PD transferon protestën nga bashkia e Veliajt, te SPAK i Dumanit!

0
219

Partia Demokratike e udhëhequr tashmë nga Sali Berisha pas vendimit të Apelit, ka marrë një vendim sa të papritur, aq edhe radikal në lidhje me protestën e përjavshme që po zhvillin prej 4 muajve përpara bashkisë Tiranë. Anëtari i kryesisë së PD-së, Belind Këlliçi deklaroi këtë të enjte se protestat nuk do ndalen, por që nga java tjetër do zhvendosen tek SPAK-u.

Në një intervistë në ‘Ora News’ ku dha lajmin, Këlliçi sulmoi drejtësinë duke thënë se Altin Dumani po përdoret politikisht nga Edi Rama me qëllim për të goditur opozitën.

Është një protestë rekord për hir të së vërtetës. Nuk është organizuar asnjëherë një protestë kaq permanente para një institucioni të Republikës së Shqipërisë.

Pra janë 17 protesta që u organizuan para bashkisë së Tiranës, ku e para në mos gaboj ka nisur në datë 5 prill dhe deri më tani duket se qytetarët janë të vendosur të vazhdojnë të protestojnë.

Sot njerëzit e kuptojnë që në Tiranë është mbi 40 gradë temperatura dhe në orën 11 të paradites kur ne kemi thirrur protestën zor të gjesh njerëz në rrugë e jo më të kesh një grumbullim të mbështetësve të opozitës dhe qytetarë që dalin për këtë kauzë.

Kjo tregon që kauza qëndron. Njerëzit nuk tërhiqen, janë të vendosur për të dalë në protestë. Sezoni i protestave dhe i denoncimeve, në javën tjetër ne do zhvendosemi dhe do të fillojmë në mënyrë permanente denoncimet nga zyrat e organizatës partnere të PS-së, që është SPAK-u.

Zyrtarisht tashmë, PS ka tre forume partnere. Ka forumin rinor, ka forumin e gruas dhe forumin e drejtësisë të drejtuar nga Altin Dumani i cili me paraqitjen që ka bërë ditën e hënë në parlament i ka faktuar gjithë qytetarëve shqiptarë që është një prokuror i cili po përdoret politikisht.

Ditën e hënë në parlament, çdo shqiptar ka marrë një mesazh të qartë, Dumani është në shërbim të pushtetit, në shërbim të regjimit”, tha Kellici.