Dokumenti i BSH: Rriten kërkesat për kredi, shtrëngohen kushtet për individët

0
108

Gjatë periudhës prill-qershor të këtij viti, bankat e nivelit të dytë lehtësuan kushtet aprovuese të kredive për bizneset, por vendosën kritere më shtrënguese për individët.

Të dhënat janë bërë publike nga Banka e Shqipërisë në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues për tremujorin e dytë 2024. Në këtë dokument nënvizohet se standardet e kreditimit për individët u shtrënguan disi në tremujorin e dytë të vitit 2024, të diktuara vetëm nga një bankë e vetme e sistemit. Shtrëngimi i standardeve u raportua si në kreditë konsumatore, ashtu edhe në ato për blerjen e banesave.

“Faktorët me ndikim në shtrëngimin e standardeve të kreditimit për individët u raportuan perceptimi i rrezikut mbi aftësinë paguese të kredimarrësit, mbi zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave, si edhe kostot e kufizimet nga pozicioni i likuiditetit të bankave. Të gjithë faktorët si më lartë u raportuan me ndikim shtrëngues mbi standardet e kreditimit vetëm nga një bankë e sistemit. Nga ana tjetër, trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistemin bankar vijon të ndikojë në kahun lehtësues të standardeve të kreditimit për individët”, – thuhet në dokumentin e Bankës së Shqipërisë.

Standardet e kreditimit për individët priten të mbeten të shtrënguara edhe në tremujorin e tretë të vitit 2024, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe ato për financimin e konsumit.

KREDITË PËR BIZNESET

Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje edhe në tremujorin e dytë të vitit 2024.

“Kërkesë e lartë për kredi u raportua si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë. Megjithatë, balancat më të larta pozitive u shënuan në kreditë lëvruar biznesit të madh dhe në kreditë për mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet.

Rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta në financimin e inventarëve të kapitalit qarkullues dhe të investimeve. Po ashtu, në gjykimin e bankave, besimi i biznesit, niveli i përgjithshëm i normave të interesit dhe perceptimi mbi situatën makroekonomike në vend mbështetën zgjerimin e kërkesës për kredi”, – thekson Banka e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, kjo e fundit shton se përdorimi i burimeve të brendshme të financimit dhe kreditë nga bankat e tjera u raportuan si faktorë që kanë dekurajuar kërkesën për kredi të bizneseve në tremujorin e dytë. Sakaq, kërkesa për kredi e bizneseve pritet të rritet edhe në tremujorin e tretë të vitit, si në financimin e investimeve, ashtu edhe në mbulimin e nevojave për likuiditet. Edhe në terma të madhësisë së biznesit, kërkesa për kredi pritet të jetë më e lartë, si në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, ashtu edhe në segmentin e biznesit të madh.

HKALLA E MIRATIMIT TË KREDIVE

Shkalla e miratimit të kredive për individët u raportua në rritje në tremujorin e dytë të vitit 2024. Raporti më i ulët i kredive të refuzuara në këtë tremujor u nxit pothuajse nga të gjithë treguesit e lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit, me kornizën e politikave të bankave, si edhe me historikun e kreditit. I vetmi faktor që ndikoi në kahun e kundërt me to u raportua mungesa e dokumentacionit në momentin e aplikimit për kredi nga ana e individëve.

“Kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e lartë në tremujorin e dytë, kryesisht me qëllim blerjen e banesave. Kërkesa më e lartë për financimin e konsumit dhe ajo për financimin në blerjen e banesave ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Në drejtim të kundërt me to ndikuan niveli i përgjithshëm i normave të interesit, përdorimi i burimeve alternative të financimit, besimi konsumator dhe zhvillimet aktuale e të pritura në tregun e banesave. Në tremujorin e tretë të vitit 2024, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë e lartë, si për financimin e konsumit, ashtu edhe për blerjen e banesave”, – thuhet në dokumentin e BSHsë.

Kushtet dhe termat e kredisë i referohen kushteve dhe afatit të kredisë të miratuar sikurse përcaktohet në kontratën e huas, mbi të cilat është rënë dakord midis bankës dhe huamarrësit. Ato përgjithësisht përbëhen nga marzhi mbi një normë interesi referencë, madhësia e kredisë, kushtet e përqasjes së bankës dhe kushtet e tjera në formën e tarifave, komisioneve, kostove jointeres, kolateralit apo garancive, kushtëzimet e kredisë dhe maturimi i huas së dakorduar. Termat dhe kushtet e kredisë janë të kushtëzuara nga profili i huamarrësit dhe mund të ndryshojnë në mënyrë paralele ose të pavarur nga standardet e kredisë.

“Për shembull, kostot më të larta të financimit ose përkeqësimi i perspektivës ekonomike mund të çojnë në shtrëngimin e standardeve të kredisë, si edhe në shtrëngimin e kushteve për ato kredi që banka është e gatshme të miratojë dhe klientët e saj janë të gatshëm të pranojnë. Në formë alternative, banka mund të ndryshojë vetëm termat e kontratës/ kushtet e shënuara në kontratën e kredisë (si psh., rritja e marzheve përkundrejt normave referencë) të kërkuara për të kompensuar koston/ rrezikun shtesë dhe të mbajë standardet e kredisë të pandryshuara. Aplikimet për kredi teorikisht përfshijnë kërkesat formale për kredi, si dhe çdo kërkesë joformale për kredi që nuk ka arritur ende stadin e një aplikimi zyrtar për kredi. Nëse informacioni mbi kërkesat joformale të kredisë nuk mund të merret, përgjigja e bankës duhet të jepet bazuar mbi vëllimin e kërkesave formale për kredi. Aplikimet për kredi raportohen të ndryshuara jo vetëm nga klientët e rinj, por edhe nga klientët ekzistues”, – bën të ditur Banka e Shqipërisë.

Kjo e fundit shton se megjithatë, aplikimet nga klientët ekzistues duhet të përfshihen vetëm nëse vëllimi i një kredie ekzistuese rritet ose jepet një kredi e re. Sakaq, në tremujorin e tretë të vitit 2024, bankat presin të zbatojnë një kuadër të pandryshuar politikash kreditimi për bizneset, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë. Përqasja e bankave në kreditimin e individëve pritet të jetë më konservatore në tremujorin e tretë, e shprehur në shtrëngim të standardeve, si në kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe në ato për financimin e konsumit.

Nga ana tjetër, kërkesa për kredi nga të gjithë agjentët ekonomikë pritet të jetë më e lartë. Bizneset pritet të shfaqin kërkesë të lartë në të gjitha segmentet e madhësisë së biznesit dhe për çdo lloj qëllimi përdorimi. Kërkesa për kredi nga individët pritet të jetë po ashtu në rritje, si për mbulimin e nevojave për konsum ashtu edhe për financimin e blerjeve të banesave.