“Dita e Poezisë Shqiptare”, ndaloi në këtë mot të nxehtë në Rumani, aty ku tradita pikëtakohet me bashkëkohësinë. Lidhja kulturore dhe historike ndërmjet Rumanisë dhe Shqipërisë ka një zanafillë të kahershme por vijimësia, duket se e ka udhën fort të gjatë e të pasosur edhe në epokën digjitale.
Është bërë traditë që në stinën e verës në shumicën e vendeve europiane të organizohen tubime poetike, të cilat kanë një trashëgimi tepër të gjatë por në Rumani, poezisë bashkëkohore shqipe iu kushtua një edicion i veçantë i organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rumanisë.
Poetët e ftuar në këtë ngjarje kulturore ishin Erenestina Halili dhe Ermir Nika, poezitë e të cilëvë janë të njohura, të përkthyera e të botuara në disa gjuhë e kultura të ndryshme. Prania e tyre ne Rumani dhe e çdo shkrimtari e artisti merr një kuptim të veçantë kur ajo prezantohet në një vend të tillë, pasi në Rumani në të shkuarën por edhe në ditët e sotme kanë kaluar një pjesë të mirë të jetës dhe të krijimtarisë një numër jo i pakët i emrave më të spikatur të artit, kulturës dhe politikës shqiptare, ndaj ky projekt i dedikuar Letërsisë Shqipe, dëshmoi për vazhdimësinë dhe vlerat që karakterzojnë më së miri, këtë marrëdhënie shumëanshme midis dy vendeve.
Një takim i posaçëm u organizua në Ambsadën Shqiptare të Rumanisë me seli në Bukuresht, ku në pritjen e rezervuar Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë Znj. Enkeleda Mërkuri, në fjalën e saj, u përqendrua kryesisht në ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të lidhjeve shpirtërore, artistike dhe kulturore që kanë një historik të gjatë, tejet të rëndësishëm dhe padyshim do të kenë një vazhdimësi falë edhe mbështetjes në promovimin e saj, që do të japë Ambasada Shqiptare në Rumani.
Znj. Ambasadore në fjalën e rastit, e vuri theksin edhe në kontributin e çmuar që ka dhënë dhe vijon të ofrojë përkthyesi i shquar i literaturës dhe autorëvë shqiptarë Marius Dobrescu, në njohjen dhe përurimin e shkrimtarëve shqiptarë në gjuhën rumune. Një tjetër falënderim shkoi për poetin e mirënjohur dhe përfaqësuesin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rumanisë. Z. Peter Sragher, i cili mbështeti me të gjitha mundësitë e duhura organizimin dhe kurorëzimin e këtij projektit të rëndësishëm ndërkulturor.
Prania e sopranos me famë botërore Znj. Arlinda Morava, e cila tashmë është pjesë e trupës diplomatike të Ambasadës Shqiptare në Rumani, i dha një tjetër tonalitet takimit dhe “Ditës Poetike të Shqipërisë” në Rumani.
Mbrëmja poetike shqiptare, ku u intepretuan poezitë e Gjergjit dhe Nikës, u zhvillua në njërën nga sallat e Bibliotekës së Kryeqytetit, ku morën pjesë kritikë, lexues, përfaqësues nga komuniteti i shqiptarëve të Rumanisë, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Rumani Znj. Enkeleda Mërkuri e shoqëruar nga një pjesë e ekipit të saj, sopranoja e mirënjohur Arlinda Morava, si edhe media të ndryshme të cilat e pasqyruan gjerësisht për publikun këtë eveniment kulturor.