Në Komisionin e Ligjeve në parlament po përmbyllet një formalitet i dakordësuar që më parë mes PD dhe PS, për ti hequr mundësinë qytetarëve shqiptarë për ti zgjedhur vetë deputetët e kuvendit të ardhshëm, përmes listave të hapura, ku ai kandidat që votohet më shumë nga zgjedhësit merr automatikisht mandatin.
Në draftin me bekimin e të dyja palëve që Lapsi.al e ka lexuar është rënë dakord që 2/3 e listës së deputetëve të jetë e hapur dhe 1/3 të jetë ekskluzivitet i kryetarit të partisë. Por duke qenë se listat e partive me kandidatë për deputetë janë shumë më të gjata sesa ata që shkojnë realisht në kuvend praktikisht i takon që pothuajse pjesa dërrmuese e deputetëve emërohen nga Rama dhe Berisha. qytetarët mund të vendosin vetëm 30 apo maksimumi 40 prej tyre. Sipas një llogarie që ka bërë Endri Shabani, kryetari i Nisma Thurrje, partia që e ka pasur kauzë të vetën hapjen e listave, Partia Demokratike mund të dërgojnë në kuvend vetëm 1 deri në 5 të zgjedhur me votë qytetare. Kështu përshembull: “Nëse Berisha arrin të marrë votat e 2021, votuesit do mund të zgjedhin nga një deputet në Lezhë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Dibër.
Ndërkohë nuk do ketë fare garë në Tiranë, Durrës, Fier, Kukës, Vlorë, Berat dhe Gjirokastër, sepse të gjithë deputetët e PD-së në këto qytete do jenë të emëruar” shkruan Shabani.
Këtë pakt e ka denoncuar edhe ish kreu i Partisë Demokratike, deputeti Lulzim Basha. “Keni parë në këto orë të flitet për gjasme negociata për Reformën Zgjedhore.
Në fakt janë fasada e një pazari të mbyllur muaj më parë, ku Rama dhe Berisha janë bërë bashkë kundër interesit të qytetarëve.
Ata sabotuan Komisionin e Reformës Zgjedhore bashkarisht, sepse nuk duan t’i fuqizojnë qytetarët duke i dhënë forcë votës së tyre, por duan t’i trajtojnë si dele” ka shkruar ai në Facebook.
Edhe më qesharake e ka bërë situatën fakti se drafit i rënë dakord mes PD dhe PS iu është bërë fakt i kryer deputetëve duke ua shpënë atë atyre për diskutim vetëm gjysëm ore përpara seancës në komisionin e ligjeve.
“S’ka asnjë lloj logjike, që unë e mësoj gjysmë ore para, s’kam pasur mundësi ta lexoj pr.ligjin që është depozituar nga PS dhe PD. Gjithçka është vlerësuar, vulosur dhe ka ardhur këtu”, është revoltuar Dash Sula që e ka krahasuar paktin e tanishëm me marëveshjen Rama Berisha, të 21 prillit 2008, që ndryshoi kushtetutën për të prodhuar një kryeministër të palëvizshëm.
Natyrisht kjo shpërfillje flagrante e qytetarëve dhe për më tepër e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që është shprehur me vendim për listat e hapura ka autorësinë e dy njerëzve Edi Ramës dhe Sali Berishës që duan ti kenë sa më nën kontroll të gjithë deputetët e parlamentit të ardhshëm. Por kjo fitore e tyre në tavolinë shkatërron edhe më imazhin e tyre në publik. Kryeministri del një hipokrit par exellecce që e ka harruar përbetimin asnjë marëveshje me ‘Non Gratën”. Ai përforcon akuzat për një rregjim autoritarist ku Rama duhet ta ketë gjithcka nën kontroll.
Po e humbura më e madhe në imazh e kësaj marrëveshjej është opozita. Ideja e listave të mbyllura bie totalisht ndesh si koncept me përrallën e bukur të primareve që propogandojë foltorja. Për më tepër në një regjim shtypës e abusiv i takon opozitës të kërkojë aleancë me qytetarët, duke ia lënë atyre në dorë një pjesë të vendimarrjes se cili do të jetë deputet i ardhshëm. Duke e prerë këtë mundësi përmes listash pothuajse të mbyllura, Berisha dëshmon se po kërkon më shumë sesa fitoren një listë të sigurtë besnikësh në opozitë.
Nëse në seancën e të enjtes në parlament miratohet po i njëjti draft që Lapsi.al ka lexuar sot 100 deri në 110 deputetë të kuvendit të ardhsëm pritet të jenë zara të kryetarëve.