Nga Namir Lapardhaja
Pasi e trajtuan në Parlament sikur ta kishin vartësin e tyre, të gjithë beniaminët e ‘revolucionit’ të vonuar, me në krye Plakun majë ballkonit, i janë turrur Altin Dumanit, duke e akuzuar për kushtet e burgut dhe daljen e një video që i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, paska bërë në burg.
Është e qartë se sulmet ndaj Dumanit të SPAK-ut, që duhet sqaruar se nuk ka asnjë lidhje farefisnie apo gjaku me Dumanin e burgut, bëhen të koordinuara nga një elitë e korruptuar që ka ndjerë lagështi nga hetimet dhe nga qëndresa e pashembullt e tij përballë të gjithë sistemit të kalbur politik, që përfshin jo vetëm mazhorancën dhe pjesëtar të saj, por edhe ish-opozitën e djeshme, me në krye vetë drejtuesin “non grata”.
Jo rastësisht një pjesë e atyre që ishin më agresiv ndaj kreut të SPAK gjatë raportit të tij të fundit në Kuvend, janë vetë subjekte të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme.
Gjithsesi, le t’u kthehemi pamjeve të Dumanit të burgut, prej të cilave po sulmohet Dumani i SPAK-ut, i cili në të vërtetë nuk ka kurrfarë lidhjeje me atë çka ndodhur.
Së pari, SPAK-u është institucion akuze dhe jo administratë burgu.
Së dyti, kushtet e të penduarit të drejtësisë, rrjedhin si pasojë e një kuadri ligjor dhe jo prej dëshirës së kreut të SPAK apo ndonjë prokurori të veçantë.
Në këtë kuptim, ajo që ka ndodhur është dështim total i administratës së burgjeve, e cila varet drejtpërdrejt prej Ministrisë së Drejtësisë dhe jo prej SPAK, mirëpo këta që sulmojnë sot vetëm pak kohë më parë bën pazar me Ulsiun për të liruar të hetuarit dhe dënuarit për korrupsion nga SPAK dhe GJKKO.
Në vend që të kërkojnë një hetim dhe një interpelancë me ministrin e Drejtësisë për atë që kanë ndodhur, sulmojnë kreun e SPAK, puna e të cilit, edhe në këtë rast, ka qenë vendimtare për të çmontuar shumë grupe kriminale në vend.
Po ashtu, një pikë tjetër që mund të trajtohet është kushtet që duhet të kenë të penduarit e drejtësisë, a kanë qenë ato në përputhje me ligjin apo janë tejkaluar në rastin e Nuredin Dumanit, duke qenë se trajtesa e rasteve të tilla bëhet në përputhje me ligje të veçanta dhe jo preferenciale.
Si përfundim, ajo që është e qartë si drita e diellit është se sulmet ndaj Altin Dumanit janë të koordinuara nga një klasë politike thellësisht e korruptuar dhe nga një grusht i vogël militantësh të verbër që i ndjekin nga prapa.
Shoqëria shqiptare është e etur për drejtësi. Ndaj ajo kur sheh që “lideri i opozitës” shpërndan video të protestave popullore në Bangladesh, qesh me vete dhe thotë: Po këtij majë Kullës i duket sikur po protestojnë për të dhe kundër Dumanit të SPAK atje në Bangladeshin e largët?