BallinaPolitikeReforma Zgjedhore, PD-PS favorizojnë ‘besnikët’ e partisë. Votat për një mandat dhe...

Reforma Zgjedhore, PD-PS favorizojnë ‘besnikët’ e partisë. Votat për një mandat dhe pragu elektoral

VALENTINA MADANI/ Mazhoranca dhe opozita arritën një dakordësi për listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 2025-ës. Pas diskutimesh të gjata, socialistët dhe demokratët ranë dakord që në zgjedhje të shkohet me dy palë lista.

Referuar draftit të dakordësuar, pragu elektoral për subjektet ose koalicionet në nivel kombëtar do të jetë 1 % e votave kombëtare. Kjo do të thotë se në llogaritjen e ndarjes së mandateve, subjektet apo koalicionet që kanë më pak se 1% të votave kombëtare, nuk do të mund të marrin përfaqësim në Parlament. Disa kandidatë do të jenë në listën e deputetëve të sigurt, lista e fiksuar, pra rreth 30% e listës.

Ndërkohë që disa të tjerë do të jenë në listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohet procesit të parapëlqimit, që do të thotë që vendimtare do të jetë vota e qytetarëve për emrat preferencialë. Me këtë hap palët kanë rënë dakord për hapje të pjesshme të listave, por duke i krijuar kushtet që personat besnikë të partisë, por që nuk gëzojnë mbështetje të gjerë, të kenë vende të sigurta. Kështu, për herë të parë do të aplikohet varianti i një liste, ku pjesa e parë e saj janë emrat e fiksuar, ose të parapëlqyer dhe pjesa tjetër e emrave janë ata që do të “luftojnë” për votat personale, për të shpresuar se do të marrin një vend në Parlament.

Referuar variantit të dakordësuar, 1/3 e listës së kandidatëve do të jetë e fiksuar, pra me emra që pavarësisht numrit të votave personale që kanë, nëse subjekti apo koalicioni që i kandidon marrin mandatet për deputetë, hyjnë të Kuvend. Për ta thjeshtuar, nëse në Qarkun e Tiranës janë 36 mandate deputetësh, 12 emrat e parë të listës së kandidatëve të një subjekti zgjedhor janë emra të fiksuar, mjafton që forca politike të arrijë numrin e votave për të çuar në Kuvend 12 deputetë.

Pas këtij numri rendor, do të ketë një garë të hapur mes emrave që renditen, duke hyrë në funksion ai që konsiderohet si votim “parapëlqyes”, që do të përcaktojë më pas se cilët emra do të marrin mandatin, referuar numrit të votave personale. Referuar ndryshimeve që priten të miratohen, kandidati për deputet i regjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

Ky sistem që pritet të aplikohet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 2025, as më shumë e as më pak, forcon rolin e kryetarëve të partive, që siç duket do të blindojnë me të besuarit e tyre, vendet e sigurta për deputet, sipas qarqeve, ndërsa pjesa tjetër e listës, është një “përplasje” brenda llojit, ku krahas votave të partisë, emrat që renditen në 2/3 e listës, duhet të sigurojnë edhe votat e tyre personale. Kreu i grupit të PD-së, Gazmend Bardhi, u shpreh se propozimi i mazhorancës është që listat të jenë 100% të mbyllura, ndërsa opozita kërkon hapjen e plotë të tyre. Bardhi tha se “formula 1/3 dhe 2/3 është minimumi që garanton Kushtetuta dhe nëse pala tjetër nuk jep konsensus për hapjen 100% të listave, unë gjykoj që është arritje ruajtja e këtij minimum të caktuar nga Kushtetua në raport me propozimin që ka mazhoranca për mbylljen 100% të listave”.

VARIANTI I DAKORDËSUAR I REFORMËS SË RE ZGJEDHORE

“Neni 67 Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike
1. Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve: a) listën shumemërore të fiksuar të kandidatëve dhe b) listën shumemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

2. Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore pjesëtuar për tre. Në rast se nga ky pjesëtim nuk rezulton numër i plotë mandatesh, atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjesëtimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjesëtimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.

3. Lista shumemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.

4. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.

5. Kandidati për deputet, i regjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

6. Për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin një çdo tri emra të kandidatëve të listës së fiksuar i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe një në çdo tre emra të listës shumemërore që i nënshtrohet votimit parapëlqyes duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.

7. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ brenda 48 orëve. Kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë depozitohet në KQZ në rastet kur territori i njësisë së qeverisjes vendore nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme.

8. Kandidati për kryetar bashkie apo për këshillin e bashkisë nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.

9. Në zgjedhjet për këshillat bashkiakë një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje të kandidatëve të subjekteve zgjedhore duhet t’i përkasë së njëjtës gjini.

10. Në rast mospërmbushjeje të njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumemërore KQZ-ja zbaton sanksionet e parashikuara në nenin 175 të këtij Kodi”.

Deputetët që firmosën për listat e hapura

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, publikoi dje dokumentin e firmosur një vit më parë nga 32 deputetë opozitarë, përmes të cilës kërkonin hapjen përfundimtare të listave, votimin e diasporës, votim elektronik, ndarjen e Shqipërisë në 3 ose 4 zona elektorale. Shehi kërkon u kërkon deputetëve koherencë në qëndrimin e tyre, pasi çdo gjë tjetër do të jetë një pazar në shërbim të kryeministrit. “Duke i paraprirë seancës maratonë të Kuvendit, ju vë në dijeni mbi nismën parlamentare, ku bashkë më 32 deputetë të opozitës jemi shprehur në parim mbi kërkesat për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe Reformën Zgjedhore. U kërkoj deputetëve firmëtarë që të mbajnë qëndrim të palëkundur nëse kërkojnë ndryshim real! Çdo lëvizje tjetër politike, është pazar që i shërben vetëm Edi Ramës!”, – tha Shehi.

PS dhe PD bien dakord për votën e diasporës

Maxhoranca dhe opozita ranë dakord në parim për një draft të dakordësuar për votën e diasporës. Sipas draftit konsensual që po diskutohet në Komisionin e Ligjeve, palët kanë rënë dakord që shqiptarët që ndodhen jashtë vendit, duket të bëjnë kërkesë për të votuar pranë Gjendjes Civile dhe KQZ-së, por ata duhet të paraqesin dokumentet e një adrese të saktë. Votimi sipas këtij drafti, do të realizohet me postë dhe ky shërbim do të përzgjidhet në operator ndërkombëtar me reputacion serioz. Në propozimet e dakordësuara në parim nga PD dhe PS theksohen dhe hapat se si do realizohet procesi i regjistrimit dhe afatet. Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular