Personat që shihni në foton e mësipërme janë 36-vjeçari Gledio Muka dhe 47-vjeçari Marsel Çela, të cilët mbetën viktima aksidentale në masakrën e regjistruar mesnatën e djeshme në Memaliaj.
Bashkë me ta humbi jetën edhe 74-vjeçari Shyqyri (Shyqo) Kalemi, i cili ishte dhe shënjestra e atentatit, ndërsa nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur edhe vëllai i tij, Artur Kalemi 57 vjeç, i cili ishte ulur në të njëjtën tavolinë me viktimën.
Gledio Muka, i cili punonte si kamarier në lokal ka qenë pranë tavolinës së vëllezërve Kalemi në pjesën e jashtme të lokalit, teksa nuk iu ka shpëtuar plumbave nga breshëria e kallashnikovit. Ndërsa, Marsel Çela ishte klient në lokal dhe ndodhej në pjesën e brendshme të lokalit, por u kap nga plumbat dhe për pasojë edhe ai humbi jetën.
Artur Kalemi, i cili mbeti i plagosur u dërgua me urgjencë në spital dhe mësohet se ndodhet në reanimacion në spitalin e Gjirokastrës dhe ka marrë dy plumba, një në kofshë dhe një në kraharor.
Autorët dyshohet se kanë qenë të paktën 3 persona dhe kanë ardhur me makinë të zezë nga qyteti i Memaliajt në drejtim të lokalit pranë bashkisë.
Njëri prej tyre ka zbitur nga makina dhe ka qëlluar me breshëri kallashi drejt tavolinës ku ishin ulur Shyqyri dhe Artur Kalemi. Pas atentatit mafioz autorët janë larguar drejt Mallakastrës ku kanë djegur automjetin e përdorur në krim në fshatin Bejaj.
Shyqyri Kalemi është babai i Andrea alias Adriatik Kalemi dhe Zamir Kalemit të cilit iu kanë shpëtuar tre atentateve të mëparshme. Ndërsa Artur Kalemi është xhaxhai i tyre. Një prej pistave ku po heton Policia është hakmarrja ndaj Andrea (Adriatik) Kalemit.
Nga e MAJTA/Kamarieri, Gledio Muka dhe klienti Marsel Çela