Të nxitur nga rritja e kërkesës në tregun e brendshëm për shkak edhe të fluksit të lartë të turistëve vitin e kaluar, fermerët në zonën e Korçës shtuan të mbjellat për qepë të thatë dhe patate rreth 30% më shumë se vjet.
Aktualisht për qepën çmimi i kërkuar me shumicë është deri 50% më pak se vjet.
Në tregun e brendshëm nga tregtarët e shumicës sipas fermerëve qepët po kërkohen me çmim 25 lekë për kg nga 50 lekë që u shit vjet në këtë periudhë.
“Çmimi i kërkuar është i paleverdishëm, pasi nuk arrijmë të nxjerrim shpenzimet e mbjelljes. Ndërsa vihet re që krahasuar me vjet kërkesa është më e ulët, nga rënia e turizmit dhe largimet e popullatës në emigracion”, pohon Mikel Plasa kultivues i qepëve dhe patateve në zonën e Korçës.
Vasfi Sherifi agronom në zonën e Korçës, njohës i mirë i bujqësisë pohoi se çmimet e shitjes së qepës në disa raste arrijnë deri në 35 lekë për kg. Sipas tij edhe me çmim më të ulur fermerët nuk po arrijnë të shesin sasi të lartë të prodhimit të tyre, për shkak të rënies së fluksit të turistëve krahasuar me vjet.
Nevion Telha thotë se prodhimi i qepës është i lartë, përfshirë edhe prodhimin e zonës së Lushnjës. Telha pohon se këtë vit ka edhe shtim të importeve të qepës në vend. Ndërsa kërkesa është më e ulët se vjet e ndikuar nga largimet në emigracion dhe turizmi.
Ai thotë se nëse magazinohet, çmimi i qepës në periudhën e dimrit rritet ndjeshëm, por magazinimi nuk është i leverdishëm për fermerët, pasi me tepër magazinojnë pataten.
Sipas të dhënave të INSTAT në rang vendi për vitin 2023 u prodhuan 117,1 mijë ton qepë të thatë. Në raport me 2022 prodhimi u rrit rreth 8%.
Nisur nga ecuria pozitive e kërkesës së vitit të kaluar shumë fermerë prej fillimit të muajit mars në fshatrat, si: Pojan, Pirg, Zvirinë, Moglicë, Mollas etj. Sipas agronomit Nevion Telha fermerët shtuan të mbjellat me bimët prashitëse rreth 30% krahasuar me vjet. Telha pohoi më herët se shtimi i të mbjellave u ndikua nga rritja e kërkesës sipas tij kryesisht në tregun vendas, por edhe për eksport. Ai tha se në muajin mars çmimi i qepës së thatë ishte 80 lekë për kg, i leverdishëm për fermerin.
Fermerët presin të njëjtën ecuri edhe me daljen e prodhimit të patates. Vjet në vend u prodhuan sipas të dhënave të INSTAT rreth 274,1 mijë ton patate. Krahasuar me 2022 prodhimi u rrit 4,3%.
Ndërsa shitja e grurit ka hyrë në vitin e dytë të krizës. Sivjet çmimi i kërkuar i shitjes varion nga 21 deri 23 lekë për kg nga 28 lekë për kg që u kërkua vitin e kaluar nga 21 deri 33% më pak se vjet.
Fermerët ngrenë shqetësimin se edhe grurin e sivjetshëm e kanë stok. “Kam 3 mijë kv grurë të pashitur. Çmimi i kërkuar është komplet nën kosto prodhimi. Nuk parashikoj të mbjell më grurë ”.
Agronomi Nevion Telha tha se rritja e stokut të grurit është ndikuar nga mungesa e kërkesës së fabrikave të blojës, pasi nga importi çmimi arrin 23 lek për kg. Në këtë situatë sipas tij gruri i destinuar për prodhim buke, do të shitet si ushqim për kafshët.
Për shkak të ndërprerjes së furnizimit të zinxhirit ushqimor nga lufta Rusi-Ukrainë dhe për të nxitur pavarësinë ushqimore të vendit për prodhimin e grurit, më korrik të 2022 për herë të parë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) miratoi masën e posaçme për subvencione direkte në vlerën e 30,000 lekëve në mbështetje të fermerëve që prodhojnë mbi 1 ha grurë.
Nga fermerët subvencionet u përfituan më maj të 2023. Financimi shtoi rreth 40% të mbjellat, por fermerët e shitën grurin nën kosto, pasi çmimi u përgjysmua krahasuar me 2022. Për këtë vit kultura e grurit nuk u përfshi në skemën kombëtare për dhënien e subvencioneve direkte. Ndërsa do të vijojë të mbështetet nga dhënia e naftës pa akcizë. Sivjet nafta do të përfitohet nga fermerët në formën e pagesave. Për grupin e dytë e të mbjellave, si: grurë, tërshërë, thekër, elb), foragjere njëvjeçare, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk vlera që do të përfitohet është 12,784 lekë/ha.
Sipas të dhënave të INSTAT sasia e grurit të prodhuar për vitin 2023 ishte në nivele të njëjta me 2022. /D.Azo