dhe sidomos zhvlerësimi i euros, që redukton të ardhurat e tyre kur konvertohen në lekë.

Për periudhën janar-qershor 2023, një euro u këmbye mesatarisht me 114 lekë, sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa për të njëjtën periudhë të këtij viti këmbehet me 102.5 lekë, ose gati 10% më pak.

Kjo situatë po detyron shumë fabrika të mbyllen, sipas njoftimeve nga Shoqata e Eksportuesve.

Minerale, lëndë djegëse bien lehtë

“Minerale, lëndë djegëse, energji” ishte grupi i dytë më i madh në vend, me 19.5% të totalit. Pas një rënieje të fortë në 3 muajt e parë të vitit, në prill ky grup e mori ndjeshëm veten si rrjedhojë e shitjeve më të larta nga Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend dhe nga tregtimi i energjisë elektrike, që lidhet me motin. Në prill, eksportet e këtij grupi u rritën me 26%. Tendenca pozitive vijoi dhe në maj, por me ritme më të ngadalta, me zgjerim prej 2.4%. Megjithatë në qershor, grupi iu rikthye rënies, duke u tkurrur me 2.9%, e ndikuar nga rënia e eksporteve drejt Spanjës, që është tregu kryesor i Bankers Petroleum.

Por, për 6 mujorin, ky grup shënoi eksporte me vlerë gati 39 miliardë lekë, me tkurrje 24%, si rrjedhojë e ecurisë negative në tre muajt e parë.

Materiale ndërtimi dhe metale vijojnë tkurrjen e lehtë

“Materialet e ndërtimit dhe metalet” ishin grupi i tretë më të madh në vend për 6 mujorin, me 18.5% të totalit. Ky grup ndikohet nga ecuria e Kurum, përpunuesit të çelikut, që është një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend. Në qershor ky grup ra me 4.8%, pas tkurrjes së fortë të muajve të parë të vitit. Për 6 mujorin tkurrja është 12.2%. Sektori po vuan nga kërkesa e dobët rajonale dhe tkurrja e çmimeve.

Tkurrje e fortë për Ushqime pije e duhan nga rënia e çmimeve

“Ushqime pije e duhan”, një nga grupet me ecurinë më të mirë vitet e fundit ka shënuar ecurinë më negative të viteve të fundit në qershor, me një rënie të fortë të shitjeve në vlerë prej 32%.  Edhe në maj tkurrja kishte qenë me rreth 17%. Ecuria negative e majit dhe qershorit bëri që edhe për 6 mujorin shitjet e ushqimeve jashtë vendit ti ktheheshin tendencës negative, me -10% (nga -3.2%, që ishte tkurrja për 5 mujorin).

Ruzhdi Koni, një nga eksportuesit më të mëdhenj të produkteve bujqësore të fushës tha se tkurrja lidhet kryesisht me rënien e çmimeve për shkak të mbiprodhimit, ndërsa sasitë e eksportuara vijojnë të jenë të larta. Këtë vit ka pasur superprodhim në të gjithë Mesdheun, të nxitura nga çmimet e larta dhe moti i favorshëm, duke bërë që të ketë ofertë të lartë në Europë.

Në sasi për qershorin, eksportet e këtij grupi u rritën me 22.5%.

Makineri, pajisje, pjesë këmbimi dëmtohen nga euro

“Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” ishin grupi tjetër që shfaqi ecuri të mirë vitet e fundit, si rrjedhojë e hyrjes së fabrikave që montonin pjesë për industrinë automotive. Por edhe ky grup po vuan nga zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore. Në qershor eksportet ranë me 4.5%, ndërsa për 6 mujorin tkurrja është 8.2%.

Rritet deficiti tregtar

Në Qershor 2024 eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u ulur me -8,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -0,1 %, në krahasim me Maj  2024. Importet e mallrave arritën vlerën 77 mld lekë, duke u rritur me 2,1 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u ulur me -3,3 %, në krahasim me Maj 2024. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 42 mld lekë, duke u rritur me 13,4 %, krahasuar me Qershor 2023 dhe duke u ulur me -5,9 %, në krahasim me Maj 2024.

Në këtë gjashtëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 199 mld lekë, duke u ulur me -14,9 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 440 mld lekë, duke u rritur me 0,3 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 241mld lekë, duke u rritur me 17,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023.

Bien eksportet e Italinë, rriten me Kosovën

Në muajin Qershor 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Qershor 2023 janë: Italia (11,2 %), Greqia (15.0 %), Spanja (40.0 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, janë: Kosova (3,9 %), Gjermania (9,5 %), etj.

Gjatë këtij gjashtëmujori vendi me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, është: Italia (14,9 %), Kosova (1,5 %) ,Greqia (24,8 %), etj. Ndërsa vendi me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe, është: Kina (25,0%), etj.

Në muajin Qershor 2024, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve, janë: Greqia (9,2 %), Kosova (132,9 %),  Maqedonia e Veriut (7,7 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (1,2 %), Kina  (1,9 %), Turqia (5,3 %), etj.

Gjatë këtij gjashtëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Turqia (16,7 %), Greqia (16,8 %), Gjermania (3,6 %), etj. Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (4,4 %), Kina (9,3 %), Maqedonia e Veriut (11,8 %), etj.

Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT
Burimi: INSTAT