Nga Sabah Sheta
Kruja e para! Nesër në orën 18:00 të gjithë bashkë ne protestë tek rreth rrotullimi i Thumanës që të çlirohemi nga izolimi që na bën rruga Thumanë-Kashar.
Të nderuar demokratë, ju opozitarë, anëtarë të forcave të tjera politike, të nderuar qytetarë të Krujës, Fushë -Krujës Niklës, Cudhisë, Bubqit dhe Thumanës!
Të gjithë NE, pa dallim, sot jemi para faktit që investimi koncesionar siç është autostrada Thumanë-Kashar na ka izoluar padrejtësisht. PD Krujë, të zgjedhurit e saj, e sot demokratët euroatlantikë kanë ngritur me forcë këtë shqetësim disa herë kohë më parë, kemi protestuar, por gjithçka kaloi në vesh të shurdhër. Edhe institucionet shtetërore na konfirmuan izolimin dhe as morën masa për t’i thënë zgjidhje shqetësimit krutan dhe turistëve që vizitojnë qytetin tonë turistik dhe historik. Gjendur në këto kushte iu bëj thirrje të jemi sërish bashkë dhe të tregojnë forcën tonë me mjete demokratike për zgjidhjen e këtij problemi që rëndon mbi NE!.
Si qytetar krutan dhe kreu i demokratëve euroatlantikë dega Krujë apeloj:
1. Nesër ora 18:00 të vëmë Krujën të parën, të protestojmë të gjithë pa dallim bindjesh politike dhe pozicionesh që mbajnë në të përditshmen tonë për të detyruar qeverinë që të bëjnë daljen nga rruga pa qenë e nevojshme të shkojmë deri në Kashar dhe paguajmë taksë që të mbërrijmë në shtëpitë tona!.
2. Kruja sot më shumë se kurrë ka nevojë për secilin nga djemtë dhe vajzat e saj. Përfaqësues të biznesit, arsimtarë, punonjës të sistemit shëndetësorë, të bujqësisë, të bashkisë, deputetët e mazhorancës, opozitës, qytetarë të paangazhuar duhet që nesër të jemi në protestë ku janë thirrur të gjithë krutanët për tu vënë në sprovë!.
3. Të zgjedhurit vendorë dhe qendrorë sot më shumë së kurrë duhet të jenë krah interesit qytetar. Qytetarët presin zgjidhje dhe nuk do të iua falin nëse nuk do ta mundësojnë atë. Duhet që të jemi të bashkuar në kërkesën tonë për një të drejtë e cila nuk është aspak politike.
4. Vëllezër krutanë! Ne duhet të jemi të bashkuar që të shmangim izolimin e 85 mijë qytetarëve dhe mijëra bizneseve! Na duhet të tregojmë integritet personal në emër të Krujës dhe krutanëve.
5. Si qytetar, por dhe si kryetar i degës së demokratëve euroatlantikë kam mbështetur dhe vazhdoj të jem krah kërkesave të drejta qytetare si dhe jam gati të ulemi në tryezë dhe të gjejmë zgjidhjen!